Kryesore

Foto/ Sarandë, sekuestrohet resorti luksoz “Santa Quaranta”. Vendimi, ‘Eskobari i Ballkanit’ akuzohet për trafik ndërkombëtar droge

09:19 - 25.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arbër Sulo




Kompleksi luksoz “Santa Quaranta” në Sarandë nuk do të jetë në duart e familjes së Klement Balilit, por do të administrohet dhe përdoret nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, policia ka sekuestruar pasuritë e 45-vjeçarit Klement Balili, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe njihet ndryshe si “Eskobari i Ballanit”. Me vendimin e gjykatës në duar, dhjetëra forca policie dhe përfaqësues të Prokurorisë zbarkuan dje në qytetin bregdetar dhe vunë nën sekuestro preventive resortin turistik të Balilit, si dhe prona të tjera të familjes së tij. Mësohet se në hotelin e famshëm dhe të përfolur se në të kanë fjetur edhe ministra të kabinetit “Rama” me dashnore, kanë qenë vetëm familjarë të Klement Balilit, të cilët janë dhe pronarë të biznesit. Burime për “Gazeta Shqiptare” bënë me dije se gjatë kontrollit në hotel nuk u gjet asgjë e jashtëligjshme, ndërsa punonjësit ishin njoftuar që më parë që ditën e djeshme të mos shkonin në punë. Ndërkohë, pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, policia deklaroi zyrtarisht se ka sekuestruar ish-kampin e Pushimit të Punëtorëve në Sarandë (aktualisht hotel “Santa Quaranta”), 28,690 m2 truall dhe 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe. Policia theksoi se, “grupi ‘Balili’ është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal. E në këtë kuadër, hetimet po vijojnë me intensitet”. Klement Balili është në kërkim prej më shumë se një viti nga drejtësia shqiptare dhe ajo greke, pasi dyshohet se drejtonte një grup kriminal të trafikut të drogës në Ballkan drejt Europës.

DEKLARATA E POLICISË

Sipas policisë, procedimi penal për grupin e njohur si “Balili”, me aktivitet kriminal kryesisht në jug të vendit është regjistruar më 3 prill të vitit 2016 për trafik lëndësh narkotike. Mësohet se paralelisht me procedimin për trafik narkotikësh, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, ka investiguar dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të dyshuar të këtij grupi, të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktiviteti kriminal.

Mbi bazën e këtij materiali, Prokuroria për Krimet e Rënda ka regjistruar procedimin pasuror nr.5, të vitit 2017, për hetim pasuror për gjitha lidhjet familjare të grupit “Balili”. Mbi bazën e këtij materiali policor, bazuar në ligjin nr.10192, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (i njohur si ligji “Antimafia”), Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosjen nën sekuestro të aseteve. Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot (dje) vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Kelmend dhe Bashkim Balilit, që janë: Ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht hotel ‘Santa Quaranta’; 28,690 m2 truall; 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.

Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Grupi ‘Balili’ është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal. E në këtë kuadër, hetimet po vijojnë me intensitet. Policia e Shtetit fton këdo që disponon të dhëna apo informacione të vlefshme për identifikimin dhe zbulimin e pasurive apo aseteve të tjera në pronësi të personave të mësipërm apo lidhjeve të tyre të afërta, të telefonojnë në numrat falas 112 dhe 129, duke garantuar ruajtjen e anonimatit dhe goditjen e ashpër të elementëve antiligjore.

 

PRONAT E VËNA NËN SEKUESTRO

 

–         Ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht hotel “Santa Quaranta”

–         28,690 m2 truall

–         36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.