![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin e gazetares Eni Vasili ka bërë të ditur se policia ka ndalur një person të dyshuar si bashkëpunëtor, në atentatin e ndodhur mbrëmjen e së hënës në Tiranë, ku mbeti i vrarë Devi Kasmi.
Ndërkohë që ditën e sotme policia ka dhënë detaje për shtetasin e ndaluar, si i dyshuar i përfshirë në atentat. Gazeta Shqiptare mëson se ai është Mario Meshini, ndërsa për shkak të hetimeve nuk jepen të dhëna të tjera.
“Ne vijim te veprimeve te kryera nga grupi i posaçëm i ngritur pranë Drejtorisë Vendore te Policisë Tirane ne bashkëpunim të ngushtë me Prokurorine pranë Rrethit Gjyqësor Tirane për zbardhjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” e kryer në bashkëpunim u ndalua shtetasi Mario Meshini i dyshuar si i përfshirë ne vrasjen e shtetasit D.K. Hetimi vijon me intensitet dhe për momentin nuk bëhen me dije të dhena te tjera”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Devi Kasmi u vra mbrëmjen e të hënës në kryeqytet. Dy persona, që lëviznin me motor kanë qëlluar me pistoletë. Sipas policisë ata kanë qëlluar pesë herë, në kokë dhe në trup, duke u siguruar për ekzekutimin e shënjestrës së tyre. Në informacionin e saj zyrtar, policia njoftoi se mori telefonatë në orën 18 e 44 minuta për të shtëna me armë zjarri.
Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin Domart Konjari. Në njoftimin e policisë nuk saktësohet nëse Konjari është ekzekutori, por dyshohet se ai është i përfshirë në vrasjen mafioze, si porositësi i saj.