DOSSIER

Letra për Ramizin: Shuteriqi lejoi botimin e librit me ndikime dekadente të Arapit

14:00 - 03.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Menjëherë pas fjalimit të Enver Hoxhës më 15 dhe 16 mars të vitit 1973 në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ku si temë kryesore ishte: “Lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe liberale në art kulturë dhe ndikimi i tyre në të gjithë jetën e vendit”, ashtu siç kemi parë edhe në mjaft nga kapitujt e tjerë të këtij libri, në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të vendit, organizatat bazë dhe komitetet e partisë së rretheve, u mbajtën një sërë mbledhjesh me analiza të shumta ku u “punua” fjala e Enver Hoxhës. Në këtë kontekst, edhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, të gjitha redaksitë përkatëse të saj, iu nënshtruan një analize të hollësishme të punës që kishin bërë deri në ato kohë, jo vetëm me ato që ishin botuar, por edhe me veprat dhe vëllimet që nuk e kishin parë ende dritën e botimit për shkak të problemeve të tyre me “ndikimet e huaja”. Lidhur me këtë bën fjalë edhe dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit, (materiali është shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën sekret) i cili mban datën 19 prill 1973, dhe ku shefi i redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës, Dhimitër Fullani, ka bërë një informacion për Komitetin Qendror, konkretisht për Ramiz Alinë, sekretarit përkatës që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën. (Ramizi nuk ka bërë asnjë shënim në dokumentin në fjalë, pasi siç duket ka qenë i kënaqur me punën e Fullanit). Në këtë raport-informacion, Dhimitër Fullani ka analizuar me detaje dhe hollësira të gjithë punën që ajo redaksi ka bërë gjatë gjithë vitit 1972 me botimet në gjininë e poezisë. Kështu ai ka marrë në analizë një numër të madh poetësh duke kaluar në një “sitë të imtë” të gjithë punën e tyre dhe duke bërë një spastrim të thellë në të gjitha vëllimet poetike të vitit 1972. Ajo që bie në sy në raport-informacionin në fjalë, është se “spata” e shefit të redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës, Dhimitër Fullani, ka rënë “pa mëshirë” jo vetëm ndaj poetëve, duke filluar nga ata më me përvojë dhe deri tek më të rinjtë, por ai ka kritikuar edhe Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqin, i cili kishte lejuar dhe nxitur botimin e vëllimit poetik “Më jepni një emër”, të Fatos Arapit, libër, i cili u ndalua që të dilte në qarkullim. Jo vetëm kaq, por Fullani nuk ka nguruar që në raport-informacionin e tij të pasqyrojë me hollësira edhe përplasjet që ai ka pasur “për shkak të detyrës” me Fatos Arapin, poetin që edhe pse “vinte nga Lufta” mbeti “problematik” në krijimtarinë e tij deri në fundin e viteve ’80-të kur dhe u shemb regjimi komunist. Për më shumë rreth kësaj, na njeh raport-informacioni në fjalë që po e publikojmë të plotë në këtë pjesë të librit.




R A P O R T
Mbi rezultatet e rishikimit të materialeve të redaksisë pas fjalimeve të shokut Enver
Sipas udhëzimeve që na u dhanë, redaksia e poezisë, dramës dhe kritikës letrare i kontrolloi një për një të gjitha veprat që kanë qarkulluar gjatë vitit 1972, veprat që ndodhen në shtypshkronjë si dhe ato që janë duke u përgatitur për shtyp në redaksi dhe doli me këto të dhëna, mendime dhe konkluzione:
1. Për veprat e qarkulluara gjatë vitit 1972
Nga 55 vepra poetike, dramaturgjike dhe kritike të qarkulluara gjatë ’72-shit redaksia jo vetëm që nuk gjeti asnjë të pabotueshme plotësisht, por vetëm aty këtu ndonjë poezi që mund të mos ishte botuar për qartësi të pamjaftueshme të shprhejes figurative dhe mendimit poetik ose për ndonjë ekuivok në përmabjtje. Po rendisim këto raste duke u ndalur konkretisht tek secili:
a)Sulejman Mato “Mbi glob fryjnë erëra”. Tri poezi si “Shtylla e tensionit”, për figuracion alogjik, jo funksional, si dhe dy poezi të tjera “Kumparista”, dhe “Mirazh” për frymën sentimentale, nuk duhej të ishin futur në vëllim, siç mbetën jashtë këtij vëllimi, veç vjershave të paarrira artistikisht, edhe poezitë me gabime ideore “Asma Kipters”, “Një burokrat”, “Pëllumbi i mikkuptimit u zgjua përsëri”, “Vargje për kanarinat” etj.
b) Agim Gjakova “Perspektivë”, një nga vëllimet me tematikë të pasur sociale dhe me frymë revolucionare, por me prirje drejt një sitili poetik jo shumë të qartë sa duhet, është seleksionuar nga redaksia duke lenë jashtë mjaft vjersha të këtilla, megjithëse aty këtu si te poezitë “Endërrim” (për aksionet me goditje të përqëndruar), dhe “Dielli” (lirikë erotike) përmbajtja kapet me vështirësi, prandaj të mos ishin futur në vëllim.
c) Natasha Lako “Marsi brenda nesh”. Duhej të ishte hequr poezia “Ndarja” me figura manieriste.
Ç) Ylli Polovina “Nëpër stacione”. Mund të mos e përmbante poezinë “Largimi”, që mbetet vetëm tek një impression i papërcaktuar.
d) Ndoc Gjetja “Rezatim”. Një nga veprat më të shquara të vitit 1972, ka një poezi të vogël të titulluar “Përse”, e cila më thellë qëllon mendimin konservator, që dënon dhe e ndjek dashurinë më njerzore dhe më të bukur, d.m.th. dashurinë e pranueshme për moralin proletar, ndërsa përligj vese të tilla si grindjet e sharjet publike, por ka rrezik të kuptohet nga lexuesi i zakonshëm si thirrje për t’u puthur rrugëve. Kjo poezi mund të ishte hequr nga vëllimi.
I. Nga veprat e kësaj redaksie që ndodhen në shtypshkronjë
1) Miho Gjini “Pas shfaqjes” (Redaktor i jashtëm, Gjergj Vlashi, vëllim i hedhur në shtyp që në vitin 1971).
Kjo përmbledhje artikujsh mbi problemet e estradës sonë pas fjalimeve të fundit të shokut Enver, duket qartë që është e mangët dhe e njënanëshme. Estrada është parë gjatë e gjërë, shpesh edhe thellësisht thuajse lidhur vetëm me misionin e saj në luftë kundër konservatorizmit dhe mbeturinave të së kaluarës në ndërgjegjie, zakone, koncepte, etj. Në këtë drejtim libri sjell një kontribut të veçantë, do të thonim, të vetmin kontribut për orientimin e punës së këtij sektori të rëndësishëm të humorit dhe të satirës sonë si armë tepër efikase e Partisë me forcë të veçantë fshikilluese dhe edukuese në masë, aqë më tepër se problemet janë ngritur drejtpërdrejt nga aktiviteti i gjallë i tërë veprimtarisë sonë estradeske dhe janë ilustruar me shëmbuj konkretë për fenomenet pozitive ashtu edhe për ato negative.
Por tani, kur shoku Enver thekson si rrezik kryesor ndikimin e huaj borgjez dhe revizionist, ky libër, që i njeh estradës për detyrë thuajse vetëm luftën kundër fenomeneve konservatore dhe nuk e ka drejtuar vështrimin kritik veçse fare pak drejt trajtimit të ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste nga estradat, e humb vlerën e botimit. Aty këtu hidhet ndonjë mendim për ndonjë çështje të kësaj natyre, bëhet ndonjë kritikë krejt e rastit për trajtimin e dobët të kësaj çështje të estradës, por kurrë nuk ngrihet parimisht si problem i veçantë dhe kryesor lufta kundër ndikimeve të huaja borgjeze dhe revizioniste si detyrë e dorës së parë e estradës.
Në fq. 77 autori thotë: “Në të vërtetë e vjetra paraqet formën kryesore të shfaqjes komike”. Në një rast tjetër në fq. 90, “Ajo (Estrada) e sheh zhvillimin dialektik të realitetit në aspektin e ndeshjes së të kundërtave, të kontrasteve të jetës, të deformimit të karaktereve dhe, tall e demaskon, mohon çdo gjë të vjetër që na del si ferrë përpara. Dhe këtë realitet, Estrada e fikson me anët të materialeve humoristike e satirike, të cilat krijojnë përmabjtjen ideo-emocionale të saj. Në këtë përmabjtje derdhet vetë jeta, dinamizmi i kohës dhe fryma revolucionare në përcëllimin e veseve, të zakoneve të perënduara dhe të mbeturinave në ndërgjegjie. Kjo është dhe kërkesa e parë e artit të estradës”.
As tek artikulli i parë, që shërben si introdukt i këtij vëllimi, ku ngrihen në vija kryesore detyrat e estradës, as edhe tek artikulli “Arti i estradës në shërbim të luftës kundër imperializmit dhe revizionizmit”, problem i luftës kundër ndikimeve, që duhej të kish zënë vëndin kryesor, nuk është përmëndur dhe autori është marrë vetëm me problemin e demaskimit të realitetit të atyre vëndeve nga Estrada jonë.
Ky libër, pra, që, një sektor artistik dhe ideologjik të estradës e shikon dhe e vlerson më njëanëshmëri të këtillë, kur vetë Partia ngre problemin e rrezkishmërisë kryesore nga ndikimi i huaj borgjezo-revizionist, është çorientues dhe i dëmshëm për estradat dhe lexuesin.
2) Libri i Fatos Arapit, qe fenomeni kulminant i ndikimit të poezisë dekadente të vendeve borgjeze e revizioniste, që me shumë vështirësi, por më në fund çau rrugë edhe në këtë redaksi. Megjithëse kjo çështje është bërë e njohur tanimë dhe libri u pezullua në kohën e duhur, shihet e nevojëshme të përmëndet, sepse ky rast përfaqëson një moment presioni të gjithanëshmëm të atmosferës liberale kundrejt modernizmit, të cilin nuk e frenuam dot as ne.
Këtë vëllim “Më jepni një emër”, e redaktoi në variantin e parë, Adriatik Kallulli dhe i bëri një recension panegjerik Dritëro Agolli. Pasi redaksia ja ktheu me vërejtje të thella, gati të tëra vjershat e cilësuara prej nesh si të pabotueshme, autori i botoi te “Drita”, “Nëntori”, “Ylli”, Zëri i Rinisë”, “Shqiptarja e Re”. Më vonë e riktheu vëllimin në redaksi gjoja të ripunuar.


Redaksia e rishqyrtoi variantin e dytë të ripunuar dhe, me që nuk u bind për botimin e një vëllimi të këtillë poetik, i cili do të launte një rol orientues negative për krijimitarinë tonë poetike, u këshillua me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, shokun Dhimitër Shuteriqin si dhe me shokun Hamid Beqen dhe ata mendonin se nuk duheh penguar botimi i librit për shkak të stilit hermetik të autorit, por të qërohej vëllimi nga ekuivoiket. Nga njëra anë vetë autori me një fushatë shpifjesh e denigrimesh kundër Dhimitër Fullanit, më anë tjetër kundërvënia e shtypit letrar si Kudert Velçës, Dalan Shapllos e të tjerëve kundër frenimit të kësaj vepre për shtyp, na detyroi (Dhimitër Fullanin, Vehbi Skënderin dhe Ali Abdihoxhën, që vetëkuptohet se mbajnë përgjegjësinë kryesore), t’i shihnin vjerashat e këtij vëllimi një për një me tolerancë që i imponohej nga opinioni derisa ta hidhnin vëllimin në shtyp.
Edhe pasi u hodh në shtyp, redaksia e pati kurdoherë në dyshim këtë vëllim. Në raportin vjetor të vitit 1972, ndërsa libri ishte në shtyp, lidhur me këtë vëllim shënohej: “Megjithse ky vëllim më në fund u hodh në shtyp më tepër nga presioni i organeve periodike, të cilat i botuan poezitë e tij, se sa nga ripunimi që i bëri autori sipas vërejtjeve tona, unë, si shef i redaksisë kam bindjen se kjo vepër, pavarësisht nga meritat përfaqëson një tendencë drejt një poezie me përmabjtje të paqartë, në kundërshtim me kërkesën kryesore për qartësi të artit tonë për masat, mbasi mendimi poetik nuk mund të jetë i thellë kur është i errët e i paqartë, por mund të jetë i thellë edhe duke qenë i qartë. Në emër të së drejtës për lirinë e individuelitetit krijues të autorit, redaksia botuese nuk mund të qëndrojë indiferente, kur një vëllim i tërë shpreh një prirje jo të favorëshme për krijimtarinë tonë poetike”. Megjithëkëtë u desh fjala e shokut Enver që ky libër i dëmshëm që të mos bjerë në dorë të lexuesit.
Nga të gjitha veprat e tjera të tërhequra nga shtypshkronja, vetëm për qëllimet e poshtëshënuara e pamë të nevojëshme të heqim ndonjë poezi aty-këtu:
1. Nga vëllimet e përgatitura për shtyp të redaktorit Pandeli Koçi.
a) Prej vëllimit të Bajazit Cahanit “Në pritje” u hoq poema me këtë titull me frymë sentimentale dhe poezitë “Në udhëkryq”, e “Kam një dritare”, si poezi të errta dhe të vështira për t’i kuptuar.


b) Tek vëllimi satirik i Tonin Milotit “Gomari pa veshë”, u hoqën vjershat “Gomari pa veshë” humor për humor, “Derri dhe cjapi” satirë pa mendim “Truri”, fabul satirike gjithashtu me një ekuivok ideor, “Në ogranjë”, (ekuivok), “Dashuri në pullas”, (banalitete).
2. Nga vëllimet e përgatitura për shtyp të redaktorit, Vehbi Skënderi.
a) Prej vëllimit të Mitrush Kutelit “Baltë nga kjo tokë”, u hoq vjersha “Balada e vogël e syrit të zi”, ku tragjizmi i kurbetit më 1964, kur është shkruar vjersha, nuk përligjet në vëndin tonë.
b) Prej vëllimit të Frederik Reshpes “Në këtë qytet”, u hoqën dy poezi “Muzeu i fshatit” ku përshkon një notë tragjike, ndërsa përkujtohet Lufta N.Çl. dhe zë nga fëmijria, që të krijon përshtypjen sikur koha jonë i ka errësuar idilet e fëmijërisë. (ekuivok).
c) Prej vëllimit të Shefki Karadakut “Ylberi”, u hoqën tri libra me një pejsazh pasiv.
Ç) Nga vcëllimi i Aleks Çaçit “Fjalë të bardha” u hoq vjersha “Foleja e shqiponjës”, që ep shkas gjithashtu për ekuivok.
d) Nga vëllimi i Gjergj Zhejit “Artisti dhe jeta”, përgatitur për shtyp nga redaktori Dilaver Dilaveri do të hiqet dhe do të zëvëndësohet vetëm artikulli: “Kritika dhe teoria” ku autori, në emër të kërkesës bën thirrje për ta lidhur kritikën me teza të gabuara si ato të diskutimeve të gazetës “Drita” rreth romanit, që cënonin disa nga parimet bazë të realizmit socialist lidhur me heroin poztiv etj.
III. Redaksia e rishikoi dhe po i rishikon gjithashtu të tërë materialet që ka në process duke shkarkuar nga vëllimi i Harallamb Qeskos, poezinë e cikërimave peisazhiste dhe erotike përshkuar nga një idil romantik i kaluar, nga poezi me figuracion kapricoz e alogjik, me përmbajtje të paqartë, nga vëllimi i Faslli Halitit ndonjë poezi me nëntekst të paqartë dhe ekuivoke, nga ai i Hiqmet Meçes poezitë jo të pakta me stil të errët, fragmentar dhe ekuivoke, nga ai i Xhevahir Spahiut ekuivoket dhe gabimet ideore dhe u bëri kështu një pastrim me rradhë vëllimeve poetike të Vasil Koçit, Mira Zajmit, Thanas Mustaqit, Llambro Rucit, e të tjerëve, duke pasur parasysh jo vetëm nevojën e spastrimit nga poezitë e prekura nga ndikimet e huaja dhe të parealizuara sa duhet, por edhe kërkesat për pasurimin e këtyre veprave me tematikë të shëndoshë sociale, revolucionare, që botimet tona poetike të shërbejnë si stimul i një zhvillimi të ri të krijimtarëisë sonë poetike në rrugën e shëndoshë të Partisë.
Tani që i zbuluam me rrënjë këto ndikime nëpër botimet tona nën dritën e fjalimeve të fundit të shokut Enver, bile duke gërmuar thellë e më thellë, le të shohim realisht dhe me argumentime të partishme sa kujdes kemi patur ne për t’i përballur këto ndikime, sa peshon faji ynë dhe i secilit prej nesh lidhur me këto lëshime në krahasim edhe me institucionet e tjera botuese duke pasur parasysh edhe faktin e pamohueshëm se sa i kishte përligjur këto lloj lëshimesh e shkarjesh atmosfera liberale e krijuar dhe sa i kemi rezistuar ne asaj.
E vërteta është se redaksia i ka diskutuar fenomenet e reja poetike që në fazën embrionale dhe i ka inkurajuar anët e tyre pozitive, por ka frenuar prirjet negative, që i bien ndesh me estetikën marksiste dhe me kriteret bazë të Partisë sonë në fushën e letërsisë dhe këto çështje i kemi dokumentuar qart nëpër analiza vjetore të redaskisë.
(vijon nesër)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.