Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ndodhet për një vizitë zyrtare në Cetinjë, Mali i Zi, ku u takua me homologun e saj, Ministrin e Kulturës, Aleksandar Bogdanoviæ. “Të bashkojmë forcat artistike si dhe te bashkojmë skenat tona, sepse historitë tona të përbashkëta duhen treguar- u shpreh Kumbaro në konferencën për shtyp duke shtuar se “ky takim kryhet përpara takimit të dy qeverive tona dhe shpreh edhe njëherë vullnetin dhe angazhimin politik të institucionit që unë drejtoj për të bashkëpunuar në fushën e kulturës dhe trashëgimisë”.
Ministri Bogdanoviæ u shpreh se projektet e përbashkëta ndërkombëtare në projektet IPA apo Creative Europe do të konkretizohen me një bashkëpunim dypalësh mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, që do të nënshkruhet shumë shpejt mes dy vendeve tona. Takimi dypalësh u konkretizua me propozime konkrete në fushën e krijimtarisë muzikore, filmit, ekspertizës në trashëgimi, etj.
Drejtues të lartë të Ministrive përkatëse diskutuan për bashkëpunime konkrete që do të përfshihen në kalendarin e përbashkët 2018-2020.
“Njerëzit e kulturës kanë kohë që bashkëpunojnë. E kemi për detyrë të institucionalizojmë këtë marrëdhënie mes artistëve”- përfundoi Kumbaro.