Kryeministri Edi Rama ka përgënjështruar deklaratën e bërë nga deputeti gjerman Gunther Krischbaum, me këtë të fundit që deklaroi publikisht se kishte njoftuar shefin e qeverisë shqiptarem, se vendi ynë nuk është gati për të hapur negociatat.
Në një konferencë nga aeroporti i Rinasit, në përfundim të vizitës së tij në Gjermani, Rama u pyet për deklaratën e deputetit gjerman, dhe njëherësh një nga njerëzit e besuar të kancelares Angela Merkel.
Por sipas Kryeministrit Rama, Krischbaum nuk ia ka thënë skepticizmin e tij për hapjen e negociatat, gjatë seancës dëgjimore me Bundestagun gjerman.
Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se ky qëndrim skeptik i deputetit gjerman nuk e gjen të papërgatitur.
Ndërsa sa i përket asaj që u disktua me kancelaren Merkel, shefi i qeverisë shqiptare nuk dha detaje por tha se vizita në tërësi ishte e suksesshme.
“Vizita për mua ishte e suksesshme në raport me objektivin. Nuk kishim objektiv t’i merrnim kohë kancelares dhe Gjermanisë gjatë kësaj vizite. Vizita i shërben shpjegimit të të gjitha aspekteve, dhe dhënia e informacionit të nevojshëm dhe përgatitjes së opinionit, që vetë kancelarja tha se Gjermania, si çdo vend tjetër, do të marrë kohën e saj përpara vendimit. Sa i përket zotit Krischbaum, mund t’ju them se nuk ma ka thënë këtë gjë. Por mendimi i tij as nuk më gjen të papërgatitur, as nuk bën arsye për mua që të më humbasë kënaqësia e kësaj vizite. “ tha Rama
Kujtojmë se më herët në një status në Facebook, Krischbaum tha:
“Dje, prita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Komitetin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut Gjerman. Me këtë rast, personalisht i thashë atij se unë e konsideroj hapjen e bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë si të parakohshme në këtë fazë. Reformat e mëparshme nuk janë ende të mjaftueshme”.