Është shtyrë seanca e parë gjyqësore ndaj Kryeministrit Edi Rama, për deklaratat që bëri ky i fundit në Kuçovë për pjesëmarrjen e policisë në zgjedhje.
Ishte LSI që paditi shefin e qeverisë, deklarata këto për të cilat edhe Rama ka pranuar se ka gabuar.
Por këtë të mërkurë, seanca është shtyrë pasi në Gjykatën e Beratit mungonte prokurori i çështjes.
Lidhur me këtë fakt reagoi edhe ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i cili u shpreh se këto janë situata qesharake.
“Nuk pati kohë prokuroria e Përgjithshme se ky njoftim nuk ka ardhur dje? Njoftimi nga gjykata nga ana juaj ka qenë shumë korrekt brenda të gjitha afateve e mundshme për pjesëmarrësit për gjykim që të kishim sot të gjithë informacionin e nevojshëm për të debatuar për çështjen, kështu që kërkesa për shtyrje mua më duket aspak serioze, e pa mbështetur në asnjë dispozitë të kodit të procedurës penale. Dhe mbi të gjitha po flasim për një institucion me një hierarki të qartë. Prokuroria e Përgjithshme duhet ta kishte informuar sot Prokurorinë e Beratit për këtë çështje. Sepse ka pasur kohë të informojë dhe gjykatën. Nuk është normale kjo, unë jam për të mos e pranuar këtë dëgjesë. Ne sot nuk po diskutojmë për meritën e çështjes, ne po diskutojmë a po hetohet apo jo. Është një debat procedural që bëhet sipas ligjit procedural kështu që do ju lutesha shumë mos ta pranoni këtë kërkesë ta vazhdojmë këtë gjykim, e përsëris procedural në lidhje me këtë çështje”, është shprehur në gjyq përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ylli Manjani.
Kujtojmë se gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar, Rama u bëri thirrje efektivëve të policisë që pas punës të shkonin të kërkonin vota për PS.