AKTUALITET

Vrau gruan dhe kunatën, braktiset autori: Tani kam hallin e fëmijëve!

12:41 - 06.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Gruan e godita me thikë se më ofendoi, s’durova më. Jam penduar për krimin. Tani kam vetëm hallin e fëmijëve”. Kështu ka deklaruar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda 34-vjeçari Gazmend Musta, i cili pasditen e 2 janarit masakroi me thikën e bukës bashkëshorten 31- vjeçare, Gentiana Çaushajn dhe kunatën 18 vjeçe, Merisa Çaushaj. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi mbarë opinionin publik ndodhi në prani të dy fëmijëve të mitur të çiftit, në lagjen “5 Shkurti” të qytetit të Ballshit. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Mustën, kërkesë e cila u pranua nga gjykatësja Marsela Balili. Sipas organit të akuzës, sherri mes çiftit Musta që përfundoi me dy viktima ka nisur kur 31-vjeçarja Genjana Çaushaj i kërkoi bashkëshortit që të shkonte për vizitë në familjen e prindërve të saj.




Kjo kërkesë është kundërshtuar nga i shoqi, i cili në gjendje të dehur ka marrë thikën e bukës duke qëlluar disa herë Gentjanën dhe Melisën, duke i lënë të vdekura në vend. Situata është sqaruar me detaje edhe nga vetë autori i pyetur nga prokurorët. “I dyshuari Gazmend Musta shpjegoi në prani të mbrojtësit përpara prokurorit se vrasjen e bashkëshortes Gentiana dhe kunatës Merisa e bëri pasi atë pasdite gruaja Gentiana i kërkoi që bashkë me të motrën të shkonin të shtëpia e prindërve të saj në Drizar/Mallakastër. Ai nuk qe dakord që ajo të shkonte atje, për këtë kanë debatuar me të madhe në familje, rreth orës 16:30, pas kësaj mori një thikë kuzhine dhe i qëlloi të dyja, aty ku gjendeshin në divan, kjo ndodhi në prani të dy fëmijëve”, është shprehur përfaqësuesi i akuzës.

Ndërkaq, autori i krimit të dyfishtë ka pasur vetëm një kërkesë; kujdesin për dy fëmijët e mitur 3 dhe 7-vjeç, të cilët deri në një vendim të gjykatës do të jenë në kujdestarinë e vjehrrës së tij.

Musta do të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti, Lauren Thomollari, ndërsa në gjykatë nuk ka pasur asnjë të afërm të tij. Në fund të seancës gjyqësore, trupi gjykues la në burg Gazmend Mustën, i cili rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

NGJARJA

Debati ka nisur gjatë drekës së 2 janarit, ku e ftuar ishte edhe 18-vjeçarja Merisa Çaushaj. Gentjana ka kërkuar që të shkojë për vizitë tek prindërit, të cilët jetonin në fshatin Drizar të Mallakastrës, por ka ndeshur në kundërshtimin e bashkëshortit të saj. Pas debateve me bashkëshortin, 31-vjeçarja është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat. Kjo gjë ka zemëruar së tepërmi Gazmendin, i cili është shprehur se ai ishte burri i shtëpisë dhe vendoste ai se çfarë do të bëhej. Fill pas sherrit, ai ka rrëmbyer thikën dhe ka goditur bashkëshorten, ndërsa motra e saj ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por edhe ajo ka rënë pre e sulmit. Rreth orës 17:00, Gazmend Musta dhe dy fëmijët e tij të mitur mbërritën me makinën tip “Audi” përpara stacionit të policisë në Ballsh. Sa takoi efektivët e parë, ai iu tha se para pak çastesh kishte vrarë në banesën e tij bashkëshorten dhe kunatën. Me vete 34- vjeçari kishte edhe një thikë që e hodhi në tokë kur shkoi në polici.

Ai u kërkoi policëve që të kujdeseshin për fëmijët e tij të mitur. Kur policia mbërriti në katin e 5 të një pallati në lagjen “5 Shkurti” në Ballsh, në dhomën e ndenjes në divan u gjetën trupat e pajetë të Gentianës dhe Merisës. Sipas policisë, tek të dyja u vërejtën plagë të shumta trupore dhe rrjedhje gjaku. Nga ekspertiza ka rezultuar se Musta e ka goditur gruan 11 herë me thikë, ndërsa kunatën e ka qëlluar 17 herë, madje këtë të fundit nuk ka nguruar ta bënte copa. Pas krimit, Musta ka telefonuar babain e tij, të cilit i ka treguar për ngjarjen. Sipas dëshmisë së familjarëve, mes çiftit Musta ka pasur konflikte edhe në të kaluarën.

Babai i autorit të krimit të dyfishtë, Bedri Musta ka deklaruar se ditën e parë të Vitit të Ri, çifti kishte qenë në fshat në banesën e tyre, ndërkohë që u shpreh se pikënisja e sherrit që përfundoi me dy viktima kishte qenë disa muaj më parë. Ai ka thënë para hetuesve të çështjes se Gentjana Çaushaj disa muaj më parë ishte larguar nga banesa për te familja e saj, por që më pas kishte shkuar te xhaxhai në Fier dhe nuk pranonte që të kthehej në shtëpi. Bedri  Musta ka sqaruar se pas ngulmimit të tij dhe djalit të tij, ajo ishte kthyer, ndërkohë që i kishin plotësuar edhe disa kërkesa, që ajo të ishte më e lirë dhe të kishte telefon. Ndërkaq, vëllai i viktimave, Gjysmir Çaushaj ka deklaruar se autori nuk e linte motrën e tij që të dilte nga shtëpia, e fyente dhe e ofendonte.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.