Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se mundësitë për marrëveshje me shqiptarët e Kosovës janë “shumë më të vogla sesa kanë qenë” duke shtuar se Prishtina nuk do ta vazhdojë dialogun derisa të përfundojë mandati i administratës aktuale evropiane.
Zgjedhjet e reja për institucionet evropiane janë paraparë të mbahen në fund të muajit maj, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Vuçiç përsëriti se Prishtina nuk do ta shfuqizojë së shpejti tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, përderisa përgjegjëse për këtë situatë e bëri edhe BE-në, që sipas tij, posedon mekanizma që do t’i kushtonin shumë shtrenjtë Prishtinës por që nuk po i zbaton.
“Pa një marrëveshje me Beogradin, Prishtina nuk mund të bëjë asnjëherë asgjë”, tha presidenti serb.
Ai mohoi se ekziston një plan prej 17 pikësh për ndryshimin e kufijve me Kosovën. Presidenti serb tha gjithashtu se askush nuk e dëshiron një marrëveshje bazuar në modelin e dy Gjermanive.
“Shqiptarët më nuk duan të dëgjojnë për këtë, ata dyshojnë se Rusia do ta pranonte këtë në OKB, edhe nëse ne e pranojmë atë”, tha Vuçiç.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Brukseli dhe Uashingtoni po bëjnë thirrje që palët të ndalin veprimet që dëmtojnë procesin negociator dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve.