Ulet besimi në ekonominë shqiptare. Rënie kanë pasur të gjithë sektorët, me përjashtim të shërbimeve. Ky është raporti i Bankës së Shqipërisë për treguesin e ndjesisë eko-nomike, që sipas BSH, u ul me 0.7 pikë. Rënia u rikthye pas një rritjeje të papritur të regjistruar në tremujorin e parë me 4.6 pikë. Gjithsesi, treguesi i ndjesisë ekonomike vijon të mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë. Me gjithë përmirësimin e besimit në sektorin e shërbimeve, rënia pasqyroi kontraktimin e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë dhe besimit konsumator. Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me 2.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë. Me gjithë dinamikën rënëse, ky nivel qëndron mbi mesataren historike, me 3.2 pikë përqindje. Niveli më i ulët i treguesit i atribuohet kryesisht rënies së balancës së prodhimit dhe në një masë më të vogël përkeqësimit të balancës tjetër përbërëse të tij, kontratave porositëse.
Për sa i takon ecurisë së prodhimit në tremujorin e ardhshëm, bizneset e sektorit të industrisë presin përmirësim të tij. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 0.3 pikë përqindje më e ulët se një tremujor më parë. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit shënoi rënie me 1.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, por vijon të mbetet mbi mesataren historike të tij. Me gjithë rritjen e balancës së aktivitetit ndërtues me 1.6 pikë përqindje, dinamika u përcaktua nga rënia e balancës tjetër formuese të saj, kontratave porositëse, me 3.9 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balanca të tjera si gjendja financiare dhe punësimi. Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit me 2.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë dhe mbetet mbi mesataren historike të ti. Përmirësimi pasqyroi rritjen e të dyja balancave formuese të treguesit, ecurisë së biznesit dhe kërkesës. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë shënoi rënie me 1.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, duke qëndruar rreth 5.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të saj. Dinamika rënëse u përcaktua nga rënia e njërës prej balancave përbërëse, ecuria e biznesit, me 5.0 pikë përqindje, në një kohë që balanca tjetër formuese, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, u rrit me 2.4 pikë përqindje. Treguesi i besimit konsumator ra me 2.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, duke ndërprerë dinamikën rritëse të dy tremujorëve të mëparshëm. Megjithatë, treguesi mbetet mbi mesataren historike të tij. Dinamika rënëse e besimit konsumator pasqyroi rënien e tri prej balancave formuese: situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend me 4.6 pikë përqindje, situata financiare e pritur e familjes me 3.6 pikë përqindje dhe situata e të ardhurave dhe shpenzimeve me 1.0 pikë përqindje.