Një ditë pas dekretimit nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, Marsida Xhaferllari i është drejtuar mëngjesin e sotëm Gjykatës Kushtetuese. Gazetari i “BalkanWeb”, Ergys Gjençaj ka siguruar fotot kur Xhaferllari është paraqitur në këtë institucion.
Krahas Xhaferllarit, ka qenë edhe Arta Vorpsi që ka shkuar që në orët e para të kësaj të enjte në Kushtetuese. Të pyetura nga gazetarët, dy anëtaret e Gjykatës Kushtetuese u treguan tejet të rezervuara. Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi u betua dje tek noterja duke shmangur ceremoninë zyrtare para Presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit shfaqi rezerva për emrin e saj. Emri i saj çoi në përplasje në distancë mes Presidencës dhe KED-së, ndërsa përfaqësuesit e tyre treguan gishtin e fajësisë tek njëri tjetri.
Gjithashtu teksa gazetarët u përpoqën t’i shkëpusnin një mendim, Marsida Xhaferllari i përshëndeti shumë thjesht: mirëmëngjesi, ndërsa vijoi e qetë rrugëtimin drejt zyrës së saj. Nga ana tjetër Arta Vorpsi u tregua më hermetike duke iu drejtuar gazetarëve me fjalët: mos u lodhni kot!