![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Nipi im ka ndërruar jetë për mungesë të ndihmës së shpejtë dhe neglizhencës së mjekëve”. Kështu është shprehur dje daja i 25-vjeçarit Ledion Sema, i cili humbi jetën pas një aksidenti të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Divjakë. Mondi Laraku, pohoi dje për “Balkanëeb” se nipi i tij kishte shkuar në spital 45 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja, ndërsa në spital ndodhej vetëm mjeku roje dhe asnjë tjetër nga bluzat e bardha. Ai tha se në spital nuk kishte anestezist. Laraku e drejton gishtin nga bluzat e bardha, duke theksuar se Ledioni ndërroi jetë pasi nuk iu dha ndihma e parë.
“Kur nipi im ka shkuar në Spitalin e Lushnjës i plagosur rëndë, nuk ka pasur anestezist dhe ka qenë vetëm një mjek roje. Për shkak se nuk iu dha ndihma e parë, ai nuk mundi t’ia dilte”, – deklaroi daja i viktimës. Sipas tij, Ledioni ka mbërritur në spital 45 minuta pas aksidentit dhe doktorët nuk kanë qenë të dy në vendin e shërbimit. “Aksidenti ka ndodhur në orën 19:30 të ditës së djeshme. Në spital ka mbërritur rreth orës 20:15 me ambulancën e Bashkisë Divjakë. Kur ka mbërritur ambulanca, doktorët nuk kanë qenë të dy në vendin e shërbimit. Ndërkohë anestezisti nuk ka qenë fare në spital. Nipi im ka ndërruar jetë për mungesë të ndihmës së shpejtë dhe neglizhencës”, – thotë Mondi Laraku.
Ngjarja
Ngjarja në të cilën humbi jetën 25-vjeçari Ledion Sema ndodhi rreth orës 20:35 të së shtunës, në fshatin Mizë, Divjakë. I riu ishte duke lëvizur me një motoçikletë me shokun e tij M. M., 32 vjeç, banues në fshatin Kryekuq të Divjakës, ku ky i fundit ishte drejtuesi i mjetit. Motoçikleta u përplas nga një mjet tip “Benz”, me targa AA 634 BE, i cili drejtohej nga shtetasi me iniciale A. P., banues në fshatin Mizë, Divjakë. Si pasojë e aksidentit, dy të rinjtë mbetën të plagosur.
Dy djemtë u dërguan në Spitalin e Lushnjës, ku fatkeqësisht 25-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve që kishte marrë dhe ndërroi jetë. Fillimisht, drejtuesi i mjetit, 27-vjeçari A. P. u shoqërua në ambientet e komisariatit, e më pas iu komunikua edhe arrestimi. Ndërkaq, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti, ndërsa familjarët e viktimës akuzojnë mjekët se nuk i dhanë ndihmën e parë djalit të tyre.