Kamera e ‘’News24’’ u bë dëshmitare e vuajtjeve dhe shpresës për të jetuar të pacientëve me Covid- 19, të shtruar tek ‘Infektivi’. Mes tyre ishte edhe artistja e mirënjohur Justina Aliaj, e cila tha se gjendja e saj po përmirësohet.
Artistja e madhe u shpreh se nëse do mund ta fitonte betejën me Covid, s’kishte për ta harruar kurrë atë që mjekë e infermierë bënë për të.
“Jam më mirë se sa ditën e parë. Nuk jam e trembur. E dua shumë popullin tim. Me dash Zoti me m’lënë dua të them se këtu janë kujdesur jashtëzakonisht shumë për mua. Kam parë që kanë bërë një mrekulli për mua. Nuk do i harroj kurrë deri sa të vdes. Fillimisht u tregova e papjekur, mendova që jam me grip, pra e vonova ardhjen. Kur erdha isha gati sikur po hyja në një tunel. Kur erdha këtu isha në gjendje jo të mirë, e ndjej përmirësimin”,- thotë ajo mes lotësh.