OPINION

A e mbani mend Dushkun?

08:15 - 16.01.21 Jozefina Topalli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zgjedhjet shqiptare kanë hyrë në historinë botërore të zgjedhjeve për fenomenin e Dushkut. Sa herë në botë ndeshen praktika manipulimi zgjedhjesh në formën e transferimit të votave dhe të rezultatit nga një parti te një tjetër, ekspertët botërorë i cilësojnë ato si “praktika Dushku”. Për fat të keq, në Shqipëri pakkush e përcjell Dushkun me shqetësim, me kritikë, me përbuzje apo me refuzim.




Në Shqipëri kemi pasur Dushk kur PS-ja regjistroi në zgjedhje “kandidatët e pavarur” dhe bëri fushatë për ta, sepse donte të thyente tavanin që i vinte ligji në shpërndarjen e mandateve dhe të rriste nëpërmjet tyre artificialisht prezencën në Kuvend. Në atë kohë praktika manipuluese u shkul me sponsorizimin e ndërkombëtarëve dhe me akt të KQZ-së, e cila deklaroi se mandatet e “kandidatëve të pavarur” do t’i përllogariteshin forcës politike që i mbështeste ata.

Dushk kemi pasur edhe kur PS “zgjodhi” të prishte zgjedhjet në zonën 60 në 2001-shin, me qëllim që gjatë përsëritjes t’i transferonte votat tek aleatët e vegjël dhe të rriste kështu artificialisht prezencën në parlament. Në atë kohë horrllëku u korrigjua nga Këshilli i Evropës, OSBE dhe BE, të cilët i ndaluan PS-së që të zgjidhte vetë Presidentin e Republikës.

Dushk ka qenë edhe transferimi i votave partiake nga partitë e mëdha te partitë e vogla në vitin 2005, me qëllim që koalicionet të rrisnin artificialisht prezencën në Parlament. Nga ky transferim, PR dhe PSD u shndërruar nga parti 0,5 për qindëshe, në parti “kombëtare” me grup parlamentar. Në këtë rast nuk pati ndëshkim ndërkombëtar, sepse palët e keqpërdorën njëlloj “Dushkun” dhe neutralizuan njëri-tjetrin.

Dushk është edhe fenomeni i futjes së kryetarëve të partive të vogla në listat e partive të mëdha, sikurse u bë nga PD-ja në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2017.
Edhe në këtë rast, vota e hedhur për PD-në dhe që çon në Kuvend Mediun, Dukën apo të tjerë është manipulim i vullnetit të zgjedhësve, është, për këtë shkak, transferim i kundërligjshëm i votës, prandaj është Dushk. Kjo formë manipulimi po deklarohet haptazi këto ditë nga të njëjtët aktorë, se do jetë në qendër të taktikës elektorale të opozitës.

PD-ja po lidh marrëveshje me aleatët e saj të vegjël. LSI-ja ka deklaruar se do të ndjekë të njëjtën taktikë. Të gjithë po deklarojnë se do fusin kandidatët e tyre në listat e partive të mëdha, se do konkurrojnë njëkohësisht edhe si koalicione, edhe me listat e tyre të pavarura, se do konkurrojnë vetë, por fushatën do ta bëjnë në favor të aleatit të madh etj. Të gjitha forma manipulimi që synojnë tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve. Opozita Bashalike nuk po shqetësohet aspak për Dushkun e vet. Këtë herë nuk po përbetohet për shenjtërinë e votës, nuk po i bëhet vonë, se po zbulohet si manipulatore.

Dushku opozitar është po aq i dëmshëm sa Dushku qeveritar, po aq i kundërligjshëm, po aq i dënueshëm.

Pyetja që bëj unë në këtë rast është:

Pse Edi Rama nuk po reagon ndaj këtij manipulimi ende në tentativë?
Pse KQZ-ja nuk e ndal të keqen, kur ajo është ende në embrion?
Pse nuk vepron siç veproi dikur me “kandidatët e pavarur”, t’i ndalojë kandidimet në listat e partive të tjera? KQZ duhet të ndalojë kandidimet në listat e partive të tjera, kandidimin selektiv apo kandidimin e dyfishtë.
Pse KQZ-ja nuk del në mbrojtje të votuesve, pse nuk kujdeset për qartësinë dhe drejtësinë e votimit?
KQZ-ja ka detyrë ligjore të përcaktojë kufijtë e lejuar të marrëveshjeve elektorale, përpara se ato të bëhen realitet, përpara se të dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme interesat e zgjedhësve, përpara se të zyrtarizojnë Dushkun.
Apo KQZ-ja zgjedhësit dhe ligjin i mbron vetëm me urdhër?

A nuk ju kam thënë se të tre janë bashkë!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.