![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
E ardhmja e Sokol Cikalleshit do të vazhdojë të jetë Turqia, ku ai është kthyer në një emër shumë të kërkuar nga klubet e këtij kampionati. Futbollisti ka treguar vlerat e tij në 6 muajt e fundit i huazuar te Akhisar duke shtyrë klubin turk që të kërkojë blerjen e tij përfundimtare nga Bashakshehir.
Por ndërkohë, në skenë ka dalë edhe një tjetër skuadër turke e cila është gati të blejë kartonin e futbollistit shqiptar. Mediat turke bëjnë me dije se Cikalleshi i intereson klubit të Bursaspor, i cili mbijetoi me vështirësi në elitën e futbollit në këtë vend vetëm falë një fitoreje në javën e fundit të kampionatit.
Portali “bursahakimiyet.com.tr” bën të ditur se klubi i qytetit të Bursa është gati të paguajë vlerën e kartonit të Cikalleshit, që tashmë vlerësohet 2 milionë e 250 mijë euro. Bashakshehir tundohet nga kjo ofertë edhe për faktin se sulmuesi shqiptar ka edhe një vit të vetëm të mbetur në kontratën e tij me klubin e qytetit të Stambollit ndaj për të mos rrezikuar që ta humbasin me parametër zero, kryeqytetasit do të kërkojnë të përfitojnë diçka financiarisht nga ai.