Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, përmes një letre të hapur ju përgjigj shqetësimit të Petrit Vasilit për rolin e ONM-së në Shqipëri. Në këtë letër, Calavera shprehej që bordi ndërkombëtar do të ketë vetëm rol monitorues në procesin e vetingut. “Të gjitha vendimet do i përkasin institucioneve”, tha ajo duke nënkuptuar Kuvendin e Shqipërisë.
Por, kjo përgjigje duket se e ka lënë të pakënaqur ministrin e Drejtësisë, i cili brenda ditës i ka çuar një letër Romana Vlahutinit ku kërkon sqarime të mëtejshme.
“Duhet qartësuar në mënyrë shteruese nëse komunikimi do të mbahet ndërmjet PMU-së (Project Menagment Unit), e cila paraqet në vetëvehte realisht një strukturë gjithpërfshirëse apo OMN-së, e cila ka një parashikim kushtetues të mirëpërcaktuar. Është shumë e domosdoshme që të përpilohet Rregullorja e Funksionimit të PMU-së. Ajo duhet të përshkruajë qartë: mënyrën e komunikimit të PMU-së me institucionet shqiptare….Rregullat e pajisjes së tyre me Certifikatat përkatëse të Sigurisë, që ju mundësojnë shqyrtimin e dokumenteve të caktuara shtetërore…”, thotë Vasili në letrën drejtuar Vlahutinit.
“Beteja” e letrave duket se do të vazhdojë, ndërkohë që ngritja e komisioneve të ‘vetingut’ është në ngërç për shkak të bojkotit të Kuvendit nga opozita.
Me miratimin e ligjeve të reformës në drejtësi, pjesë e së cilës është edhe “vetingu”, tensioni politik është rritur në vend dhe kritikat ndaj BE-së gjithashtu. Pak ditë më parë, qeveria vendosi rritjen e nivelit të sigurisë fizike për ambasadoren Vlahutin dhe familjen e saj.
Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.