Kryesore

Çmimi i një litër vaji arriti deri në 409 lekë, si u shtrenjtua në të njëjtën ditë me karburantet

07:43 - 19.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas kompanive të karburanteve në hetim janë vënë edhe kompanitë që tregtojnë vaj.




Kjo për shkak të rritjes abuzive të çmimeve me gati 40 për qind që është konstatuar përgjatë periudhës një javore që këto ndërmarrje ishin nën monitorim.

HETIMI

Kështu, prej fillimit të kësaj jave çmimi i një litri nga 240 lekë që tregtohej, ka shkuar në 409 lekë. Përmes një skeme të ngjashme me atë që aplikuan kompanitë e karburanteve, edhe kompanitë e tregtimit të vajit shtrenjtuan çmimin në të njëjtën ditë.

Një gjë e tillë vihet në dukje edhe Autoriteti i Konkurrencës ku bëhet e ditur po ashtu se hetimi do të përfshijë periudhën kohore nga 20 maj 2021 deri në 18 mars 2022.

“Autoriteti i Konkurrencës, me Vendimin nr.870 ka vendosur sot për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve AGRO BLEND SH.P.K., BOMIRA SH.P.K., ‘Devi 20-GRUP’ SH.P.K., ‘Eqerem -934’ SH.P.K., FERRA&CO SH.P.K., GLOBCOM SH.P.K., ‘Kriket-1’ SH.P.K., TEUTA DURRES SH.P.K dhe PDF SH.P.K., në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal. Rritja në të njëjtën kohë për periudhën janar- mars 2022 e çmimit të shitjes së vajit vegjetal mund të bjerë në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’, i ndryshuar, në kuptim të një marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar të këtyre ndërmarrjeve”, thuhet në njoftim.

ÇMIMET

Ajo çka vlen të theksohet është fakti që përgjatë këtij muaji, sipas të dhënave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, çmimi i importit të vajit është rritur 7.5 për qind në raport me muajin shkurt, por kjo nuk justifikon thuajse dyfishimin e vlerës që ky produkt ka njohur përgjatë ditëve të fundit.

“Çmimi mesatar mujor i importit në muajin janar 2022 ka qenë në vlerën 199.23 lekë/litri dhe në mars 2022 është rritur në vlerën 208.54 lekë/litri. Çmimi i vajit vegjetal rezulton se është rritur gati me 7.5% nga muaji shkurt 2022.Gjatë monitorimit në tregun e shumicës të vajit vegjetal pranë ndërmarrjeve AGRO BLEND SH.P.K., dhe FERRA&CO SH.P.K., është konstatuar së çmimet për produktin e vajit vegjetal kanë pasur rritje gjatë vitit 2022. Gjatë monitorimit të tregut të pakicës për vajin vegjetal rezulton se për markat ‘Gold (Teuta)’, ‘Diamond (Agro Blend)’, ‘King (Ferra&CO)’, ‘Floriol (Devi20 Grup)’ çmimi gjatë periudhës shkurt – mars ka pasur trend rritës. Konkretisht, vaji ‘Gold’ shitet me 329 lekë me TVSH, ‘Diamond’ me 335 lekë me TVSH, ‘King’ me 315 lekë me TVSH dhe ‘Floriol’ me 319 lekë me TVSH”, theksohet më tej në njoftim.

Sipas Konkurrencës, ndërmarrja që ka pjesën më të madhe të tregut të prodhimit/ambalazhimit për periudhën 1 tetor 2020 – 20 maj 2021 është ndërmarrja PDF SH.P.K., me 38% të tregut.

“Bomira” zotëron 33% të tregut të vajit vegjetal dhe më pas Kriket-1 me 21% të tregut. Të gjitha ndërmarrjet e tjera zotërojnë 3% ose më pak duke pasur një total prej 8% të gjitha së bashku.

Nisja e hetimit u parapri nga një monitorim disa ditor që u bë për kompanitë që tregtojnë vaj, miell, oriz, sheqer dhe vezë. Në njoftimin e datës 11 mars, Konkurrenca bënte me dije se “nga informacionet e shqetësimet e marra nga media për rritjen e menjëhershme të çmimeve për produktet e shportës, nëpërmjet Urdhrit nr.190, datë 11.03.2022, dhe Urdhrit nr.192, datë 11.03.2022, ka vendosur menjëherë nën monitorim subjektet të cilat operojnë në tregun e produkteve vaj vegjetal, miell, vezë, oriz dhe sheqer”. Ndërsa një ditë më parë është bërë e ditur edhe nisja e hetimeve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.