Kryesore

“Ka çrregullim nga një sëmundje e rëndë mendore”/ Kush është “maniaku” që rreh me grushte vajzat në Tiranë

12:21 - 28.03.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Denis Teloja, i njohur si “Denisi i tmerrshëm”, është personi që rrahu me grushte dy motrat në Tiranë. Nga të dhënat e mbledhura rast pas rasti, ky person është denoncuar me dhjetëra herë në Polici. Ndaj tij janë të regjistruar plot 8 dosje të tjera të ngjashme me sulmin brutal ndaj dy motrave Ruko.




Askush nuk e di se përse nuk është mbajtur në qeli apo i izoluar, ai person, por saktësohet se edhe para pak ditësh, emri tij është denoncuar sërish në Polici për dhunë në rrugë. Akti i tij duke sulmuar femrat në rrugë u bë viral në rrjetet sociale, pasi njihej edhe nga Policia si dhunues përsëritës i vajzave në rrugët e Tiranës. Ai është vënë në pranga edhe 1 vit më parë, pikërisht për të njëjtat akuza dhe sërish është lënë i lirë.

Denis Telo mësohet se është dhunues përsëritës. Në Polici për të gjenden 8 kallëzime për të njëjtën vepër me kalimtare të tjera, por pas denoncimit të dy aktivisteve të Organizatës Politike dhe organizimit të një proteste përpara Drejtorisë së Policisë, 30-vjeçari u vu në pranga nga forcat e Komisariatit nr. 3 në Tiranë.

“Ne vajzat dhe gratë e kemi lirinë për të ecur në qytet, por atë liri na e kanë marrë institucione si Prokuroria, Policia dhe gjykatat. Pse lirohet Denisi? Pse na marrin lirinë”, u shpreh Mirela.

Ajo ka bërë publike edhe momentet kur janë gjendur në breshërinë e grushteve të djalit që bën edhe palestër për të sulmuar femra.

Ajo ka sqaruar se bashkë me motrën e vet sapo kishin dalë nga shtëpia dhe ishin nisur në drejtim të tregut të fruta-perimeve në lagjen e tyre. Sapo kanë kaluar rrugën, i riu i ka sulmuar brutalisht. Fillimisht, ai i ka sulmuar me shpatull për të krijuar idenë se është penguar dhe më pas i ka sharë dhe ka nisur t’i gjuajë të dyja vajzat në pjesën e kokës. Për fat kanë qenë bashkë dhe menjëherë janë afruar edhe persona të tjerë për t’i ndihmuar vajzat. Mirela ka thënë se e ka telefonuar disa herë Policinë po nuk ka mundur të lidhet me ta për t’i shpëtuar agresorit të palestruar!

Rrahja e vajzave në Tiranë

Albina dhe Mirela Ruko ishin dy vajzat e radhës që kanë pre e dhunës së Denisit, i riu 30-vjeçar që ishte kthyer në tmerr për të rejat në kryeqytet duke i sulmuar fizikisht pa asnjë shkak në mes të rrugës.

Mësohet se ai ka dalë nga palestra dhe i ka sulmuar qytetaret teksa ato, dy motra, kishin dalë të bënin pazarin. Ngjarja e rëndë është arkivuar nga kalimtarët e rastit, ndërkohë që janë përpjekur edhe të tjerë të neutralizojnë personin, i cili i sulmonte dy motrat nga koka. Më pas, u bë me dije se dy vajzat e sulmuara ishin Mirela dhe Albina Ruko, të cilat nuk janë të panjohura për opinionin publik për shkak të angazhimit të tyre qytetar.

Pas ngjarjes, vetë vajzat kanë bërë një reagim në rrjetet sociale duke denoncuar dhunën ndërsa thonë se pasi janë sulmuar për herë të parë, janë drejtuar për në komisariat për të denoncuar por i riu u ka bërë pritë për herë të dytë.

“Sot rreth orës 13:00, një person i panjohur më sulmoi pa arsye mua dhe motrën time. Ne dolëm për të bërë pazar dhe përfunduam të dhunuara në mes të ditës, në një nga rrugët më të frekuentuara në kryeqytet. Institucionet ligjzbatuese e kanë lënë të lirë, ka të paktën 8 kallëzime për dhunë ndaj vajzave”

Organizata Politike ka postuar fotot e dëmtimeve që u janë shkaktuar në fytyrë për shkak të dhunës dhe foton e Denisit 30-vjeçar.

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Organizata shkroi të shtunën se “keqbërësi, i quajtur Denis, është një personazh famëkeq, i njohur edhe nga policia si dhunues përsëritës i vajzave në rrugët e Tiranës”.

Rrëfimi i Mirela Rukos pas ngjarjes

Mirela Ruko, vajza e cila u dhunua pak ditë më parë nga 30 vjeçari Denis Telo, ka dhënë një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” se si ndodhi ngjarja.

Ajo tregoi se kishte dalë bashkë me të motrën për pazar, kur ishte sulmuar nga 30-vjeçari, për të cilin tha se nuk e njihte më parë.

“Nuk mund ta besoja se më ndodhi mua. Isha duke bërë pazaret kur dikush goditi Albinën. E ka hedhur përtokë dhe pas këtij momenti, na u vërsul me grushta derisa ndërhynë qytetarët. Më pas, kur u drejtuam drejt komisariatit, jemi sulmuar për të dytën herë nga ky person që na bëri pritë. Ajo që na bën më shumë habi është se nuk e njihnim pavarësisht se kalonte në rrugicën e lagjes time çdo ditë. Kishte dhe 8 kallëzime të tjera, një numër i lartë që policia ta lërë në gjendje të lirë.”, tregoi Mirela duke paralajmëruar një padi ndaj Denisit dhe institucioneve që nuk kanë vepruar ndaj tij”, është shprehur Mirela ndër të tjera.

Protesta para drejtorisë së Policisë së Tiranës 

Pas sulmit fizik me grushte ndaj dy të rejave Albina dhe Mirela Ruko, një grup qytetarësh janë mbledhur sot në protestë para drejtorisë së Policisë së Tiranës në mbështetje të viktimave.

Sipas informacioneve nga terreni, ato po ecnin në trotuar në rrugën e Bogdanëve ku u qëlluan me grushte nga një i ri 30-vjeç me emrin Denis. Kjo ishte një ngjarje e përsëritur në rrugët e Tiranës, pasi Denisi ishte përfshirë edhe herë të tjera në sulme të tilla ndaj vajzave.

Motrat Ruko mbajtën një fjalë para gazetarëve ku thanë se edhe pse kishte 8 kallëzime penale ndaj tij, Denisi vazhdimisht ishte lënë i lirë. Ato kërkojnë të bëhet një hetim për të mësuar se kush e ka liruar Denisin pavarësisht precedentit të rrezikshëm që ai kishte.

Çfarë thotë eksperti i Kriminologjisë, Ervin Karamuço për agresorin

“Ky ka një çrregullim që vjen nga një sëmundje e rëndë mendore”, është shprehur eksperti i Kriminologjisë Ervin Karamuço në lidhje më Denis Telon.

Gjatë një interviste në MCN, Karamuço tha se Telo ka një çrregullim që vjen nga një sëmundje e rëndë mendore dhe se ai duhet të shtrohet në një spital psikiatrik, ku mund të marrë trajtimin e nevojshëm.

“Skandal! Në këtë rast ka rënë shteti, gjithë sistemi i drejtësisë, gjithë ajo reformë e madhe. Gjithë sistemi i alertit ka rënë. Ky ka një çrregullim që vjen nga një sëmundje e rëndë mendore. Ky duhet të ishte kyçur në spital psikiatrik. Nuk mund t’i them dot burracak, sepse ky është i sëmurë. Ne kemi të sëmurë gjithë sistemin, prokurorinë dhe gjykatësit.

Më vjen keq për taksapguesit shqiptarë dhe amerikanë që kanë paguar për reformën në drejtësi. Policia, 96 orë ka përgjegjësi, pastaj janë gjykata, prokuroria. Janë të ndara. Prokuroria mbyll sytë, gjykata thotë dil ca kohë. Duhet shtrim i detyruar në spital psikiatrik. Ka nevojë për trajtim psikiatrik. Policia ka fajin e saj, sepse duhet të sensibilizojë opinionin publik që në Tiranë ka 10 të çmendur, ruajuni. Duke rënë sistemi nxitet vetgjyqësia”, ka deklaruar Karamuço.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.