Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka lëshuar një deklaratë për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri, duke theksuar se procesi për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit është një fasadë dhe se Kryeministri Edi Rama e ka caktuar figurën që do të ulet në atë karrige.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, thuhet se grupi i PD-së do të mbetet i angazhuar në vullnetin e tij për një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual.
Sërish, grupi i PD-së thotë se mazhoranca shkeli marrëveshjen e bërë për përzgjedhjen e Presidentit, teksa i akuzon se Edi Rama ka kapur me votat e non-gratave të tij në Kuvend, çdo institucion të pavarur.
Deklaratë e Grupit Parlamentar të PD
Sipas frymës së Kushtetutës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u angazhua seriozisht në ndërtimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual për përzgjedhje e Presidentit të Republikës. Kur morëm vendimin për ndërtimin e një procesi gjithëpërfshirës ishim të ndërgjegjshëm që regjimi i Edi Ramës kishte paracaktuar emrin e Presidentit dhe se qëndrimi i tij publik se dëshiron një President konsensual me opozitën ishte fasadë dhe mashtrim.
Detyrimi ndaj qytetarëve kërkonte që opozita të përmbushte përgjegjësinë e saj me seriozitet dhe përkushtim me qëllim që Presidenti i ardhshëm të jetë Presidenti i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ky nuk ishte vullneti i Edi Ramës, njëriut që pasi vjedh zgjedhjet, kap me votat e nongratave të tij në Kuvend çdo institucion të pavarur.
Tërheqja e Partisë Socialiste nga marrëveshja për ndërtimin e një procesi të përbashkët parlamentar për zgjedhjen e Presidentit, provoi atë që Grupi Parlamentar i PD paralajmëroi që në nisje, që Edi Rama nuk don një President të gjithë shqiptarëve dhe përbetimet e tij publike për konsensus me opozitën janë një mashtrim.
Grupi Parlamentar i PD mbetet i angazhuar në vullnetin e tij për nje proces gjithëpërfshirës dhe konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Shqiptarët meritojnë një President të gjithëpranuar, që i shërben interesit publik dhe jo interesit të pushtetit të Edi Ramës.