Bashkim Fino nuk heq dorë nga “dashuria e vjetër”
– Deputeti socialist, Bashkim Fino sapo është rikthyer në punimet e Kuvendit, pas një periudhe të gjatë “lufte” me sëmundjen. Ndoshta shumë gjëra në përditshmërinë e Finos kanë ndryshuar, por ai nuk ka mundur të lerë “dashurinë e vjetër” të tij, puron. Ndërsa shikon së bashku me kolegët e tij të PDIU-së dhe PS-së, fotot e bëra nga fotografi i vjetër AGIM RAMA, Fino nuk heq nga buza puron, një karakteristikë e pamjes së tij të përhershme.
Përqafimi “i ngrohtë” mes Lulzim Bashës dhe Kreshnik Spahiut
Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu i është bashkuar qysh ditën e parë protestës së opozitës dhe Lulzim Bashës. Pikërisht në datën 26 shkurt atij i ndodhi një incident. Një person e goditi atë me grusht, pse Spahiu kishte sharë Ramën. Në këtë foto, shkrepur një ditë pas incidentit, Spahiu duket se ka marrë mbështetjen e kreut të PD-së Lulzim Basha. Të dy janë përqafuar në çadrën e protestës, ku vazhdojnë të qëndrojnë mbështetësit e opozitës, prej ditësh.
Seanca parlamentare, porositë e Ilir Metës për Vali Leskajn
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe nënkryetarët e tij kuptohen shumë mirë me njëri-tjetrin. Ndoshta ngaqë Ilir Meta ka përqafuar me kohë motivin e tij “Me qetësi e dashuri”. Në këtë foto, Meta duket se është i detyruar të largohet nga seanca dhe i ka deleguar kompetencat e drejtimit të seancës së të enjtes te nënkryetarja socialiste e parlamentit, Valentina Leskaj. Çfarë porosish po i jep ai, znj.Leskaj, këtë vetëm mund ta mendojmë, por me siguri ka të bëjë me ligjet që diskutohen.
Gratë e PS-së “i zënë frymën” Erjon Braçes
Erjon Braçe është ndër kryetarët e Komisionit të Ekonomisë ndër vite që vë rregull të fortë në mbledhjet e tij. Të gjithë e thonë që në mbledhjet e Braçes “s’ka shaka dhe as vonesa”. Mirëpo, në këtë foto, dy nga deputetet socialiste, Evis Kushi dhe Antoneta Dhima diçka po i thonë dhe duket se po i kërkojnë llogari, kreut të komisionit ku ato bëjnë pjesë. Vetë Braçe duket që po sqaron me shumë qetësi, dy deputetet.