![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
XHENSILA KODRA
Biznesmenit Dashamir Gjoka, nga Durrësi, iu konfiskua një pjesë e pasurisë së paluajtshme, pasi ka dyshime se i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali. Vendimi u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pas kërkesës së organit të akuzës. Ai është pjesë e një hetimi pasuror nga “Antimafia”, ndërsa Gjykata e Apelit e Milanos, Itali, e ka dënuar biznesmenin Dashamir Gjoka me 10 vjet dhe 6 muaj burgim për shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim personash. “Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të shtetasit Dashamir Gjoka nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur në vlerën rreth 200.000.000 lekë (të reja).
DOSJA E PROKURORISË
Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se: Me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Trafikimi i personave”, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/a të Kodit Penal, duke qenë në këtë mënyrë subjekt i masave parandaluese pasurore të ligjit nr.10192, datë 03.12.-2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ligji “Antimafia”). Në përfundim të gjy-kimit të kërkesës me objekt konfiskimin e pasurive në zotërim të personit të mësipërm, Gjykata së Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi konfiskimin e pasurive të paluajtshme, si: Pasuria me sipërfaqe 6949 m² truall dhe 2012.17 m² ndërtesë, kompleks shërbimesh “Gjoka”, ndodhur në Durrës; pasuria me sipërfaqe 4639 m² arë, ndodhur në Durrës; pasuria me sipërfaqe 1247 m² truall dhe 230 m² + 710 m² ndërtesë, ndodhur në Durrës; pasuria me sipërfaqe 928 m² truall dhe 229 m² ndërtesë dy kate, ndodhur në Durrës; shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj. Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur në vlerën prej rreth 200.000.000 lekësh (të reja). Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të shtetasit Dashamir Gjoka nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij.