Kryesore

Vetëvarja e nënës me 2 fëmijë, i ati: I shoqi e rrihte, nuk pa një ditë të bardhë

08:11 - 07.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Lediona XHELADINAJ

 

POGRADEC – “Vajza u vetëvar për shkak të dhunës sistematike të së shoqit. Ne kërkojmë që shteti të zbardhë ngjarjen. Kërko-jmë që të veprojë drejtësia”. Kështu deklaroi dje Gëzim Sulçe, babai i Egla Sulçes, e cila para një muaji i dha fund jetës së saj. 35-vjeçarja (nënë e dy fëmijëve) u gjet e vetëvarur në një ndërtesë të vjetër në fshatin Memelisht të Pogradecit, por duket se pas aktit fatal fshihet një histori e rëndë dhune. Në një intervistë për “GSH”, babai i viktimës tregon dramën e saj.

Zoti Gëzim si e mësuat lajmin për vdekjen e vajzës suaj?

Na mori dhëndri në telefon dhe na tha nisuni urgjent sepse Egla është e sëmurë. Shtanga, sepse në mbrëmje ne kishim folur me të dhe ajo ishte mirë. Na tha se kishte pasur një grindje me të shoqin, por pas bisedës u qetësua. Menduam se nuk ishte mirë, ngaqë i ishte prishur terezia. Sapo shkuam në shtëpi, doli dhëndri i cili na tha se Egla ndërroi jetë. Ishte e tmerrshme, nuk e mbaj mend çfarë kam bërë në ato momente.

Çfarë ndodhi më pas?

Kërkova vajzën ta shihja, por më thanë se ishte në morg. Ndërsa dikush më tregoi se ime bijë ishte vetëvarur.

Me kë jetonte vajza juaj?

Me burrin, fëmijët (vajzë e djalë) dhe vjehrrin e vjehrrën. Kishte 16 vite e martuar, por nuk pa një ditë të bardhë në atë derë.

Kishte probleme në familje?

Po, kishte shumë probleme. Vajza ime ishte divorcuar nga burri i saj, Ilir Corbaxhi. Ajo jetoi 3 vite e ndarë dhe pastaj u ribashkua me të për hatër të fëmijëve. Prej momentit kur u martua, ajo është dhunuar, por vitet e para ne nuk dinim gjë. Para 5 vitesh vajza na tregoi tmerret që kalonte, ishte e rrahur e dhunuar, kishte shenja në të gjithë trupin. Në atë kohë ajo vendosi të divorcohej dhe ne e përkrahëm. I kemi ende fotot e saj me shenja dhune. Jetoi 3 vite e ndarë. Ne ishim në emigracion, por Egla kishte mbështetjen tonë dhe të vëllait të saj.

Pse u kthye vajza juaj tek bashkëshorti?

Vajza u kthye sërish tek i shoqi për shkak të fëmijëve. Kur u divorcua, fëmijët i mbajti i shoqi, sepse ajo nuk kishte asnjë të ardhur, ndërsa ai punonte tek IEVP Drenovë. Nuk duroi dot pa fëmijët dhe Iliri i premtoi që do ndryshonte, që do e trajtonte mirë.

Si vazhdoi jeta e saj pas kthimit në familje?

Njësoj vazhdoi, por ajo përpiqej të mos na tregonte, nuk donte të na shqetësonte.

Çfarë kërkoni tani?

Ne duam drejtësi. Vajza i dha fund jetës për shkak dhunës sistematike së të shoqit. Ne nuk e pranuam atë në varrim dhe ai nuk solli as fëmijët që t’i hidhnin një dorë dhe së ëmës. Shteti të zbardhë të vërtetën e kësaj ngjarjeje.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.