DOSSIER

“Njeriu i Sigurimit, ‘Sinjor Antonio’ drejtonte kontrabandën e cigareve me mafien italiane, e cila kryhej nga reparti që komandoja unë…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të Ministrisë Brendshme

07:47 - 11.04.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dashnor Kaloçi




Pjesa e katër

Rrëfimi i Halil Rrahmanit, ish-ushtarakut të Batalionit të Sigurimit: “Pasi anija ‘Miami’ ua shiste cigaret mafies italiane në ujërat neutrale, ajo kthehej te ne në ‘Kalatën Zero’, ku dorëzonte pagesat në dollarë, te tre personat, që ishin…”!

Memorie.al / “Duke pasur parasysh se faktin se, unë kam shërbyer vetë te Burgu Tiranës, (‘Reparti 313’), si oficer roje, për gjatë gjithë periudhës më shumë se një vjeçare (1982-‘83) që zhvillohej procesi hetimor dhe gjyqësor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, e them me bindje se, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, nuk ka treguar të vërtetën. Ai ka dashur të shfajësoj veten me atë që ka thënë, pasi, gjatë gjithë asaj periudhe kohe që ne kemi qenë prezent aty, dëgjonim ulërima nga të dënuarit, gjë e cila kuptohej lehtë se vinte nga dhuna e torturat që ushtrohej ndaj tyre. Po kështu, nga kolegë të mi oficerë apo dhe ushtarë të ndryshëm që kanë bërë shërbim brenda dhe jashtë burgut në atë kohë, kam dëgjuar se, pasi mbaroi gjyqi ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut” (që u zhvillua brenda ambienteve të atij burgu), një ditë pas dhënies së dënimeve me vdekje, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit, nga qelitë e tyre, janë dëgjuar klithma, thirrje dhe ulërima, si p.sh.: “O Enver Hoxha ndihmë, na e fal jetën”, “O Hekuran Isai, ndihmë, na falni jetën, mos na pushkatoni”, etj., të kësaj natyre. Po kështu, në dijeninë time, Kadri Hazbiun e kanë nxjerrë të vdekur nga burgu i Tiranës natën e 9 shtatorit të vitit 1983 dhe kufomën e tij, e kanë dërguar më pas te objekti “Komiteti Ekzekutiv” në Linzë, ngjitur me Batalionin e Sigurimit, ku ishin tunelet sekrete që u pushkatuan Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini, po në atë vend ku vite më parë, ishte pushkatuar edhe Beqir Balluku me Petrit Dumen e Hito Çakon”.

 

Zoti Rrahmani, kompania apo firma që sillte ngarkesat me cigare në Hanin e Hotit, kujt shteti i përkiste, me kë kishte kontraktuar shteti shqiptar për importin e cigareve?

Automjetet e mëdha të ngarkuara me cigare, (ku secila prej tyre merrte deri në 1.400 koli), vinin kryesisht nga Zvicra e cila kishte monopolin e cigareve, që importoheshin nga SHBA-ja, si distributor, për gjithë Europën. Nga Zvicra, në rrugë tokësore, ata kalonin nëpërmjet territorit Austrisë dhe ish Jugosllavisë, për të mbërritur në pikën Kufitare të Kalim Kontrollit në Doganën e Hanit të Hotit. Kompania që kishte kontraktuar shteti shqiptar për importin e cigareve dhe i sillte ato këtu, ishte një kompani zvicerane,  shoferët e automjeteve, ishin nga shtete të ndryshme, si hollandezë, turq, gjermanë, austriakë, etj.

Pronari i kompanisë ishte zviceran, një burrë në moshë, i sjellshëm dhe i komunikueshëm me ne. Kemi ndenjur shpesh herë me të, për dreka e darka, te Inter-klubi apo në ndonjë lokal tjetër te hotelet në zonën e plazhit të Durrësit, (atë e shoqëronte një përkthyes shqiptar i frëngjishtes). Disa nga automjetet me të cilat ai sillte cigaret këtu, ishin kamion-frigorifer dhe në kthim, ai i ngarkonte me domate apo zarzavate të tjera, më parë kishte nënshkruar kontrata me autoritetet tonat. Gjatë kohës që e shoqëronim, ai për vete pinte duhan me llullë, kurse neve na bënte dhurata, disa paketa cigare nga ato që sillnin këtu.

Të kujt shteti ishin anijet që i merrnin ngarkesat me cigare?

Anijet që vinin për t’i marrë ato në Portin e Durrësit, në “Kalatën Zero”, ishin të gjitha me flamur grek dhe ekuipazh grek. Përveç atyre, vinte edhe një anije e vogël me vela, që ishte spanjolle dhe kishte vetëm dy drejtues në bordin e saj, ata vinin çdo të tre muaj për të marrë ngarkesën e radhës me cigare. Vinin me anije me vela, jo se nuk kishin skafe, por kamufloheshin, gjoja si anije turistike, për të mos u kapur nga rojet bregdetare italiane, për kontrabandën që bënin.

Kush e mbikëqyrte ngarkimin e këtyre anijeve në “Kalatën Zero”?

Vetëm unë dhe asnjë tjetër. Gjatë gjithë kohës që bëhej ngarkimi i anijeve apo dhe i velierës spanjolle, unë qëndroja aty, duke mbikëqyrur procesin e punës sonë, që kryhej pa problemin më të vogël.

Vinin skafe të tjera për t’u ngarkuar me cigare?

Përveç këtyre tre katër anijeve greke (ku njëra prej tyre e kishte emrin “Majemi”), dhe velierës spanjolle, gjatë gjithë atyre viteve, që kam shërbyer unë aty, nuk ka ardhur asnjë anije apo skaf për t’u ngarkuar me cigare.

Para viteve ’90-të, është folur në Durrës për një skaf të ngarkuar me cigare, që ka ngecur në rërë  në breg të detit, afër Bisht Pallës ?!

E di historinë e këtij skafi, ne kemi shkuar e kemi nxjerrë me një ekskavator dhe më pas e dërguam në Portin e Durrësit, ku u bë riparimi i tij dhe më pas erdhën dhe e morën pronarët e tyre italianë. Ky skaf dhe të tjera skafe të mafies italiane, (kryesisht napolitanë, puljezë, siçilianë, etj.), vinin deri në ujërat neutrale, dhe aty ato ngarkoheshin me kolitë e cigareve nga anijet greke, që kishim ngarkuar ne, të cilat ua shisnin atyre me para në dorë.

Më pas skafet italiane, ktheheshin për në brigjet e vendit të tyre, duke i futur ato kontrabandë nëpër vende të fshehta për të mos i kapur Guarda di Finanza apo rojet bregdetare. Por, kishte plot raste që ato skafe, i ndiqte për t’i kapur, e shpesh herë ata për t’i shpëtuar ndjekjes, futeshin deri në ujërat tona, madje deri në breg të detit, siç ishte ai skafi që doli në Bisht Pallë.

Në korrik-gushti i vitit 1982, thuhet se rojet kufitare shqiptare, kanë vrarë një shtetas italian dhe një tjetër e kanë arrestuar, të cilët me skafin e tyre kishin ardhur deri në brigjet shqiptare, pikërisht për kontrabandën e cigareve, pse ndodhte kjo?!

Në atë kohë që ka ndodhur kjo ngjarje, unë akoma nuk kisha ardhur me shërbim në pikën e Durrësit, por vazhdoja në Batalionin e Sigurimit në Linzë, por më pas e kam dëgjuar edhe unë këtë ngjarje. Thuhej se, atë skaf me ata dy shtetasit italianë, e kishte ndjekur Guarda di Financa italiane se, ngaqë merreshin me kontrabandë cigaresh dhe për t’i shpëtuar ndjekjes së tyre, ata kanë munduar të futen në Gjirin e Vlorës, afër Karaburunit.

Rojet bregdetare shqiptare të Kufirit, duke mos pasur asnjë sinjalizim për ardhjen e tyre, kanë menduar se ishin shkelës kufiri dhe i kanë qëlluar, duke vrarë njërin prej tyre. Ngjarja vërtetë është e rëndë, por atëhere ashtu ishin rregullat e kufirit të shtetit shqiptar. Fatkeqësisht, ushtari të vriste dhe merrte shpërblim, madje edhe dekorohej nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për atë gjë që kishte bërë.

Anijet e mëdha greke, kishin të tilla probleme, i ndiqnin edhe ato?!

Ato nuk kishin probleme, ato e shisnin mallin, pra kolitë me cigare, që në ujërat neutrale ku nuk kishte të drejtë askush për t’i kapur dhe më pas, ato ktheheshin përsëri në Durrës, për të marrë ngarkesën tjetër, me para në dorë, (pagesa bëhej vetëm me dollar amerikanë), të gjithë pagesën për mallin që ne u kishim dhënë.

Kush i merrte dollarët dhe keni dijeni se sa ka qenë fitimi i shtetit shqiptar, nga ajo kontrabandë e cigareve?

Për të marrë pagesën tek ne, në “Kalatën Zero”, e cila ruhej me ushtarë të Pikës Kufitare të Kalim Kontrollit dhe ku s’afrohej dot njeri, vinin vazhdimisht tre persona, që ishin të autorizuar nga shteti. I pari ishte punonjës i Bankës së Shtetit Shqiptar, i dyti ishte i Doganës së Durrësit dhe tjetri përfaqësuesi i ALBTRANS-it.

Këta merrnin dollarët në valixhe dhe largoheshin me makinën e Ministrisë së Brendshme, të cilën nuk kishte të drejtë ta ndalonte askush. Madje as ne, nuk na ndalonte njeri në çdo ambient të Portit Detar, përkundrazi, na hapeshin të gjitha dyert dhe na nderonin të gjithë. Në dijeninë time që në atë kohë, shteti shqiptar, thuhej se fitonte mbi 12 milion dollar në vit nga kjo kontrabandë me cigare, e cila ka vazhduar nga viti 1965, deri në 1991-in.

Si mund të justifikohej, në sytë e popullit, që shikonte se si mbush bregdeti i Durrësit me paketa cigare të markave të huaja?!

Me sa di unë, në atë kohë, për ta fshehur atë gjë, autoritetet zyrtare hapën fjalë se; se një anije e huaj, kishte pësuar defekt dhe ishte batuar në ujërat italiane, duke i rënë pjesa më e madhe e ngarkesës me cigare në det. Por kjo gjë, ishte thjesht për konsum publik, pasi i gjithë Durrësi e dinte se si e qysh kishin rënë ato paketa me cigare në det.

ALBTRANS-in, thatë se ishte një ndërmarrje nën vartësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e krijuar enkas për kontrabandën e cigareve, kush e kish drejtuar më parë dhe ku ishin zyrat e saj?

ALBTRANS-i, që nga krijimi i saj e deri sa kam shërbyer unë pranë atij reparti, është drejtuar nga disa drejtorë, të gjithë ushtarakë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por të veshur civilë. I pari që e ka drejtuar ka qenë Tahir Malo, pas tij kanë qenë Qazim Myftiu, Lorenc Nënshati dhe Mëno Dedaj që ishte dhe i fundit, që shërbeu në atë detyrë. Po kështu, si vartës të tyre, në kohë të ndryshme, kanë shërbyer edhe Isa Lika, Josif Dede, Koço Eftimi dhe Naim Furxhiu. Fillimisht drejtoria e ALBTRANS-it ka qenë në godinën e Klubit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, e cila ka qenë aty deri në viti 1982, kur në krye të saj, u emërua Lorenc Nënshati.

Në vitin 1982, kohë në të cilën u intensifikua volumi i punës së asaj ndërmarrje, u rrit kontrabanda e cigareve, ajo drejtori, kaloi me zyra te një godinë në Rrugën “Fortuzi”. Kjo bëhej me qëllim që të ruhej sekreti shtetëror, duke qenë me zyra te Ministria e Punëve të Brendshme, ajo gjë komprometohej më shumë, sepse në zyrat e saj vinin shtetas të huaj, nga Italia, Zvicra, etj., që lidhnin kontrata, etj.

Shefat e ALBTRANS-it, vinin te reparti juaj në Durrës?

Ata vinin vazhdimisht, sepse ishin drejtuesit kryesorë të të gjithë asaj veprimtarie, që kryente reparti jonë, pasi në çdo kohë, ne ishim nën urdhrat e tyre, për atë punë që na ishte caktuar dhe ata kontrollonin zbatimin e detyrave dhe procesit të punës. Në periudhën që kam shërbyer unë aty, më shumë vinte Lorenc Nënshati, Rrapo Damo, Nikolla Shkurti, që ishte komandanti i Komandaturës në Ministrinë e Punëve të Brendshme etj.

Pse reparti juaj ishte caktuar aty vend-ndodhja dhe jo p.sh., brenda territorit të Portit Detar, ku ishte objekti i punës së efektivit ushtar e oficer, të repartit tuaj?

Në Kodrën e Rrashbullit, dikur ishte një repart me disa kapanone, depo dhe magazina të mëdha të Drejtorisë së Prapavijës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, që më pas u transferuan për në fshatin Mullet të Tiranës, repart i cili ka qenë edhe pas viteve ’90-të dhe njihet si ‘Reparti 100’ Mullet. Këto ambiente që mbetën bosh, në vitin 1970, kur u krijua Batalioni i Sigurimit në Linzë të Tiranës, i kaluan atij në varësi, duke u koduar ‘Reparti 100/1’. Mendoj se arsyeja kryesore që ai repart ishte dislokuar në atë vend, ishte për ruajtje të sekretit shtetëror.

Reparti ishte instaluar aty në Kodrën e Rrashbullit, për të qenë sa më larg, që njerëzit të mos shikonin gjithë ato automjete të mëdha që hynin e dilnin nga ai repart ushtarak, por edhe në një largësi jo të madhe nga Porti i Durrësit. Ishte gjetur ai vend, si një pikë strategjike që ishte larg qytetit, por dhe i siguruar e mbrojtur nga disa reparte të tjera ushtarake.

Deri kur keni shërbyer dhe vazhduar kontrabanda e cigareve nga ana e shtetit shqiptar, nëpërmjet këtij repartit?

Unë kam qenë në detyrë deri në vitin 1991, kur po ndërrohej sistemi politik në Shqipëri, gjë e cila bëri që qeveria e re që erdhi në pushtet, ta ndërpriste menjëherë kontrabandën e si rezultat, ai repart e humbi funksionin e tij dhe më pas ai territor u përdor për parkimin e ruajtjen e automjeteve private, që sekuestronte Policia e Shtetit. Por, kontrabanda e cigareve vazhdoi, kësaj here nga fqinjët tanë, Mali i Zi.

Kolegët tuaj oficerë dhe eprorët që kanë shërbyer në ‘Repartin 324’, i kujtoni?

Në vitet ’70-’80-të që kam qenë unë efektiv i atij reparti, përveç eprorëve që i përmenda pak më lart, si: Sali Lila, Todi Stroni, Shahin Halili dhe Baze Sharkaj, kujtoj mjaft nga kolegët e mi oficerë, si: Zigur Malaj, (shefi i Shtabit), Vangjel Ziu, (shefi i Stërvitjes së Batalionit), Perlat Elezi, (shefi i Kimisë), Venimanin Terziu, (shefi i Ndërlidhjes), Ilia Bllaci, (shefi i Xhenjos), Vito Prifti (instruktor i Stërvitjes) Sabri Hodo dhe Hasan Ramizi, (komisar e komandant të Kompanisë së III-të), Mina Sota dhe Razi Xhihani (komisar dhe komandant të Kompanisë së II-të), Engjëll Hysi dhe Iljaz Çeço, ish-futbollisti i njohur i “Dinamos” dhe Kombëtares (sekretar të Rinisë Batalionit) si dhe oficerët e tjerë, komandant togash, kolegë të mi, si: Ismet Brika, Hasan Ahmetaj, Maksim Nako, Odise Nako, Rifati Ibërshimi (futbollisti i “Dinamos”), Robert Korkuti, Riza Hazizi, Refat Ferhati, etj., deri te nënoficerët, Anastas Niçka, Asqeri Usha, Myfit Balili, Xhevdet Hala, etj. Këto detyra, këta i kanë pasur në atë periudhë kohe që kam shërbyer unë aty, pra nga fundi i viteve ’70-të dhe fillimi i viteve ’80-të, pasi më pas, shumë prej tyre u rritën në detyra dhe funksione të larta, në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si Zigur Malaj, Ismet Brika, Hasan Ahmetaj, Vito Prifti, etj. Pothuaj pjesën më të madhe të tyre, i kujtoj me shumë respekt. Po kështu në repartin tonë kemi pasur edhe disa ushtarë, që nga formimi dhe përgatitja, nuk dallonin nga ne oficerët, si: Jashar Koka, Leonard Moçka, Gëzim Kanani, Halim Basha, Ram Kërtoçi, të cilët në atë kohë vazhdonin studimet e larta me korrespondencë. Gjithashtu kujtoj edhe disa ushtarë sportist, si: shtangisti Aleksandër Kondo, mundësat Sandër Leka, Din Ahmataj, Rexhep Hyseni, Astrit Pura, pingpongistët Enver Përmeza, Tonin Binoshi, volejbollisti Albert Ivanaj.

Zoti Rrahmani, ju falënderojmë për këtë intervistë të gjatë dhe për gjithçka sollët për lexuesit tanë.

Edhe unë ju falënderoj ju, pasi e ndjeva për detyrim, për t’i thënë këto gjëra publikisht, për aq sa dija dhe sa kam parë, gjatë gjithë karrierës sime mbi 20 vjeçare në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.