Shëndetësia, mjekët nuk po prishin grevën
Tiranë – Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar dje se mjekët e spitalit të Vlorës do të jenë gjithnjë në gatishmëri për të ndihmuar grevistët dhe ka kundërshtuar akuzat se personeli mjekësor po ndikon në “uljen e efektivitetit te grevës”. Në një njoftim të saj për shtypin duke iu referuar fakseve të marra nga studentët grevistë institucioni i lartë i Shëndetësisë ka konfirmuar angazhimin e saj për jetën dhe kujdesin e të ngujuarve. “Do të ishte e paimagjinueshme dhe e pafalshme për çdo mjek që të linte pa trajtimin e duhur studentët grevistë kur atyre iu rrezikohet jeta, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë. Për rastet e dërguara në spital përfaqësuesit e Shëndetësisë kanë theksuar se “terapia intensive përfshirë dhe hidratimin intravenoz dhe ndjekjen e ekuilibrit elektrolitik mund të kryhet vetëm në kushte spitalore” duke rrëzuar kështu akuzat që ishin lëshuar ndaj mjekëve se ata po ulnin efektivitetin e grevës me shtrime të shumta në spital.