Kronikë

Arratia e tij mori fund dy ditë më parë, GJKKO merr vendimin për kreun e bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj

12:54 - 01.07.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Astrit Avdylajn, i cili u arrestua dy ditë më parë (29 Qershor)  gjatë një operacioni që forcat speciale morën në vilën e tij në Shijak të Durrësit.




Në momentin e vendosjen në pranga Astrit Avdyli ndodhej në shtëpinë e tij në Shijak si edhe iu është gjetur një armë zjarri tip pistoletë. Astrit Avdyli ishte në kërkim në kuadër të megaoperacionit të SPAK ku u lëshuan 50 urdhër arreste.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme lëshoi 50 urdhër arreste për persona të dyshuar si pjesë e 7 bandave kriminale, nga të cilat 14 u ekzekutuan në Shqipëri, dhe 6 të tjera në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë. Operacioni “Revanshi” u zhvillua në datat 17 dhe 18 maj dhe një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhër arrestet, ndodhen prej kohësh jashtë vendit.

Në listën e personave që janë në kërkim rezulton dhe ish deputeti socialist Arben Ndoka, i dyshuar si kreu i njërit prej grupeve si dhe vëllai dhe i afërmi i një tjetër deputeti të shumicës, Eduard Ndreca.

Sipas SPAK, karakteristikë e këtyre grupeve është dhuna e egër në kryerjen e krimeve. Hetimet kanë zbuluar lidhjet mes tyre, aleancat dhe armiqësitë që kanë qenë burim i vrasjeve dhe tentativave për vrasje, mes anëtarëve të grupeve.

Gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhërave të arrestit, janë ushtruar kontrolle në 50 banesa, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Rrëshen, Kurbin, Fushë-Krujë dhe Krujë, ku ishin dhe bazat e grupeve.

Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka sekuestruar automjete të blinduara, bizhuteri, lingota floriri dhe vlera monetare, për një total prej afro 4.5 milionë euro, nga të cilat 3 milionë euro janë cash.

Kush është Astrit Avdyli

Astrit Avdyli, ishte në listën e top njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare në vitin 2013, pasi rezultonte si i dënuar me 12 vite burg për vrasje.

Me origjinë çame, Astrit Avdyli njihet si i “Urti”, pasi në dallim nga të tjerët e grupit, Astriti i zgjidhte punët pa dhunë.

Grupi i Shijakut njihet si një grup i përbërë me njerëz të dhunshëm. Babai i tre fëmijëve, u përfshi që në vitet ’90 në trafikun e drogës dhe kokainës. Me kalimin e viteve, ai u bë edhe më i fuqishëm, me lidhje të forta.

Vëllezërit Avdyli, Shkëlqim, Jasin, Astrit dhe Altin akuzohen për vrasje, prostitucion, trafik droge dhe disa vepra të tjera penale.

Vrasja e vitit 1996, Astrit Avdyli mori hak për kushëririn

Në vitin 1996 u vra më armë zjarri, Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit kokës së bandës.

Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë.

Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.

Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin. Ndërkohë që Jasmin Avdyli është dënuar më parë në Itali pasi u përfshi në vrasjen e një marshalli italian. Ai kishte disa vite që ishte liruar nga burgu dhe jetonte në Shijak.

Operacioni i 21 tetorit, Volvo 4

Policia e Shtetit goditi familjen kriminale Avdyli në Shijak duke arrestuar tre vëllezërit, kushëririn e parë të tyre dhe mbi 20 anëtarë të bandës që akuzohet për trafik heroinë në Shqipëri dhe në Gjermani, ndërsa numëron dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës ‘Germany’.

Të arrestuar ishin vëllezërit; Astrit Avdyli, që është koka e bandës, Flamur Avdyli, (që u lirua më vonë) dhe Shkëlqim Avdylin.

Ndërsa përpos tyre u prangos kushëriri i parë, Jasim Avdyli së bashku me H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine dhe mbi 20 persona të tjerë.

Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre kompania ‘Orges Albania 2016’ dhe hoteli luksoz ‘Germany’ në Durrës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.