AKTUALITET

Kush do të punojë?! Popullsia në moshë pune është reduktuar me 349 mijë persona! Ja si pritet të ndikojë tek bizneset dhe ekonomia shqiptare

07:29 - 04.07.24 I K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është reduktuar në mënyrë të ndjeshme në periudhën ndërmjet dy censeve 2011-2023 sipas të dhënave të INSTAT.




Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987 me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e cens 2011.

Rënien më të madhe të popullsisë në moshë pune e kishin grupmoshat 15 deri në 19 vjeç, të cilat pësuan tkurrje me 46.8% dhe grupmosha 20-24 vjeç që u reduktuan me 41%.

Grupmoshat me rënie të fortë në popullsinë në moshë pune ishin 25-29 vjeç me rreth 25%, 40-44 vjeç me 25.6% dhe 45-49 vjeç me 25.4%.

Në të kundërt, popullsia në moshë pune në prag pensioni 60-64 vjeç ka shënuar rritje me 48.8% dhe grupmosha 45-59 vjeç, rritje me 9.6%

Siç shihet, popullsia në moshë punë në vendin tonë jo vetëm që është reduktuar në mënyrë të ndjeshme gjatë një dekade, por është përkeqësuar në strukturë, pasi ka një rritje të personave në prag pensioni dhe ulje të ndjeshme në grupet e reja të moshave.

Bizneset në të gjithë sektorët vitet e fundit e kanë konsideruar mungesën e punonjësve problem serioz, për zgjidhjen e të cilit nuk kanë përvojë dhe as mjete.

Ekonomia shqiptare, kurrë më parë, nuk është përballur me këtë fenomen. Kjo është dekada e parë që ekonomia dhe bizneset duhet të operojnë me të panjohurën më të madhe, mungesën e punonjësve.

Në vitin 2011, popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) përbënte 68% të popullsisë totale dhe në vitin 2023 përbënte 64% të saj.

Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.

Në fund të vitit 2023, ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune.

Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.

Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë. Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%).

Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0%) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1%). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011./Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.