Kryesore

Deklarata e fortë e Berishës: Soros të shpallet non-grata (dikur e quante mik)

17:05 - 16.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pasi paralajmëroi eurodeputetin Fleckenstein “kujdes nga Soros!”, ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sot sërish filantropin amerikan. “Drafti i reformës në drejtësi bëhet me ekspertë të Xhorxh Soros. E bënë siç e deshën. Jo reformë të projektuar në zyrën e kryemafiozit të planetit, Soros. Do të qëndrojmë në të drejtën tonë dhe të shqiptarëve”, tha Berisha nga çadra e protestës. Më tej, Berisha arriti deri aty as të kërkojë shpalljen e Sorosit “non-grata”.

“I bëj thirrje Senatit amerikan, Kongresit amerikan të bëjnë ligje që t’i ndalojë çdo veprim kësaj monstre në demokraci të reja, në të cilat ai favorizon krimin, bandat. I bëj thirrje parlamentit Europian të hetojë tentakulat e tij në Komisionin Europian dhe kudo, e të ndërpresë veprimet e tij. Një njeri si ai meriton vetëm një gjë, ‘non grata’”, tha Berisha.

Ish-kryeministri sulmoi edhe ambasadoren e BE-së. Nga çadra e opozitës Berisha tha se me qëndrimet e saj zonja Vlahutin po e çon Shqipërinë drejt destabilizimit.

“Çuditërisht në krah të Ramës u rreshtuan edhe guvernatorja dhe në një farë mënyre, për hir të së vërtetës më pak, ambasadori Lu, por Vlahutin me deklarata te njëpasnjëshme…, sa u detyrova t’i përgjigjem që t’i me këto deklarata çon drejt destabilizimit Shqipërinë.”

NENTE VITE ME PARE

Më  25 janar të 2008, Sali Berisha e shpallte Xhorxh Sorosin mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa sot e konsideron si rrezik për kombin shqiptar dhe si njeriun që ka korruptuar më shumë se kushdo tjetër politikanë mbi tokë.

Në 25 janar të 2008, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me George Soros, në Davos të Zvicrës. Në njoftimin e Kryeministrisë, Soros konsiderohej si mik i madh i shqiptarëve.

“Në vijim të takimeve, në Davos të Zvicrës, (ish) kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, George Soros, financier dhe filantrop i njohur botëror. Gjatë bisedës me George Soros, (ish) kryeministri Berisha u ndal në ecurinë e reformave në Shqipëri, si dhe bëri një panoramë të arritjeve në fushën arsimit, kulturës, shëndetësisë, etj.”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë. Ndërkohë, Berisha e ka takuar Sorosin edhe në Tiranë, në fund të vitit 2005.

Ndërkaq, në 6 Dhjetor të 2014, George Soros ka zhvilluar një vizitë në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, Soros ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Mbetet mister se çfarë është diskutuar në atë takim, por i pranishëm ka qenë deputetët Eduard Selami dhe Gerti Bogdani.

Ç’MENDON RAMA

Dy javë më parë, kryeministri Rama dha një intervistë për GSH.al ku i quajti mosmirënjohës ata që sulmojnë Sorosin. “Ndjej neveri kur shoh se si e kafshojne ata që deri dje e kane puthur jo një herë atë dore, Saliu in primis”, deklaroi Rama për GSH.al.

Më poshtë, reagimi i plotë i kryetarit të qeverisë, i pyetur për rolin e faktorit “Soros” në reformën në drejtësi.

“Në dijeni time Fondacioni Soros ka kontribuar me një mbështetje financiare për mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtesi. Kjo padyshim ka qenë diçka pozitive sepse ka lehtësuar disa shpenzime jo të vogla për ekspertizë. Ndërsa sa për “dorën e Sorosit” ndjej neveri kur shoh se si e kafshojne ata që deri dje e kane puthur jo një herë atë dore, Saliu in primis! Ajo dorë ka ndihmuar Shqipërinë e dalë nga diktatura qysh në hapat e para të lirisë; ka ndihmuar intelektualët, studentët, artistët, gazetarët, shkencëtaret, nëpunësit e rinj, qeveritë e këtij vendi njëra pas tjetrës. Pse?! Thjesht e vetëm në emer të idesë së Shoqerisë së Hapur, të cilën George Soros e ka qysh në rininë e tij qëllim të jetës dhe për të cilën ka derdhur një pjesë të mirë të pasurisë së tij në gropën e ish-Perandorise Komuniste. Vë bast se nuk ka një person të vetëm publik nga ata që e mallkojnë sot, që nuk ka përfituar mbështetje financiare nga Fondacioni Soros në 25 vjetët e veprimtarisë së fondacionit në Tiranë. Eshtë e neveritshme të shohesh se si një njeri që vetëm ka investuar paratë e tij në Shqipëri, për idenë që mbron prej një jetë, dhe që nuk ka kërkuar kurrë asnjë qindarkë mbrapsht nga ky vend, të kriminalizohet si të ishte një keqbërës i rëndomtë! Po s’ke ç’i bën, mosmirënjohja e qenies pa memorie nuk ka brirë!”, theksonte Rama në intervistë e 1 marsit për GSH.al.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.