AKTUALITET

“Edmond Begos iu dha leja pa garë”, Ministra e Energjisë i përgjigjet PD-së: Ndaloni fushatën e spekulimeve

14:16 - 27.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka reaguar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas deklaratës së deputetit të PD-së Ervin Salianji, i cili bënte të ditur se kjo ministri i ka dhënë një leje minerare pa garë Edmond Begos.




Salianji bëri të ditur se kjo kontratë 25-vjeçare për shfrytëzimin e pasurive publike është dhënë në kundërshtim me ligjin. Mirëpo një gjë e tillë është hedhur poshtë nga MIE që sqaron median dhe opinionin publik se e gjithë procedura që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit.

DEKLARATË E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hedh poshtë si plotësisht të pavërteta dhe të qëllimshme deklarimet e bëra sot nga subjekti politik Partia Demokratike rreth procedurave të miratimit të lejes minerare për shfrytëzim mineralesh dhënë subjektit “Inerte Expres” sh.p.k. Partia Demokratike pretendon se leja minerare në fjalë është miratuar pa një procedurë gare.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron median dhe opinionin publik se e gjithë procedura që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit.

Me shkresën Nr.3454/1, prot, datë 4.6.2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë i është drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik për shpalljen e garës për disa zona minerare mes të cilave edhe ajo me Nr.394/1. Konkretisht, Ftesa për Ofertë mban Nr.3454, datë 4.6.2014.

Në vijim të Ftesës për Ofertë të paraqitur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Agjencia e Prokurimit Publik, në Buletinin e datës 16 Qershor 2014 ka botuar procedurën e hapur konkuruese për lejet minerare mes të cilave edhe ajo me Nr.394/1. Sipas kësaj shpalljeje, afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga subjektet e interesuara për këtë zonë ishte data 11.07.2014, ora 10:00. (Referoju Buletinit Dt.16 Qershor 2014 të APP).

Në datën 11.07.2014, ora 10:00 është zhvilluar procedura e hapjes së ofertave për këtë zonë minerare. Për këtë zonë konkuruese, subjekti “Inerte Expres” sh.p.k. ka depozituar të gjithë dokumentacionin e kërkuar ligjor përfshirë: Vërtetimin e Zyrës Përmbarimore me Nr.2133, datë 3.07.2014; Vërtetimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 8.07.2014 dhe Vërtetimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë datë 8.07.2014. Në këto dokumente vërtetohet se shoqëria “Inerte Expres” sh.p.k me përfaqësues Mond Bega nuk ka detyrime ndaj personave fizik, juridik, privat apo shtetëror (përmbarimi); nuk ka proces gjyqësor penal në gjykatë (vërtetimi i gjykatës); nuk ka procedim penal të regjistruar në ngarkim të tij (vërtetimi i prokurorisë).

Nga shqyrtimi i të gjithë dokumentacionit, subjekti ka plotësuar të gjithë rubrikën e kritereve të parashikuara në Ftesën për Ofertë. Siç mund të shihet, e gjithë procedura e garës është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe në mënyrë transparente.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se subjekti “Inert Expres” sh.p.k. ka disa vite që ushtron aktivitetin në industrinë minerare. Për dijeninë e deputetit të ri Ervin Salianji, ky subjekt është pajisur në datën 08.09.2009 me leje shfrytëzimi për vendburimin “Kodra e Shulcit” Mamurras, firmosur nga ish-ministri i Partisë Demokratike në atë kohë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i bën thirrje Partisë Demokratike që të ndalojë fushatën e spekulimeve të qëllimshme politike por të kërkojë informacion zyrtar pranë institucioneve të shtetit për çdo pretendim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.