SPORT

Peter Pakult do Kupën, Skënderbeu “gjysmak” në Vlorë

08:41 - 18.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kukësi do të luajë të mërkurën një ndeshje mjaft të vështirë përballë Laçit në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, ku ndeshja e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura.




Në një prononcim para ndeshjes, trajneri i Kukësit, Peter Pakult është shprehur se kjo ndeshje do të jetë po aq e vështirë sa edhe ajo me Partizanin. I pyetur për rezultatin e ndeshjes së parë, tekniku austriak thotë se shifrat 0-0 favorizojnë Kukësin, ndërkohë që tregon se nga skuadra kërkon që të fitojë me lojë, pasi nuk është përgatitur për penalltitë. “Laçi, kundërshtari me të cilin përballemi në Kupë, është një skuadër po aq e fortë sa Partizani. Është një ndeshje e vështirë, por, nëse përsërisim lojën që bëmë ndaj Partizanit, mund t’ia dalim. Barazimi 0-0 na favorizon disi, për faktin se ndeshjen e kthimit e kemi në shtëpi. Nuk kemi bërë përgatitje për penallti dhe në rast se nesër fitoj 1-0 do isha i kënaqur. Qëllimi i radhës është të arrijmë në finalen”,-u shpreh Pakult.

Skënderbeu
Skënderbeu synon finalen e Kupës së Shqipërisë, por, ndërkohë, trajnerit Ilir Daja i duhet që të bëjë llogaritë me mungesat e shumta në radhët e ekipit të tij për ndeshjen e kthimit ndaj Flamurtarit, ku i duhet të përmbysë rezultatin e sfidës së parë. Korçarët duhet të kthejnë humbjen 1-0 në shtëpi të ndeshjes së parë, por shkojnë drejt Vlorës të përgjysmuar, me shumë mungesa në formacionin titullar. Kësisoj, mungesave të deklaruara të Xhejms dhe Ditës, u është shtuar edhe ajo e një tjetër titullari në radhët e ekipit korçar, Gjergji Muzakës. Ky i fundit nuk do të jetë në gjendje të aktivizohet në takimin e mesjavës ndaj vlonjatëve, për shkak të një dëmtimi, duke bërë që Daja të bëjë ndryshime të tjera në mesfushën e skuadrës për këtë duel. Pa tre titullarët, Daja pritet t’i japë hapësira që në momentet e para të rikthyerit Sabien Lilaj, ndërsa do të ketë mjaft ndryshime pozicionesh edhe sa u përket lojtarëve të tjerë në këtë repart. Ndërkohë, nga kampi korçar bëhet e ditur se dëmtimi i Muzakës nuk është serioz, por mesfushori po ruhet për sfidën e kampionatit ndaj Partizanit.

Flamurtari
Përgatitje në heshtje shtypi para Skënderbeut. Lojtarët dhe stafi teknik janë në heshtje shtypi deri pas takimit me Skënderbeun që luhet për Kupën e Shqipërisë. Vlonjatët do të kenë dy mungesa për ndeshjen me Skënderbeun. Sulmuesi Tomislav Bushiç dhe Kamara do të vijojnë të mungojnë. Plotësisht i gatshëm për këtë ndeshje është sulmuesi Danilo Alvesh, i cili është rikuperuar dhe nuk luajti në takimin me Lushnjën për të mos rrezikuar para Skënderbeut. U bë një kohë e gjatë që Duro nuk e ka pasur grupin të plotë në dispozicion. Problemet më të mëdha kanë qenë kryesisht në sulm dhe në luhatjet e mëdha në mbrojtje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.