KULTURË

Udhëtimi onirik i Dastid Malukës

10:00 - 09.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama – Nuk ishte e rastit qe ekspozita e hapur e piktorit Dastid Miluka në Bruksel fillonte me një ngasje që na kujton « Princin e vogël » të shkrimtarit francez Saint Exupery, atë roman ne dukje për fëmijë që gjatë një shekulli ishte dhe vazhdon të jetë një nga librat më të lexuar sot në rruzullin tonë, një udhëtim që Exupery-së iu shfaq në ëndërr. Në fakt ishte shkëputje në udhëtimet e tij drejt magjisë dhe mistikës qiellore, duke shtuar dhe tregimin e tij personal e intim, atë të dashurisë me Konsuelon, « trëndafilin » që piktakonte në ëndërr në një planet tjetër. Kështu, edhe në këtë sallë ekspozite në Evere të Brukselit, jemi midis ëndrrës dhe realitetit, ku gjen gjurmët e një jete artisti dhe ku personazhet kanë imazhet e tyre, ku çdo detaj është gjurmë e një kujtese të shkuar, çka përbën dhe atë që na thotë ai : « Çdonjëri nga ne ka një histori për të treguar… Një histori dashurie, një histori humbjeje apo fitoreje, ose thjeshtë një histori jete. Të gjithë ne kemi histori të gjata dashurie ashtu siç kemi dhe histori të shkurtra. Histori të shkuara gjatë viteve apo histori të jetës së përditëshme…» Histori të shfaqura pastaj dhe në ëndërr, në imazhe onirike.




277310937_708496580487085_5791582878727425370_n 278077580_4546169765483910_2080388341822771384_n
<
>

Tani që po shkruaj dy fjalë për pikturën e tij jam 500 km larg asaj salle të madhe dhe të bukur, larg asaj bote plot ngjyra të ndezura duke e parë ende gjithë dëshirë edhe pse në xhamin e dritares, përtej rigon një shi i imët dhe qielli është gri dhe i plumbtë. E habitshme të përjetosh kështu botën pikturale edhe kur je larg saj. Arti onirik është i vështirë, është si një lloj ekuilibristi mbi një tel në lartësitë e mëdha. Eshtë i vështirë dhe mahnitës njëkohësisht pasi gjithçka duket ireale, ndërkohë që duke e kundruar gjen shprehjen e gjithçkaje jetësore. Atëherë piktura flet. Dhe ti ndjen se prekesh jo vetëm nga ngjyrat, kompozicioni mjeshtëror por dhe nga mesazhi simblik. Ka një gjuhë intelektuale në pikturën onirike të cilën surrealistët e përqafuan menjëherë, veçanërisht Dali. Jo më kot Magritt na tërheq aq shumë me tablotë e tij të fuqishme si peizazhe ëndrrash, në ajër ku molla bëhet pjesë e figurës duke ngjizur brenda saj mistikën; jo më kot pëlqejmë aq shumë figurat e Chagall, ku trupat e tij enden në ajër, femra apo dashnorë që nderen mbi çatitë e qyteteve apo kur dy të dashuruar, vetëm dy portrete, qëndrojnë ngjizur në ajër në sfondin e një qielli shumë blu. Eshtë një hapësirë onirike dhe dashurie. Man Ray kur vizatonte për ilustrimet e librit poetik të Paul Eluard «Les Mains libres », kur shikonte ndonjë ëndërr, menjëherë zgjohej dhe e vizatonte, siç ndodhi dhe me grafikën « Ura e Avignon », ku sipër urës mesjetare është shtrirë një nudo me flokët që i nderen poshtë, drejt lumit që rjedh nën të. Ndër mjeshtrat e tjerë, Miluka parapëlqen Odil Redon, një nga më onirikët në pikturën botërore edhe pse i përket tashmë traditës. E kështu, piktura e shqiptarit të Brukselit duke krijuar diçka tepër personale e intimiste, dekorative dhe simbolike na prezanton ëndrrat e shfaqura dhe objekte që mbushin hapësirën e telajos, në dukje pa lidhje por ku secila thotë diçka. Nga kjo ekspozitë më mbeti në mendje një nga tablotë, ajo e një njeriu të veshur si kozmonaut, që si një lloj fëmije mbante në duar, si një balonë, një zemër të madhe dhe fort të kuqe. Një zemër e madhe treguar në lartësinë qiellore mjaft simbolike dhe domethënëse, ndërkohë që poshtë, në këmbët e tij, toka është në ngjyra të errta, të zeza dhe më poshtë një shtresim i një të kuqeje të errët. Vallë gjaku, siç shohim aktualisht në ekranet e botës luftën mizore që nuk rresht ? Por piktori, si për ti mëshuar idesë së tij brenda telajos shton dhe një tekst në anglisht, vendosur fare lart telajos ku shkruhet në anglisht « May love save us from ourselves ». Duke vështruar disa nga tablotë e kupton se ai ka dëshirë të vendosë dhe fjalë krah personazheve, objekteve. Vallë dhe fjalët e shkruara janë pjesë e ëdrrës ? Me siguri. Një shqetësim shpirtëror që materalizohet dhe thuhet guximshëm pa stonuar në kompozicionin e veprës, pasi lufta vazhdon të jetë e pranishme që nga epoka e largët e Antikitetit, siç e shohim në një tablo tjetër, ku dy figura, dy amazona janë përballë njëra-tjetrës, njëra me harkun e shigjetave dhe tjetra me shtizën barbare. Thua se edhe pse bota është transformuar në mënyrë të pabesueshme, shpirti njerëzor ka mbetur po ai : dashuritë, tragjeditë, ndjenja e asgjësimit të tjetrit, edhe pse në një botë moderne.
Shikon këtë kspozitë dhe ndjen një lloj kënaqësie të brendshme. Ke dëshirë të qëndrosh gjatë përballë tablove, të vështrosh elegancën e vizatimit, kompozicionet interesante, detajet, portretin e një gruaje të hijshme, siç e shohim në një nga tablotë, ku nga dritarja e sallonit të saj, në sfond, nga dritarja të shfaqet Skënderbeu mbi kalë dhe pas tij, kulla e sahatit të vjetër. Aty është bluja, e kuqja, okra dhe një maçok i zi (që e gjejmë dhe në tablo të tjera të tij, siç e gjejmë atë dhe në tablotë e mjeshtrit të madh Balthus) një maçok i cili na vështron me qetësinë e një maçoku shtëpie. Një tablo mjaft e bukur është gjithashtu ajo me një shtëpi të kuqe. Një shtëpi në hapësirë, siç mund ta gjesh së largu dhe në tablotë e Magritt apo të Chagall, por që këtu është e gëzueshme, harmonike, nderur në një buzëmbrëmje me re të çuditshme dhe të paqta, në ngjyrë floriri dhe një hënë të kuqe në cep. Artisti është krejt i lirë, si në një ëndërr të pacënuar. Të bukura janë gjithashtu dy triptikët e tij, me imzhe të gëzueshme ku në njërën është një grua që pi një gotë verë dhe ku një fizarmoniçist pranë saj luan muzikë. Në tablonë pranë, një skenë cirku (pjesë e pandashme e fëmijërisë së artistit), një tjetër vajzë e ulur mbi një tavolinë dhe fare prane një lloj helikopteri që i ngjan një lodre fëmije. Në triptikun tjetër, janë portrete, si një maçok me mustaqet e ngritura si arabeska apo një zog ku në trup janë dy sy që na vështrojnë. Gjithçka ka të bëjë me ëndrrën dhe jetën reale njëkohësisht. Gjithçka ka të bëjë me forcën krijuese të artistit. Ti largohesh nga ekspozita dhe ke dëshirë të rikthehesh përsëri, të qëndrosh dhe disa çaste ballë odaliskave të vizatuara në bardh e zi, vajza nudo të shtrira si në përrallat e « Njëmijë e një netët ». Ke dëshirë të rishohësh një portret mjaft të bukur të njeriut me macen në qafe që s’di pse më risjell diçka nga Cezan. Kur është fjala për « nature mort », thjesht një vazo me lule dekorative, gjen mishërimin e impresionistëve francezë. Por në këtë rast, meqë kemi të bëjmë me udhëtimet onirike të Dastid Milukës, ai vendos në cep te kuadrit një çift të dashuruarish përqafuar me njëri-tjetrin. « Pra çdo tregim, – thotë Dastidi, – na vjen si pjesë e një të tëre, e një puzzle. Çdo krijim, çdo pikturë është si pjesë e një afresku të madh për të treguar një histori. Historia ime është shumë intime e personale… një udhëtim në ëndërr, një ëndërr tepër e veçantë dhe unike… »
Kjo ngjizje e pikturës onirike me atë dekorative duket një risi e veçantë në pikturën tonë të kohëve të fundit. Dhe kjo na e bën të mundur që kudo që ta shohim një punë të këtij piktori ta njohim menjëherë pa patur nevojën e një mbishkrimi. Vetë krijimi është një matricë, një gjurmë që ai e ka dhe që padyshim në të ardhmen do ketë dimensione të tjera… Hapësirat e ëndrrës janë të pafundme, dhe unë e ndjej se ky artisti do udhëtojë gjatë në botën e tij onirike.