Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, vrasjet, djegiet, shpërthimet e depove sollën një situatë surreale në Shqipëri, marsin e vitit 1997. Në situatën e një lufte civile, “Gazeta Shqiptare” dhe gazetat e tjera e pezulluan përkohësisht botimin.
Në pamundësi pra, për t’ju sjellë si çdo ditë “GSH”-në e 20 viteve më parë, do të botojmë (përsëri, përkohësisht) në këtë rubrikë foto dhe video të marsit ’97 për të njohur ose kujtuar çmendurinë kolektive që na përfshiu 2 dekada më parë.
Si sot në 19 Mars 1997
Një Komitet për Shpëtimin e Veriut dhe Shqipërisë së Mesme kërcënon qeverinë e re se nëse njeh komitetet e Jugut atëherë do të përballet me rezistencë ushtarake në gjithë Veriun e vendit. Si rezultat qeveria nuk njeh asnjë prej komiteteve të formuara në Veri, Jug apo Shqipëri të Mesme.
Situata mbetet e tensionuar në Korçë.