OPINION

Zgjedhjet pa opozitën janë një farsë

06:14 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Luan RAMA

 

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, në një intervistë të dhënë për “ABC News” është shprehur se vendi duhet të shkojë në zgjedhje në një situatë politike normale e jo anormale.

Cili është komenti juaj në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama, i cili thotë se “PS do të shkojë në zgjedhje më 18 qershor me apo pa PD-në, me LSI-në ose jo në koalicion”?

Për sa kohë unë nuk kam burim zyrtar apo një qëndrim publik të kryeministrit në lidhje me këtë, rezervoj të drejtën të komentoj. Sepse e para nuk është etike dhe korrekte të komentosh me “sikur”. Po kaq, kam vlerësimin tim maksimal që situata politike në të cilën ndodhet vendi, kriza politike e krijuar dhe e agravuar, në vlerësimin tim, për shkak të mungesës së dialogut politik si një institucion i qenësishëm dhe i rëndësishëm i funksionimit të demokracisë në një vend, gjykoj se nuk ka vend për gjuhë ultimative, nuk ka vend për gjuhë arrogante. Ajo që është më e rëndësishme është që nuk është e udhës, nuk është normale dhe nuk na lejohet të flasim nga pozita e pushtetit dhe me arrogancën që indukton pushteti sepse për sa kohë të gjithë themi që politika është arti i së mundshmes do të thotë që duhet të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat, mundësitë mekanizmat politikë për të kapërcyer situatën dhe për të bërë të mundur që vendi të shkojë në zgjedhje mbi një situatë politike normale dhe jo anormale, të shkojë në zgjedhje pasi të kemi dhënë të gjitha garancitë për të krijuar bindjen dhe besimin, jo vetëm tek opozita por edhe te të gjithë qytetarët shqiptarë, se zgjedhjet do të jenë korrekte, të ndershme dhe në përputhje me standardet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Reagimi juaj në lidhje me raportin e DASH për narkotikët ishte një reagim shumë i ashpër, apo jo?

Nuk është reagim i ashpër por është një reagim i vërtetë. Është reagimi normal pas një raporti që evidenton realisht një mori problemesh dhe që rikonfirmon në fakt një situatë shumë problematike të gjendjes së kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vendin tonë. Nga e gjithë përgjegjësia dhe me seriozitetin maksimal për t’ju përgjigjur shqetësimit të partnerëve tanë strategjikë si janë SHBA-të kam apeluar në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim një reagim të përgjegjshëm, të menjëhershëm, funksional dhe institucional për t’iu përgjigjur këtij shqetësimi me masa konkrete dhe për të dëshmuar që funksionimi i tërë zinxhirit të institucioneve të sigurisë, që kanë përgjegjësi në këtë drejtim, do të jetë funksional dhe nuk do të lejojë më që Shqipëria të përsëritet ajo e viteve të shkuara. Natyrisht unë, në vlerësimin tim politik por edhe me shumë përgjegjshmëri gjykoj që përballë një raporti të tillë nuk ka vend për tu fshehur, nuk ka vend as për të duartrokitur apo për të shpërndarë dekorata por ka vend për reflektim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm. Nëse u krijua ajo situatë shumë problematike në vitin 2016 unë gjykoj që kjo është edhe për shkak të mosfunksionimit me efikasitet të institucioneve ligjzbatuese. Meqenëse u tha se rezultatet në vitin 2016 paskërkan qenë më të mira se në 2015-n apo në 2014-n dhe meqenëse u rekomandua që të lexohen edhe raportet e tjera për të kuptuar progresin, atëherë më lejoni të bëj një vlerësim krahasues të konstatimit që bën raporti i DASH-it por edhe të konstatimit që bën antimafia italiane dhe Guardia di Finanza që janë partnerë shumë seriozë të bashkëpunimit në terren të forcave tona të sigurisë por jo vetëm edhe për luftën kundër kultivimit apo trafikimit të lëndëve narkotike. Në bazë të raportit thuhet që në vitin 2014 Guardia di Finanza identifikoi 815 plantacione të kultivimit të drogës në Shqipëri me rreth 165 mijë rrënjë. Ndërsa në 2015-n janë 1200 plantacione me 243 mijë rrënjë, gjithmonë sipas të të njëjtit raport dhe që i referohet edhe DASH. Pra nga viti 2014 në vitin 2015 kemi një rritje me gati 40%. Ndërkohë që gjatë vitit 2016 u identifikuan 2086 plantacione, me një rritje 5 herë në nivelin e përgjithshëm të kultivimit, sipas DASH-it. Natyrisht që ky realitet dhe kjo situatë nuk mundet të shërbejë për të thënë që situata është rozë. Nuk duhet t’i japë të drejtën askujt të thotë mos fol ose hesht përballë këtij realiteti, aq më tepër kur unë gjykoj që kur ky shqetësim vjen nga një raport serioz siç është raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit reagimi duhet të jetë gjithashtu serioz dhe reflektimi duhet të jetë shumë i përgjegjshëm.

Do ta votojë LSI kandidaturën e z. Xhafaj, tashmë me firmën e Presidentit, për ministër të Brendshëm?

E kam theksuar dhe po e ritheksoj edhe këtu që, çështjen e ndryshimit të ministrave, e shkarkimit, lirimit apo e zëvendësimit të ministrave në kabinetin qeveritar është një e drejtë ekskluzive, kushtetuese e Kryeministrit. LSI, që prej fillimit të bashkëqeverisjes me PS asnjëherë nuk është imponuar, asnjëherë nuk ka kërkuar, as LSI dhe as kryetari i saj, z. Meta, dhe as nuk kemi ndërmend të kërkojmë ndonjëherë që të largohet ky apo ai ministër për t’u zëvendësuar me këtë apo me atë ministër. Duke qenë se ne respektojmë tagrin kushtetues të Kryeministrit, çështja e votimit në Kuvend është një çështje procedure e karakterit formal dhe unë nuk mendoj se ka arsye të qenësishme që LSI të veprojë ndryshe nga sa ka vepruar përsa herë është thirrur të votojë kur ka qenë fjala për ndryshimet e iniciuara nga iniciativa kushtetuese e Kryeministrit.

Pra, votat tuaja do të jenë të enjten, si për tre kandidaturat e tjera ashtu edhe për z. Xhafaj?

E thashë që nuk ka asnjë arsye dhe asnjë motiv që LSI të veprojë ndryshe konstantes së qëndrimit të vet politik kur është fjala për dekretim të ministrave në përputhje me të gjitha tagrat kushtetuese.

Si është marrëdhënia në koalicion?

Unë e kuptoj kërshërinë e punonjësve të medias për të prodhuar lajm mbi një gjë që në fakt nuk është lajm. Për sa kohë që ne jemi de-ja në koalicion, për sa kohë që qeveria është në punë dhe institucionet e saj, pra të gjitha institucionet e varësisë së qeverisë, janë në punë, prioritet është përmbushja e detyrimit, prioritet është ushtrimi i qeverisjes të pakushtëzuar nga kondicione të tjera siç mund të jetë edhe afrimi i zgjedhjeve apo debati që është deri tani jashtëinstitucional dhe më shumë mediatik, sesa real dhe politik midis partnerëve në koalicion. Natyrisht unë i qëndroj pikëpamjes, dhe kjo besoj është korrekte, që një forcë politike e përgjegjshme dhe një koalicion i përgjegjshëm dhe serioz gjithashtu duhet të bëjë një analizë të qeverisjes, duhet të bëjë një ballafaqim me vetveten, me qytetarët, me programin që është votuar përpara katër vitesh për të kuptuar çfarë është realizuar dhe çfarë jo, çfarë është bërë mirë dhe çfarë jo, përse nuk është bërë mirë. Dhe përmes këtij procesi analize dhe transparence ndaj publikut, të mund të mbërrihet pastaj në një konkluzion logjik dhe të bazuar mbi një realitet konkret se çfarë duhet bërë më tej. Ndërkaq, unë besoj që ju nuk duhet të prisni nga unë që të them që koalicioni qeverisës, apo që LSI në përbërje të këtij koalicioni, është më e rëndësishme sesa Shqipëria dhe interesat e saj. Vendi ka disa prioritete shumë më të rëndësishme sesa interesat parciale dhe ajo çfarë është e rëndësishme, mendoj unë dhe ku duhet fokusuar i gjithë angazhimi dhe energjitë politike, është zgjidhja e situatës së konfliktit politik të krijuar për shkak të qëndrimit të opozitës dhe rikthimin në dialogun politik, shmangia e gjuhës së konfliktit, e gjuhës së kanosjes apo e gjuhës ultimative, nga njëra anë dhe arrogancës nga ana tjetër, sepse në fund të fundit është përgjegjësi e qeverisjes të krijojë të gjitha kushtet që zgjedhjet të realizohen në mënyrë korrekte dhe në përputhje me standardet. Është përgjegjësi dhe detyrim i qeverisjes, i qeverisë, i mazhorancës, pra i koalicionit tonë që të krijojë bindjen dhe besimin që zgjedhjet do të jenë korrekte dhe kjo bindje dhe ky besim duhen shoqëruar, mendoj unë, me atë sjellje politike që të bëjë të mundur që shqiptarët në zgjedhje jo vetëm të shkojnë për të votuar, por të shkojnë për të zgjedhur.

Kemi një opozitë në çadër në qendër të Tiranës për më shumë se një muaj, kërkon qeveri teknike. A jeni ju për qeveri teknike?

Unë nuk bëj ndër ata që e shohin si herezi faktin që opozita është në rrugë. Opozita është në të drejtën e saj të protestojë dhe të zgjedhë apo adoptojë një sjellje politike dhe një standard politik që ajo e shikon të udhës. Nga kjo pikëpamje nuk ka ndonjë gjë për ta qortuar opozitën, ashtu sikundër opozita mund të kërkojë qeveri teknike, qeveri mekanike apo ku di unë se çfarë. E rëndësishme është që, dhe këtu duhet investuar me shumë seriozitet edhe nga mazhoranca, në mënyrë të drejtpërdrejtë qeveria, që të institucionalizojë dialogun me opozitën, të kthehet dialogu në instrument dhe në një institucion që çon në zgjidhje.

Duke qenë se LSI ka qenë gjithmonë një parti, z. Meta konkretisht, i cili është përpjekur gjithmonë të gjejë zgjidhje, kemi parasysh këtu rolin e tij për reformën në drejtësi. Do të ishte LSI e prirur për të qenë negociatore për dialog në një tryezë mes PD dhe PS për të gjendur një zgjidhje?

Natyrisht që LSI, sa herë që është dashur, e ka luajtur rolin e saj si moderatore dhe si iniciuese e dialogut dhe mirëkuptimit, por nuk mendoj se ka arsye që mazhoranca apo qeveria të mos ketë guximin të ulet në dialog me opozitën, nga njëra anë. Nga ana tjetër, gjykoj që bashkëpunimi me opozitën është i domosdoshëm, nuk është një çështje dëshire apo vullnetesh individuale, është një domosdoshmëri për të garantuar një proces zgjedhor korrekt. Dhe tjetra që duhet të them është që, zgjedhjet pa opozitën janë formale. Zgjedhjet pa opozitën mund të jenë zgjedhje në kuptimin formal juridik, por në kuptimin institucional, politik dhe real nuk janë zgjedhje në përputhje me standardet sepse ku ndryshon pastaj një sistem demokratik nga një sistem jodemokratik? Zgjedhjet pa opozitën janë një farsë dhe nga kjo pikëpamje unë gjykoj që ka kohë, ka mundësi, ka rrugë të pashfrytëzuara përmes dialogut politik që çojnë tek zgjidhja e situatës dhe i ftoj palët të bëjnë të gjitha përpjekjet për ta zgjidhur problemin dhe jo për të penguar.

A keni një instrument konkret si LSI për ta hedhur në tryezë së bashku me mazhorancën dhe më pas të dilni me një ide të përbashkët?

Zgjedhjet pa opozitën, nuk janë zgjedhje. Fakti që thashë që zgjedhjet pa opozitën janë një farsë, që zgjedhjet pa opozitën nuk i shërbejnë as vendit dhe as procesit të integrimit dhe nuk janë një sjellje e përgjegjshme politike e një vendi anëtar të NATO-s që në themel të vet ka demokracinë parlamentare, demokracinë funksionale dhe funksionimin e institucioneve në mënyrë demokratike, do të thotë që mbi këtë konstante qëndrimi duhet të orientohet dhe duhet të fokusohet edhe sjellja e klasës politike të vendit. Kur them që përgjegjësia e organizimit të zgjedhjeve është përgjegjësi e qeverisjes dhe e mazhorancës, nuk përjashtoj nga përgjegjësia opozitën e cila duhet të jetë po kaq kontribuuese. Por, në fund të fundit, opozitës kjo i ka mbetur rruga, protesta dhe ëndrra për qeverinë teknike. Ne duhet ta kapërcejmë këtë realitet sepse ai që lëshon është padyshim i madhi, dhe ai që ka pushtetin.

Zërat që thonë se Meta po luan për postin e Presidentit…?

Kemi ardhur të flasim për gjëra shumë më serioze dhe jo t’iu referohemi “zërave që thonë se”.

Rrezikon vendi të shkojë në destabilitet, z. Rama, me këtë tërheqje të situatave më të fundit politike?

Nëse vazhdojmë të mos vlerësojmë rolin dhe rëndësinë që merr dialogu politik, bashkëpunimi në këtë dialog dhe angazhimi real i të gjithë aktorëve politikë, pa dyshim që situatat konfliktuale dhe gjuha e konfliktit komplikojnë situatën dhe mund të sjellin realitete që nuk do t’i shërbenin as qytetarëve dhe as vendit. Prandaj, për të evituar apo për të shmangur çdo lloj komplikacioni të kësaj situate, që edhe kaq sa është nuk është pak e komplikuar, është emergjente, do të thosha unë, ulja në tryezën e dialogut dhe diskutimi i hapur i çështjeve për të çuar te zgjidhje që kapërcejnë situatën.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.