EKONOMI

Udhëzimi për maturën, Vejsiu: I njëjti gabim si një vit më parë

10:45 - 25.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Ola MITRE

 

Një ditë pas publikimit të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit mbi pranimet në universitete, ish-drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu ka pohuar se ky udhëzim duhet ndryshuar, për të mos u përballur me kaosin e krijuar gjatë vitit të kaluar. “Nëse nuk duan të ndodhë ajo që ndodhi në Maturën 2016, ky udhëzim duhet ndryshuar. Sugjeroj rankimin e preferencave për të eliminuar etapat e zhurmshme dhe stresuese për maturantët dhe familjet e tyre. Maturanti më i mirë fiton preferencën e parë, të tjerët mbajnë radhën (presin vendet bosh që kanë lënë më të mirët). Maturantët i kanë përcaktuar se kë drejtim studimi pëlqejnë më shumë. Stafi i ri i MAS-it, të mos bëjë të njëjtin gabim që u bë vitin e kaluar”, komentoi Vejsiu në rrjetet sociale. Po ashtu, ai shtoi se: “Në të kundërt do të mbartin mbi supe mallkimin e mijëra maturantëve dhe prindërve (edhe timin, sigurisht)! Nuk do të mbetem thjesht në suazën e mallkimit, do të flas edhe më shumë sesa viti i kaluar, pasi nuk i kam parë kurrë gjërat politikisht! Jam munduar të jem sa më profesional (flas edhe në emër të përvojës në këtë fushë)”.


Udhëzimi
Përmes një udhëzimi, që mban datën 19.05.2017, Ministria e Arsimit përcaktoi të gjitha rregullat dhe afatet që duhet të ndjekin maturantët. Sipas këtij dokumenti, pas finalizimit të procesit të Maturës Shtetërore, maturantët do t’i nënshtrohen raundit të parë të aplikimit për në universitet, i cili ka për qëllim procesin e aplikimit online në portalin “Matura Shtetërore Online”. Të drejtën e aplikimit e kanë vetëm ata kandidatë të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe plotësojnë dokumentacionin, kushtet që kanë të bëjnë me pajisjen me dokumentacion ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm, plotësimi i notës mesatare, e cila duhet të jetë mbi 6, apo nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër. Maturantët, përpara aplikimit në portalin e Maturës Shtetërore, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën e 2 mijë lekëve në zyrat e Postës Shqiptare apo bankat e nivelit të dytë. “Në periudhën 20-29 korrik 2017, të gjithë kandidatët të cilët duan të ndjekin studimet në universitet, duke përfshirë edhe ata që kanë përfunduar studimet jashtë vendit, pas pagesës së tarifës, do të kryejnë aplikimin në portal, nëpërmjet formularit. Aplikimi do të kryhet në çdo drejtori arsimore sipas kalendarit të përcaktuar”, thuhet në udhëzimin e MAS-it. Gjatë aplikimit, kandidatët zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista e programeve që ofrojnë universitetet për këtë vit akademik. Një ditë pasi maturanti ka parë emrin në listën e fituesve, që më 29 gusht, mund të shkojë në sekretarinë e shkollës për të bërë direkt regjistrimin me dokumente. Është menduar se kjo periudhë, deri më 11 shtator, të bëhet me 7 faza regjistrimesh 48-orëshe, duke zhvendosur aq herë vizën e kuqe, deri në plotësimin e kuotave bosh. Fituesit që nuk regjistrohen brenda afateve, humbasin të drejtën e studimit, por mund të aplikojnë për raundin e dytë.


Raundi i dytë
Sipas udhëzimit, brenda 13 shtatorit do të shpallen kuotat e lira, ndërkohë që mundësia e çregjistrimit për ata që nuk janë të bindur për zgjedhjen që kanë bërë, është vetëm data 12 shtator. Kandidati bën një kërkesë për çregjistrim në sekretarinë mësimore të fakultetit ku është regjistruar, duke tërhequr edhe dokumentet e tij. Ndërkaq, aplikimet për raundin e dytë do të bëhen brenda një jave, nga 15-22 shtator, dhe këtu mund të garojnë ata kandidatë të cilët nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë, nuk janë shpallur fitues gjatë raundit të parë, nuk kanë arritur të regjistrohen në fazën e parë apo janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë 2 kalendarët, në lidhje me aplikimet në raundin e parë dhe të dytë, të cilët i gjeni bashkëngjitur shkrimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.