Shëndet

Mbroni mëlçinë dhe veshkat me çajin e mëlqinjës

12:00 - 19.02.18 Gazeta Shqiptare

Në pamje të parë duket si një shkurre e vogël plot gjemba, por mëlqinja është një ndër bimët medicinale që ndihmon për një shëndet më të mirë. Ajo përmban një substancë kimike të quajtur berberinë, e cila lufton inflamacionin, ul tensionin e gjakut dhe ka efekt qetësues.



Përbërësit kimikë të mëlqinjës e mbrojnë zemrën nga ishemia, e cila shkaktohet nga dëmtimi në inde, që ndodh kur gjaku nis të qarkullojë normalisht pas mungesës së oksigjenit. Berbamina, një prej këtyre përbërësve, rregullon nivelin e joneve të kalciumit brenda qelizave. Ajo parandalon aktivizimin e një proteine të quajtur kalpainë, e cila ka një rol kryesor në infarktin e zemrës.

Berbamina rrit ndjeshmërinë e qelizave ndaj kalciumit, një mineral që rregullon kontraktimin e muskujve. Gjithashtu, mëlqinja mbron mëlçinë, por ndihmon edhe në trajtimin e diarresë, sidomos asaj të shkaktuar nga helmimi nga ushqimi. Duke qenë se bakteret e diarresë lënë pasoja serioze, rekomandohet që antibiotikët të shoqërohen edhe me mëlqinjën për një shërim më cilësor. Megjithatë, përpara se të ndërmerrni këtë hap, duhet të konsultoheni me një mjek. Kjo sepse mëlqinja ka gjasa të zbusë efikasitetin e antibiotikëve. Më tej, mëlqinja përdoret për zbutjen e inflamacionit dhe infeksioneve në traktin gastrointestinal, respirator dhe urinar. Barishtja përdoret edhe kundër mykut në lëkurë ose në organet gjenitale.

Ekstraktet e saj zbusin simptomat e akneve apo psoriazës. Ndërkohë, edhe rrënja e mëlqinjës është përdorur tradicionalisht në mjekësinë popullore për të zbutur simptomat e diarresë, problemeve me stomakun dhe etheve. Aplikimet në lëkurë të rrënjës së mëlqinjës zbusin inflamacionin dhe problemet siç është psoriaza, megjithatë nevojiten studime të mëtejshme shkencore. Lëvorja e rrënjëve dhe frutat e thara të bimës përdoren si preparate mjekësore. Mëlqinja ka veti laksative, diuretike, koleretike, spazmolitike e përdoret në sëmundje të veshkave, në gurë të veshkave, në pezmatime të rrugëve urinare. Por kujdes, pasi tejkalimi i dozës mund të dëmtojë veshkat si dhe mund të japë përgjumje, të vjella, diarre etj.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.