OPINION

Shtresa e mesme, e drobitur dhe e holluar gjer në asht po lëngon

07:45 - 13.01.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Që emigrimi është tashmë një plagë e mavijosur në Shqipëri, askush nuk e mohon. Që në një Shqipëri si kjo e jona, një shtet ende i pakonsoliduar mirë dhe me një ekonomi të vogël e në zhvillim, diçka e tillë duket e natyrshme, edhe këtë, pavarësisht se mund ta diskutojmë, nuk mund ta anashkalojmë. Do të ketë gjithmonë një shtresë të varfër, ndonëse të pashkolluar e të pandihmuar nga fati apo nga historitë familjare, e cila do të pritet e do të gjejë me çdo kusht mundësitë për t’u larguar. Është pikërisht ajo masë konstante për të cilën flet qeveria dhe mazhoranca herë pas here, kur botohen shifrat e emigrimit. Në skajin tjetër, besoj se mund të quhet e kuptueshme, edhe pse mund të duket paradoksale, ai lloj i veçantë emigrimi, që përmblidhet në termin “rrjedhje e trurit”. Shqipëria i ka të pamundura kushtet e lulëzimit dhe lëvrimit të talenteve me shpërblimin e caktuar ekonomik që u jep, ndaj, përtej patriotizmit dhe moralit, nuk ka pse të mos e pranojë shpalosjen e tyre gjetkë. Por nga ana tjetër, nuk duhet kurrsesi të lejojë mospërpjekjen e vazhdueshme, sistematikisht në ngritje, vit pas viti, të projekteve dhe procedurave të veçanta e me lehtësi ligjore dhe ekonomike, që fryti apo produkti i tyre të gjejë një degë e të lulëzojë edhe në Shqipëri.




E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe për ngritjen e vazhdueshme të nivelit të jetesës, sidomos për shtresën e varfër, për ta ngjitur atë të paktën në nivelin e një jetë jo të mizershme e dinjitetshkelëse. Nuk po flasim për shumë, as për një hop ekonomik e as për bum të përkrahjes sociale. Janë detyra të sistemit të jetës që ndërton çdo demokraci dhe shtet, edhe kur nuk është në nivelin më të lartë. Kjo është agjenda e detajuar e çdo qeverie në planin ekonomik, të përballet me statistikat e të ardhurave dhe shpenzimeve të shtresave të ndryshme të popullsisë. Ky është imazhi më konkret i jetës reale, kjo është baza mendore dhe shpirtërore, ku hidhet themeli i emigrimit të pandalshëm shqiptar. Ndonëse mund të plekset edhe me problemet e demokracisë, në këtë burim e gjejnë rrjedhën e vet të gjitha ato histori personale të “arratisë” që po i ndodh Shqipërisë.

E kemi menduar gjithmonë se emigrimin do ta kemi si një simbiozë të trupit të vogël të atdheut tonë, ndaj nuk jemi shokuar apo tronditur as nga vala e madhe e të varfërve e as nga dromca e të shkëlqyerve që braktisin në mënyrë konstante Shqipërinë. Ndoshta fuqia ekonomike e sistemit tonë nuk i ka ende kushtet t’i mbajë këtu, me një pagë të qëndrueshme, të përshtatshme për një nivel jete sado të thjeshtë të gjithë këta njerëz. Papunësia jonë vret, bashkë me pamundësinë kronike. Vetëm se deri më sot ideja se Shqipëria po zhvillohet, se ajo po ndërton përditë pallate, qendra biznesi dhe argëtimi, se Shqipëria udhëton, del me pushime dhe harxhon nëpër bare dhe restorante ishte ajo që na mbante gjallë shpresën se rruga është e gjatë, e vështirë, por është e drejta. Besonim me të drejtë se kishim një shtresë me të ardhura të qëndrueshme, që pomponte gjithë këtë gjak zhvillimi në dejet e ekonomisë shqiptare e që mund të quhej shtresa jonë e mesme, ku kisha një pretendim modest se isha edhe unë. Ka qenë ajo, që për vite me radhë e ka luajtur denjësisht këtë rol, me vuajtje dhe përpjekje të panumërta, por gjithsesi edhe me kënaqësinë se ia ka dalë falë talentit, punës sistematike dhe ndihmës për t’u shpalosur që ka gjetur në ambientin e përgjithshëm ekonomik dhe social. Mirëpo, këto vitet e fundit, duket qartë se kjo shtresë po lëngon rëndë për të ardhur në një statistikë të botuar kohët e fundit, e cila e gjen të reshur e të holluar gjer në asht masën që kjo shtresë zë në trupin e drobitur varfërisht të shqiptarëve. Ndonëse u anashkalua gjerësisht, një statistikë e tillë duhet të na kishte tronditur dhe skandalizuar shumë më tepër se të gjitha ato lloj emigrimesh që na kanë ndodhur e do na ndodhin vazhdimisht. Kjo tregon se ka vite që është tharë ajo zemër që pomponte gjak në trupin e Shqipërisë ekonomike, kjo tregon se Shqipërisë tashmë ka filluar t’i rreshket e ardhmja, e kjo është tragjike. Nuk do të doja të përfshija një histori personale në këtë koncept të përgjithshëm, por edhe dëshmia e historisë sime mund ta konkretizojë fenomenin. Edhe unë i kam përkitur kësaj shtesë që me vullnetin e saj të përditshëm arriti të blejë një shtëpi, të botoj libra me një shtëpi botuese, të gjej kohë nga hallet e përditshme dhe të shkruaj libra, ndonjëherë edhe të udhëtoja, apo të vizitoja edhe panairin e librit në Frankfurt, për t’u abdeituar me idetë e reja të botimit botëror e kështu me radhë. Pra, arrita të përmbush nevojat elementare të   jetës sime. E po të njëjtën gjë do të doja t’ia trashëgoja edhe vajzës sime. Mirëpo as arrij që të përpëlitem dot më në këtë shtresë. Sot unë jam plotësisht me jetën time si të varfrit e tjerë. Përtej përpjekjeve të mia të mëdha dhe kontributit që po jap për këtë vend, ndjehem plotësisht i braktisur prej qeverisjes. Por shoh që jo vetëm unë, por një mori e tërë profesionistësh, të llojeve dhe zanateve të ndryshme, sidomos intelektualë, ndjejnë thellë një përkeqësim total të gjendjes, që ka disa vite që po zvarritet. Nëse mund ta anashkalojë apo ta justifikojë emigrimin (i cili tash ndjej se më vjen rrotull edhe mua), për arsye objektive dhe të përgjithshme ekonomike në gjithnjë sistemit vend, shkatërrimin e shtesës së mesme nuk mund ta lejojë asnjë qeveri, asnjë opozitë, asnjë pushtet apo oligark, sepse ajo siguron vazhdimësinë e jetës kulturore dhe shoqërore, të   opinionit, të çdo pushteti apo klase. E s’mund ta lejojmë, sepse shterimi i saj e kthen në shkretëtirë  çdo komb dhe shtet dhe kjo vjen si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e politikave, jo e sistemit. Është rezultat i mosideimit të projekteve për ta përforcuar atë, të çeljes së institucioneve dhe mundësive për ta financuar atë nëse jo drejtpërdrejt, në mënyrë të tërthortë, siç ndodh në të gjithë botën, apo siç po ndodh sot edhe me shoqërinë civile, që e subvencionon  me një faturë jo të vogël. Është rezultat i mospërkujdesjes për gjetjen e mekanizmave të veçantë të rritjes së të ardhurave të tyre dhe e krijimit të prioriteteve në politikat qeverisëse. Dhe e gjitha kjo   është plotësisht pabarazi e krijuar me politikat jo në përputhje me kriteret e rishpërndarjes së të ardhurave për shtresat e varfra dhe të mesme, apo me prirjen sociale të një qeverie. Është pikërisht mënyra më e shkurtër për të rigjallëruar ekonominë tonë tashmë të ngecur, pasi edhe përmasa e kësaj shtrese nuk krahasohet me ndryshimin sistemik që do të kërkonte ndryshimi i gjendjes së përgjithshme. Ajo do vullnet politik, ide dhe largpamësi, pasi është njëherësh edhe rruga më e drejtë për t’i kthyer shpresën edhe kësaj pjese tashmë krahë-prerë për të ardhmen. Kjo e ardhme e zymtë, nëse do të mavijoset deri në një gangrenë që do të na detyrojë të presim edhe gjymtyrë nga trupi ynë ekonomiko-social, duhet të jetë kryefjala e çdo programi apo agjende politike. Nëse emigrimi tashmë na i ka larguar njerëzit, qëndresa krenare dhe burrërore e shtresës së mesme ndaj varfërimit të saj të përditshëm na ka lënë ende kohë për ndryshim. Ku do të shkojnë rrënjët e këtij vendi po qe se do ikë masvisht edhe kjo shtresë, siç edhe po ikin përditë masivisht të tjerët? Kush do të mbetej këtu përveç oligarkëve dhe politikanëve?

Le ta rrokim atë sa jemi në kohë, përndryshe fëmijët nuk do të na e falin rrënimin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.