OPINION

Rinia, shpresa për ndryshim

07:27 - 24.01.20 Igli Tola
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme”, leksion që vjen nga ish-kryeministri italian i viteve ‘50, Alcide de Gasperi. E në qoftë së këtë postulat do të donim ta aktualizonim, do të thoshim që jo vetëm të mendohet/punohet për gjeneratën e ardhshme, por mbi të gjitha të bashkëpunohet me ta (rininë).




Të gjithë të rinjtë sot thonë: “Asgjë për ne, pa ne”! Asgjë e bërë pa pjesëmarrjen e tyre aktive dhe kuptimplotë, sado qëllimmirë dhe mirimplementuar nuk ka si të jetë e mjaftueshme. Më mirë se ta, kurrsesi askush nuk e di si duam që ta shohim dhe jetojmë botën. Bashkëlidhur edhe me faktin se të rinjtë kanë freskinë, forcën, krenarinë, vitalitetin, mundësinë për të ndryshuar realitetin.

Ata janë e ardhmja dhe ajo në vendet tona mund të jetë më e bukur nëse merr ngjyrat e tyre, ngjyrat e njerëzve që e duan vendin dhe zhvillimin. Të gatshëm të marrin fuqinë e tyre në dorë dhe të përmbushin potencialin e tyre të plotë. Ato mund të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre, të ardhmen e tyre dhe të së gjithë botës.

Një nga truket e përdorura me efikasitet për t’i mbajtur të rinjtë larg vendimmarrjes është konsiderimi i tyre si e ardhmja. Ama, këto mbi 1.8 miliardë individë janë së pari e tashmja. Nuk ka të ardhme pa të tashme, e aq më pak vend për premtime të llojit se kur të vijë koha do t’u kalohet “stafeta” e drejtimit të fateve njerëzore. Kjo mendësi reflekton së pari filozofinë e pushtetit aktual, që në rastin më të mirë shfaqin sjellje supermacie (vetëm ata janë të aftë të qeverisin), e në rastin më ekstrem sillen me pushtetin si “pushtues”. “Një plaçkë lufte” me të cilën bëjnë ç’të duan, e ndajnë me kë duan, e kur vjen momenti që lodhen me të (njësoj si fëmija me lodrën e tij) caktojnë edhe kujt do t’ia pasojnë (madje i/u vendosin kushte rigoroze për përdorimin).

Demokracia me përfaqësim që kemi zgjedhur si formë delegimi të pushtetit të masës popullore te një klasë politike e mandatuar për të përfaqësuar interesat e tyre nuk nënkupton “të drejta ekskluzive” mbi vendimmarrjen për këtë elitë. Përfundim në të cilin doli Presidenti Truman kur shprehej se: “Detyra e shtetarëve të mëdhenj është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën”.

Metoda e dytë për t’i mbajtur të distancuar të rinjtë nga vendimmarrja (sa afër dhe larg në rastin konkret) është përdorimi i tyre si “dekor elektoral”. Ftohen të rinj të anëtarësohen, organizohen mbledhje etj., por rezultati mbetet ai i paracaktuari. Zëri i tyre “i shurdhët” si ngahera.

Politika në vendet tona ka nevojë të rigjenerohet, ujërat duhet të lëvizin dhe uji më i pastër janë të rinjtë dhe jo ata që luten t’u japë Zoti jetë për të qëndruar në pushtet. Ama, në qoftë se në natyrë kjo është një ligjësi, duket se për të ndodhur kjo gjë, në shoqëritë tona ka nevojë për përpjekje të mëdha. Së pari, lipset të kuptohet rreziku dhe konteksti, të lihen pas interesat tejet të vogla personale-meskine dhe me vullnet dhe insistim të fillohen të merren përgjegjësi. Përgjegjësi që së pari, duhet të mbushë “gap”-in social e më pas atë politik. Pra, humnerën midis pushtetit edhe popullit, domethënë një “contropotere” që kontrollon pushtetin.

Në ‘89-‘90, Ralf Dahrendorf ka botuar librin “Letër imagjinare një mikut nga Varshava”, ku flet ndër të tjera për të ardhmen pas rënies së Murit të Berlinit dhe thotë një gjë interesante, që mbështet argumentin e mësipërm: – “Nëse për të ndryshuar ligjet do t’u duhen 6 muaj, nëse për të ndryshuar ekonominë, strukturën 6 vjet, për të ndërtuar atë që quhet shoqëri (civile) duhen së paku 60 vjet”. E themi këtë për të treguar kohën që nevojitet, sepse këto vite po provojnë që edhe ato gjëra për të cilat duheshin 6 muaj apo 6 vjet nuk po realizohen. Kurse, (ri)ndërtimi i shoqërisë është i vështirë, sepse në thelbin e saj qëndron demokracia, aftësia e njerëzve për t’u bërë zot të vetvetes.

E që rinia të kapë kohën e humbur në këtë maratonë 60- vjeçare, duhet të ketë në konsideratë shembullin e “revolucionarit paqësor” Gandit. Ai mendonte se e keqja është një e mirë e vendosur në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Në këtë kuptim, edhe tentativat e “politikës së vjetër” (që një pjesë preferon ta cilësojë – oligarki) për të përfshirë “gjak të ri”, u perceptua sikur rinia po sensibilizohet, po ndjek politikën, po tenton të ndryshojë shoqërinë, por e vendosur në vendin e gabuar, sepse nuk sjell ndonjë “risi” përkundër politikës së vjetër.

E që të koordinohen koha dhe vendi i duhur, për të arritur suksesin rinia duhet të sjellë një alternativë ndryshe. Alternativë e mbështetur në ndershmëri, suport publik dhe larg lojërave për të mbijetuar në “infinit” në fushën e “shahut” politik. Të gjendet një zgjidhje për “oligarkinë”, që është konsoliduar gjithnjë e më shumë në pushtet, është bërë gjithnjë më e paprekshme, më pak e kritikueshme.

Me pak fjalë, të arrihet “goditja/riformatimi” i sistemit, sepse është konsoliduar dhe është mjaft i rrezikshëm për liritë dhe për zhvillimin e vendeve. Ama, shembja e aktualit të mos bëhet si rrjedhojë e kontenuanitetit të kompleksit të fillim viteve ’90, “prish dhe shkatërro çdo gjë që të del para”, por për t’i dhënë “jetë” modelit të ri socio-politik.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.