DOSSIER

“Unë kundërshtova futjen e tankut dhe të qëlloheshin me granata dy të ngujuarit”

11:06 - 20.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi –Memorie.al” publikon historinë e panjohur të ndodhur në qytetin e Shkodrës, më 23 janar të vitit 1983, kur dy të rinj, Fatmir Gusha dhe Sali Breshni, pasi kishin rrëmbyer tri armë automatike “Kallashnikov” dhe disa karikatorë, në një nga repartet që ndodhej në fshatin Shtoj, u nisën drejt qytetit të pashqetësuar nga njeri deri te Dega Ushtarake, ku pasi u diktuan dhe u konfliktuan me një oficer, filluan të qëllonin në ajër në shenjë presioni.




Largimi i tyre për të shkuar te Dega e Brendshme u pikas nga forcat e policisë dhe u detyruan të qëndronin te një rrugicë pas Instituti Pedagogjik, “Luigj Gurakuqi”, ku hynë dhe u ngujuan te shtëpia e familjes Hysej, ku u rrethuan nga forca të shumta të Policisë së Shkodrës dhe Divizionit Ushtarak, si dhe Forcave Speciale (Reparti 326) të ardhura nga Tirana.

E gjitha ngjarja sipas dëshmisë së rrallë të ish-kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Shkodrës, Përparim Xhoxhaj, publikohet për herë të parë nga “Memorie.al”, pasi që nga mbrëmja e 23 janarit 1983 e deri më sot, gjithçka ka mbetur në heshtje duke e mbuluar me mister atë ngjarje që tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe udhëheqjen e lartë në Tiranë, pasi Ramiz Alia dërgoi urgjent në Shkodër ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi dhe gjithë natën që u mbajtën të rrethuar dhe deri në mëngjes, kur dhe u eliminuan fizikisht, duke i shembur shtëpinë me një tank dhe duke i qëlluar me granata, Ramizi ishte në kontakte me ta, duke dhënë urdhra, mendime dhe sugjerime.

Kush ishte Fatmir Gusha që në qytetin e Shkodrës njihej edhe me nofkën, “Caf Susta” dhe Sali Breshni, çfarë problemesh kishin ata dhe familjet e tyre me regjimin komunist në fuqi dhe cili ishte qëllimi i tyre pas marrjes së armëve në repart dhe përse nuk pranuan të dorëzoheshin edhe pasi forcat e policisë dhe personalisht, drejtori i përgjithshëm Kasem Kaçi, dërgoi djalin 13-vjeçar të Fatmirit, që e mësonin oficerët e Degës, i bënte thirrje të atit që të dozohej…?!

Dëshmia e Përparim Xhoxhajt dhe familjes Gusha, Mit’hati, (vëllai i Fatmirit), Bardhit djalit të Fatmirit, që u mor peng nga policia për “negociata” me të atin, si dhe disa shokëve të “Caf Sustës”, me rrëfimet e tyre për herë të parë hedhin dritë mbi këtë ngjarje. Për 37 vite eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende, edhe pse familjarët s’kanë reshtur së kërkuari.

Ishte mbrëmja e 23 janarit e vitit 1983, kur qetësinë në qytetin e Shkodrës e prishën disa krisma armësh dhe sirenat e automjeteve të policisë, të cilat drejtoheshin për nga qendra e qytetit, në zonën afër Institutit Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”. Këto shkaktuan një panik dhe frikë në të gjithë qytetin, ku thuhej se, “një bandë e armatosur kishte ardhur nga Jugosllavia, duke vajtur deri në qendër të qytetit pa u kuptuar nga njeri, aty ishin rrethuar nga forcat e policisë, ushtrisë dhe Forcat Speciale nga Tirana, që po luftonin kundra tyre dhe ata nuk dorëzoheshin”.

Të gjitha këto si dhe versione nga më të ndryshmet lidhur me atë që po ndodhte atë mbrëmje të 23 janarit të vitit 1983 në qytetin e Shkodrës do të vazhdonin të “bluheshin” paralel me atë që po ndodhte realisht aty pas Institutit Pedagogjik te shtëpia e Hysejve. E vërteta do të merrej vesh vetëm në mengjesin e datës 24 janar, pak pasi armët kishin pushuar dhe sirenat e policisë nuk po dëgjoheshin më.

Kasem Kaci Drejtori i Pergjithshem i Policise qe drejtoi operacionin per vrasjen e tyre HEKURAN_ISAI_22 87172935_2595428130699302_2578067554081701888_n 87050456_129338118419603_8926141694173249536_n 87038994_503243313721002_7965810418654380032_n
<
>

Atë mëngjes në të gjithë Shkodrën u hap lajmi se dy personat që ishin ngujuar në shtëpinë e Hysejve kishin luftuar gjithë natën kundra forcave të policisë dhe atyre të ushtrisë që i mbanin të rrethuar, kishin qenë Fatmir Gusha, (i njohur ndryshe me nofkën Caf Susta) dhe Sali Breshni, një shok i tij. Pasi nuk pranuan të dorëzoheshin, u eliminuan fizikisht duke u qëlluar me granata dhe një tank i vogël i Divizionit të Shkodrës, ua prishi shtëpinë duke i zënë brenda ata.

Lidhur me këtë ngjarje të ndodhur 37 vite më parë në qytetin e Shkodrës, e cila u mbajt e fshehtë nga regjimi komunist dhe nuk është bërë kurrë publike “Memoria.al” publikon pjesën e parë të intervistës me ish-kryetrarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, z. Përparim Xhoxhaj, të cilën ai na e ka dhënë para pak vitesh.

Zoti Xhoxhaj, si vijoi më tej ngjarja, ku mbaheshin të rrethuar Fatmir Gusha me Sali Breshnin?

Ndërsa me forcat e policisë, Sigurimit të Shtetit, të Ushtrisë së Divizionit të Shkodrës ku ishin dhe rezervista dhe e atyre speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë (reparti 326), ne mbanim të rrethuar shtëpinë e Hysajve, Fatmiri me Saliun vazhdonin të qëllonin pa pushim nga dritaret e shtëpisë. Nga pozicioni ku ata ndodheshin, pothuaj ishte e pamundur që forcat tona speciale të hynin në shtëpi, pasi do mbeteshin të vrarë.

A u tentua të negociohej, me ndërmjetësime apo me megafon, siç kemi parë të veprohet më vonë në ngjarje të tjera që kanë ndodhur?

Patjetër, që në fillim ne u munduam të negocionim me ta, duke u bërë thirrje të dorëzoheshin, por ata as nuk donin t’ia dinin, përkundrazi qëllonin më shumë. Unë vetë u afrova disa herë afër, në një kënd ku nuk më kapte rrezja e qitjes së tyre dhe i bëra thirrje Cafit, (pa megafon, se nuk kishim, por me gojë duke bërtitur), duke i thënë të dorëzohej se nuk do kishte pasoja.

Si reaguan ata, pas thirrjeve nga ana juaj?

Ata nuk dorëzoheshin dhe qëllonin pa pushim. Në këto kushte, duke mos pasur rrugëzgjidhje tjetër, ne vendosëm që të merrnim bashkëshorten e Fatmirit, bashkë me fëmijën e tyre të vogël dhe ta dërgonin brenda shtëpisë, ku ajo t’i lutej atij të dorëzohej. Vendosëm kështu, pasi jo vetëm se ai tjetri, Saliu, ishte djalë i ri dhe i pamartuar, por pasi e dinim se aty ishte Fatmiri kryesori.

Dhe e zbatuat atë plan, pra e morët bashkëshorten dhe djalin e tij, për ta sjellë aty në vendngjarje?

Po, kështu bëmë. Dërguam njerëz, e morëm atë në shtëpinë e saj, e u soll aty. Ne e futëm brenda shtëpisë së bashku me djalin e vogël. Ajo me djalin qëndruan brenda rreth 20 minuta dhe pastaj dolën jashtë. Ajo na tha se Cafi dhe shoku i tij nuk pranojnë të dorëzohen.

Për futjen e bashkëshortes së Fatmirit brenda shtëpisë, a u konsultuat me Tiranën, apo ishte thjesht iniciativë e juaja?

Ishte iniciativë e jona, pa e pyetur Tiranën. Pak minuta pasi kishte dalë gruaja e Cafit nga shtëpia, Ramiz Alia më kërkoi në telefon dhe më tha: “Nuk do bëni mirë ta fusni gruan në shtëpi, pasi ata mund ta mbajnë brenda atë dhe ju çfarë do bëni pastaj…, atë do vrisni…, do luftoni me fëmijë…”.

Pasi dështuat me negociata dhe futjen e gruas së Cafit në shtëpi, çfarë bëtë më tej?

U hodh ideja të hidhnim një bombë kimike afër shtëpisë, në mënyrë që ata të paralizoheshin. Na u ofrua kjo zgjidhje nga ana e ushtarakëve të Divizionit të Shkodrës, specialist të armës së Kimisë, unë e pyeta oficerin kimist se: çfarë pasojash do kishin dy të rrethuarit pas hedhjes së bombës kimike?

Si iu përgjigj ai?

Ai oficer që m’u duk pak i lehtë nga mëndja, më tha shprehimisht: “Atyne të ngujuemve nuk ka ç’ka ju ban, se janë mbrenda, por këtu jashtë ban namin”. Pas kësaj vendosëm të heqim dorë nga hedhja e bombës kimike dhe vendosëm që aty të vinte diagaçi (tank i vogël i blinduar) nga reparti i tankeve.

Dhe e sollët?

Po, se nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër dhe kështu u bë. Pas mesnatës, në mos gaboj nga ora 3 e natës, futëm diagaçin, i cili u afrua afër shtëpisë, prishi një mur rrethues dhe një pjesë të shtëpisë dhe aty mbeti se u fik motori dhe nuk ndizej më.

Ç’ndodhi pas kësaj, si vepruat?

Ndërkohë që diagaçi mbeti aty, Cafi dhe Saliu qëllonin pa pushim. Pasi dështoi dhe kjo tentativë me diagaç, forcat e ardhura nga Tirana që shoqëronin Kasem Kaçin, me urdhrin e tij, u afruan te dritaret e shtëpisë në një rreze, ku nuk i kapte qitja e tyre dhe hodhën brenda shtëpisë dy granata. Pas hedhjes së granatave, nuk po dëgjoheshin më krismat e armëve të Saliut dhe Cafit, gjë e cila linte të kuptohej se ata, ose ishin vrarë ose ishin plagosur. Pasi u saktësua kjo nga vrojtimet që u bë nga dritaret, forcat e policisë hynë brenda dhe panë se ata ishin plagosur dhe gjakosur nga ciflat e granatave.

Si u veprua pas kësaj?

Menjëherë forcat e policisë i kanë marrë ata të dy, ashtu të plagosur dhe i kanë nisur në drejtim të spitalit të qytetit, ku që në momentin e fillimit të ngjarjes, (në ora 19 e 30 e mbrëmjes) qëndronin në gatishmëri një grup mjekësh, me në krye mjekun e talentuar dhe tepër human, Ali Spahia. Por, fatkeqësisht, Sali Breshni ka dhënë shpirt rrugës pa mbërritur në spital, kurse Caf Susta ka vdekur sa ka mbërritur në sallën e operacionit. Kështu u mbyll kjo ngjarje tragjike nga ora 5 e mëngjesit e 24 janarit të vitit 1983 dhe ata, pra Cafi me Saliun, nuk kanë thënë asnjë fjalë pse e bënë atë gjë.

A ekzistonte mundësia që ata të kapeshin të gjallë dhe të mos vriteshin?

Të jemi të sinqertë deri në fund, ata nuk kishin pse të vriteshin, pasi ne e dinim se sa municion kishin, duke llogaritur numrin e fishekëve dhe pasi t’ju mbaroheshin ato, ata nuk kishin se çfarë të bënin dhe kapja e tyre nuk do ishte e vështirë. Dhe unë nuk isha për hedhjen e granatave, pasi mundësia e vrasjes së Cafit dhe Saliut ishte 100% e sigurt.

Po të nesërmen, a më pas, u bë ndonjë mbledhje për të analizuar atë që kishte ndodhur?

Patjetër, të nesërmen u bë një mbledhje në Degën e Brendshme, ku u analizua ngjarja dhe nga aty doli se forcat e policisë kishin qenë në gatishmëri të plotë dhe se kishin shkuar në vendngjarje me iniciativën e tyre, pa i komanduar kush. Dhe në bazë të ligjeve të asaj kohe, u konsiderua pozitive; të qëlloje me armë në qytet quhej terrorizëm. Ngjarja u konsiderua dhe në të vërtetë ishte shumë e rëndë dhe e padëgjuar deri në atë kohë, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë.

Po në Tiranë, a ju thirrën për këtë ngjarje?

Pas disa ditësh na thirrën edhe në sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, mua si kryetar i Degës së Brendshme, Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë së Shkodrës, Sulejman Bushatin; kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, komandantin e komisarin e Divizionit të Shkodrës.

Kush ju priti për këtë ngjarje?

Na priti Ramiz Alia, i cili në fillim iu drejtua me fjalë të përgjithshme sekretarit të parë, Sul Bushatit dhe pas ndërhyrjes së kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, ia ndërpreu fjalën, duke i thënë: “Ti mos fol, por shiko ekonominë në qytet, pasi nuk janë ato shifra që na servirni”.

Po juve si kryetar i Degës së Brendshme, çfarë ju tha?

Pas atyre, m’u drejtua mua, duke më thënë: “A mund të mos vriteshin ata njerëz?”. Dhe unë iu përgjigja: “Po, mund të mos vriteshin. Por përgjegjësia fillon që te rrëmbimi i armëve në Repartin e Zbulimit dhe në atë repart jo vetëm unë që nuk kam pas të drejtë të futem, por as komandanti dhe as komisari i Divizionit të Shkodrës. Në atë Repart Zbulimi mund të futesh vetëm me leje të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kjo është e sanksionuar nga Këshilli i Lartë i Mbrojtjes. Por mirë që u mbyll me kaq kjo ngjarje, pasi për të marrë armë nuk është shumë e vështirë.

Të kthehemi edhe njëherë te ngjarja, çfarë u bë me trupat e tyre, pasi familjarët na kanë thënë se edhe sot nuk i dinë se ku i kanë varrosur trupat e tyre?

Për ne si Degë e Brendshme me vrasjen e tyre, pra Cafit dhe Saliut, mbaronte puna dhe më tej me atë ngjarje merrej Hetuesia, Prokuroria dhe organe të tjera të specializuara, të cilat ishin të shkëputura dhe nuk vareshin nga ne.

Po ju personalisht, jo zyrtarisht nuk keni mësuar dhe nuk keni dijenie se ku janë varrosur trupat e tyre?

Unë e di se trupat e Cafit dhe Saliut janë varrosur brenda varrezave të qytetit, natyrisht pa pllakë identifikimi, pasi në bazë të ligjeve të asaj kohe, trupat e të vrarëve nga policia apo ushtria, që sipas hetimit të mëvonshëm dhe ekspertizave përkatëse, rezultonin si krime kundër shtetit, nuk u jepeshin familjarëve.

Nisur dhe nga fakti se ju vazhduat të qëndronit si Kryetar i Degës së Brendshme edhe pas asaj ngjarjeje, a mund të na thoni se cili ishte qëllimi i vërtetë i Caf Sustës dhe Sali Breshnit në atë ngjarje, pra çfarë donin të bënin ata?

Siç thashë më lart, ata mbërritën të vdekur në spital pa thënë asnjë fjalë dhe zyrtarisht qëllimi i tyre nuk u mësua kurrë. Por në Shkodër u fol shumë gjatë për atë ngjarje, duke dhënë lloj-lloj versionesh dhe njerëzit e interpretonin sipas asaj që mendonin ose dhe iu interesonte, duke nxjerrë jo problem katolik, mysliman, kosovar etj., etj.

A mund të na thoni ndonjë gjë konkretisht?

Nga ato që kam dëgjuar unë dhe për këtë besohej më shumë, është ajo se: Familja e Caf Sustës ka banuar në një shtëpi (apartament shtetëror me dy dhoma e kuzhinë), nga qendra e Shkodrës, e cila ishte shumë e mirë jo vetëm si pozicion, por edhe nga ana e kubaturës së bollshme dhe cilësisë së ndërtimit të atij pallati. Pas internimit të familjes së Caf Sustës, shteti këtë shtëpi ia dha Sulejman Bushatit, që në atë kohë erdhi në Shkodër me detyrën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë dhe jetoi aty me familjen e tij. Dhe thuhet se inati i Caf Sustës ishte me Sul Bushatin, të cilin e shihte jo vetëm si njeriun që i kishte marrë shtëpinë, por edhe si shkaktar të gjithë të këqijave që i erdhën atij dhe familjes dhe donte të hakmerrej ndaj tij.

A kishit dijeni rreth problemeve biografike që kishin dy personat që mbetën të vrarë, pra Cafi me Saliun. Apo më saktë, cilat ishin raportet e atyre familjeve me pushtetin e asaj kohe?

Po patjetër që kishim. Dega e Brendshme nëpërmjet Sigurimit të Shtetit dinte çdo gjë. Por ato ne i mësuam mbasi hapëm dosjet e tyre kur na u desh të bënim analizat rreth ngjarjes.

Dhe çfarë ju doli…?

Nuk e kujtoj me saktësi se kanë kaluar kaq vite dhe ne dosje kemi pasur me qindra, unë nuk merresha me to, por vartësit e mi që më raportonin kur na e kërkonte puna. Por me që po insistoni dhe ta mbyllim këtu, me sa kujtoj, familja Gusha ka pasur disa probleme, që nga i ati, Fatmirit, (emrin s’ia kujtoj), i cili punonte me një karrocë në Ndërmarrjen Komunale, se kishte qenë xhandar i Zogut. Nuk ishte vetëm kjo, pasi në atë kohë na rezultoi se disa vite para se të ndodhte ajo ngjarje, për babanë e Fatmirit ishin bërë disa mbledhje demaskuese, në ndërmarrje apo organizatën e frontit në lagje, për punën e një fotoje që kishte ngjitur te karroca e tij, foto të një udhëheqësi…! Nuk jam i saktë edhe për këtë, pasi duhen parë dokumentet dhe nuk mund të flasim me hamendje për gjëra kaq delikate.

Dhe kjo u bë shkas që ata u internuan apo u burgosën më pas, pothuaj të gjithë si familje, Fatmiri me të gjithë vëllezërit…?

Gjërat duhet parë dhe gjykuar me kohën kur kanë ndodhur. Nuk ishte vetëm ana biografike, më kanë thënë se ata si vëllezër, ishin gjaknxehtë dhe nuk e kishin për gjë të konfrontoheshin me policinë. Edhe kjo mendoj se ka ndikuar në dënimet e tyre në burgje dhe internime.

A është e vërtetë se babai i Fatmirit, ishte dhe kushëriri i parë i bashkëshortes së njërit prej figurave më të mëdha politike nga Shkodra, që në atë kohë kishte ardhur me punë në Tiranë…?

E di për kë e keni fjalën, pasi edhe ne kishim dijeni rreth kësaj, por nuk kemi diskutuar kurrë këtë gjë, pra lidhjen farefisnore që kishin ata.

Po pas asaj ngjarjeje?

Sigurisht që ajo u përfol, por jo zyrtarisht dhe ne si Degë e Punëve të Brendshme nuk mund të merreshim me atë fakt, pra lidhjen farefisnore të familjes Gusha me atë funksionarin e lartë. Pasi ne vareshim nga Komiteti i Partisë dhe jepnim llogari aty dhe jo Komiteti Partisë te ne. Pra, thënë shkurt e qartë, ne nuk mund të merrnim në analizë, Partinë, por Partia na merrte ne.

Duke ju falënderuar edhe njëherë për të gjitha dëshmitë tuaja rreth kësaj ngjarje, në mbyllje të kësaj interviste, a mund të na thoni dy fjalë shumë shkurt, rreth vetes suaj, pra si vijoi karriera juaj profesionale pas asaj ngjarjeje?

Unë kam lindur në qytetin e Beratit në vitin 1938, kam mbaruar shkollën e Ministrisë së Brendshme në Sauk, në vitin 1960 dhe më pas Fakultetin Juridik. Nga viti 1980 deri në vitin 1987 kam shërbyer në detyrën e kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës dhe më pas në Ministrinë e Brendshme si oficer i lartë dhe këshilltar i disa ministrave të Brendshëm. Në vitin 1991, në datën 2 prill, pas ngjarjes ku mbetën të vrarë 4 persona (që tashmë janë Dëshmorë të Atdheut), në orën 4 pasdite jam komanduar dhe kam marrë përsëri detyrën e kryetarit të Degës së Shkodrës, ku kam qëndruar vetëm për tre javë. Unë nuk doja të shkoja përsëri në atë detyrë, por ma kërkuan si lutje, duke më thënë se populli i Shkodrës ka pasur dhe ka respekt për mua, prandaj e pranova të vija duke u vënë kusht që të rikthehesha në Tiranë porsa të stabilizohej situata. Ndërsa pas viteve ’90-të, kam punuar si këshilltar i disa ministrave të Punëve të Brendshme dhe i kryeministrit Ilir Meta deri në vitin 2000.

Zoti Xhoxhaj, ju falënderoj shumë!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.