Homo Albanicus

Shqiptarët dhe totalitarizmi i heshtur

07:44 - 22.02.20 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deri më 2 Mars të këtij viti, shqiptarët do të nanuriten nën ligjërimin e përditshëm të presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama për mbrojtjen e Demokracisë së Shqipërisë, kushtetueshmërisë dhe Lirisë, që në fakt po e prekin nga të gjitha anët. Të gjithë kundër të gjithëve.




Por, larg të tjerave, Shqipëria, ashtu si shumë nga vendet e Ballkanit, po gjendet para një situate ku duket se po preken shumë nga liritë bazike. Jo thjesht, se tashmë po ngre zërin gjithnjë e më shpesh pas letargjisë Komiteti shqiptar i Helsinkit, porse individi shqiptar është realisht i pambrojtur dhe i sulmuar nga vetë shtetarët e tij. Duke marrë parasysh dhe faktin se Shqipëria, si fqinjët e tjerë njësoj problematikë sa i përket problemeve të brendshme të lirisë dhe një shteti funksional është në fazat e para të ngritjes, atëherë kupton pse pengohet sistematikisht konsolidimi i demokracisë dhe nga ana tjetër vendi po pjell, rrit e inkurajon liderët e kudogjendur që në fund rezultojnë si zakonisht të panginjur sa i përket pasurive publike dhe rëndom autoritaristë dhe populistë.

Ligjet që përshfaqen, kinse në funksion të një shteti demokratik duken dhe na justifikojnë para BE-së, por në thelb ato që implementohen në praktikë tregojnë se qeveritë e Ballkanit janë angazhuar për t’i reduktuar normalisht liritë qytetare e politike të individëve dhe sidomos partive opozitare.

Po a mundet të reagojnë si duhet njerëzit? Jo. Dhe, më keq akoma dhe strukturat që mund të shërbenin si model, lenë shumë për të dëshiruar. Shembull i hidhur janë zgjedhjet në strukturat e Universitetit, ku intelektualët e mësimdhënies, për herë e më shumë, zgjedhin më të korruptuarit mes tyre dhe askush nuk ka forcë ta ndalë si proces. Thuhet se teorikisht, cilësia e një demokracie të vërtetë varet nga aftësia sociale e reagimit dhe kultivimit që ngre një komunitet. Veçse demokracia e vërtetë dhe arritja e lirisë nuk mund të reduktohet thjesht me zgjedhjet e lira dhe as me mëtimet e sotme të presidentit Meta për mbrojtjen e kushtetueshmërisë apo retorikave të kryeministrit Rama, që pretendon vendosjen e ligjit me forcë. Jemi në një kohë totalitarizmi të heshtur, ku njerëzit mund të manipulohen thjeshtë, pasi vërtetë nuk janë më të varur nga shkalla e parë e piramidës së Maslow, por mbeten të varur thellësisht për gjërat e shkallës të dytë dhe të tretë. Më saktë sa më e madhe të jetë liria për disa, në atë që sot është kapja e shtetit me interesa ekonomikë, aq më pak ka vend për një masë të madhe të të tjerëve. Dhe, sot, ajo që kërkohet është një aspekt shumë demokratik për lirinë, para të cilës duhet demokracia e fjalës dhe e respektimit të mendimit, por edhe e një diskutimi të hapur.

A kemi mundësi të diskutojmë, të veprojmë dhe të gjykojmë sot në Shqipëri?! Parimisht, po. Por vota jo pak herë tjetërsohet, kurse edhe vetëm po kundërshtove kupolat shtetare, një luzmë e madhe që përdor fjalët më fyese, të vishet për të ofenduar dhe të degjeneruar.

Nëse do të pranonim si aksiomë: se shoqëria dhe shteti përbëjnë habitatin e duhur për t’u mbrojtur kundër totalitarizmit, atëherë na duhet shumë për të mos e shkelur demokracinë e ngritur pak e nga pak. Por bash këtë e kanë transformuar Ekzekutivet qeverisëse në Ballkan, kur në emër të demokracisë prodhojnë ligje që kalcifikojnë pushtetin e tyre në kurriz të të tjerëve.

Pse ky kaos? Mbase duhet të gjejmë një gjykim mes asaj që njihet si Liria Negative dhe ajo Pozitive. Liria Negative konsiderohet si mungesa e pengesave, barrierave ose kufizimeve. Një masë ka liri negative në atë nivel po aq sa veprimet i ka të realizueshme në çdo masë por në një kuptim negativ. Liria pozitive konsiderohet si mundësia e të vepruarit por edhe aksioni, në një farë forme që merr kontrollin e plotë të jetës së dikujt dhe që arrin të realizojë qëllimet themelore. Por, ndërsa liria negative zakonisht i atribuohet subjekteve individualë, liria pozitive i atribuohet kolektiviteteve, ose individëve që konsiderohen kryesisht si anëtarë të grupeve të caktuara.

Ideja për të bërë dallimin midis një sensi negativ dhe pozitiv të termit “liri” shkon larg në kohë, të paktën deri te Kant, dhe u ekzaminua dhe u mbrojt në thellësi nga Isaiah Berlin në vitet ’50 dhe ’60. Kuptohet se përvoja jonë shpesh është pothuaj e pandjeshme, pasi kemi jetuar nën regjime autoritare, që mohonin deri liritë më të thjeshta.

Në një kohë kur ideja e lirisë individuale mbizotëron, atëherë në një regjim demokratik do të thotë se ekziston edhe kultura e të drejtave, që ka jo pak detyrime.

Por, a beson vallë Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha në këto ide, kjo është e vështirë për të kuptuar. Siç na mëson Berlin, liria negative dhe pozitive nuk është se përbëjnë thjesht dy lloje të veçanta të lirisë; ato mund të shihen si interpretime rivale, të papajtueshme të një ideali të vetëm politik. Meqenëse pak njerëz pretendojnë se janë kundër lirisë, mënyra se si interpretohet dhe përcaktohet ky term mund të ketë implikime të rëndësishme politike, na referon literatura.

Nga ana tjetër, lidhja midis demokracisë dhe liria individuale ka një korrelacion për të cilin nuk na ndihin si duhet avokatët e shumtë të të dy palëve. Konceptimi “pozitiv” i lirisë kundrejt nocionit “negativ” përfaqëson jo pak herë një maskim të veçantë për tiraninë brutale, shprehej Berlin. Dhe, ne sot gjendemi në këtë qerthull. Por, vallë, a jemi futur në kohën e një totalitarizmi të heshtur?!  (Homos Albanicus)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.