KULTURË

Politika antagoniste me moralin, shqipëria e demonizuar nga politika

11:23 - 11.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Moikom Zeqo  – Në vijim të shtjellimit kaleidoskopik të ideve të ndërlikuara, por edhe llahtarisht të thjeshta të politikës, nuk mund t’i shmangem problematikës më të thekshme: raportit të moralit me politikën.
Edhe kur nënkuptohet ky raport, apo kur shpallet publikisht është më shpesh i deformuar, duke krijuar një konfuzion konceptual të pabesueshëm.
Përgjithësisht te njeriu i thjeshtë është krijuar një bindje, gati si paragjykim i mbrapshtë se politika dhe morali nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin, madje janë të kundërta, absolutisht të papërputhshme.
Madje, kjo vështrohet si një qëndrim realist, nëse mendon ndryshe, duhet të jesh jashtë realitetit.
Megjithatë, është e habitshme se lufta politike në Shqipëri nuk bëhet nëpërmjet programeve politike, nuk ka doktrina, nuk ka rrafsh ideologjik, nuk ka madje dhe një rend konceptual ekonomik i shtjelluar me profesionalizëm. Kundërshtarët sulmojnë njëri-tjetrin të veshur si moralistë, akuzojnë njëri-tjetrin si specialistë të moralit dhe monopolistë të moralit.
Është gjetur fjala magjike ende e plotfuqishme te populli i thjeshtë dhe gati i paditur, fjala bumerang: korrupsion.
Korrupsioni është një dukuri objektive e shoqërisë, duam apo nuk duam ne, kjo shoqëri e pjell pambarimisht korrupsionin, nuk e zhduk dot korrupsionin.
Nga pikëpamja e përgjithshme, korrupsioni endemik ka të bëjë me indin shoqëror, por edhe të individit, përderisa etja për fitim nuk ka kufizime.




Përderisa paraja nuk është një institucion morali.
Kështu që vështirë se mund të ndahen në një shoqëri njerëzit në dy grupe të dallueshme: në njerëz të korruptuar dhe njerëz të pakorruptuar, në parti të moralit dhe parti të imoralitetit, në liderë kampionë të moralit dhe në liderë kampionë të imoralitetit.
Duke mos pasur një monopol (objektivisht) është pak qesharake që të pretendosh një monopol.
Tërë luftërat politike post-komuniste në Shqipëri janë një përleshje për fitim marramendës ekonomik, por çuditërisht me terma moralistikë.
Edhe kur flitet në emër të ligjit, nuk kemi një përqasje dhe as një botëkuptim juridik të vërtetë, çka do të nënkuptonte veprime juridike më vendimtare dhe më të fuqishme edhe në raport me rrafshin ekzekutiv dhe politik.

***

Filozofët që e kanë studiuar moralin, thonë shprehimisht, në mënyrë normative se morali nuk mund të ekzistojë jashtë historisë dhe shoqërisë.
Nga kjo pikëpamje, mund të rravgojmë deri tek njeriu i Neandertalit, për të gjetur fillesat e koncepteve “e mira” dhe “e keqja”, “e vërteta” dhe “e gënjeshtërta” si dhe “e drejta” dhe “e shtrembra”.
Zhvillimi historik i këtyre koncepteve do të konstruktonte atë material mendor, që lidhet me moralin.
Morali është tërësia e pikëpamjeve, bindjeve për të mirën dhe të keqen etj., në një shoqëri të caktuar, morali ka një karakter relativ të lëvizshëm, shpesh kontradiktor.
Parimi i moralit, gjithsesi ndikon në histori, për Emanuel Kantin, parimi “moral” është një imperativ kategorik (vepro gjithmonë ashtu, që të mos duash, që maksima e veprimit tënd të bëhet ligj i përgjithshëm).
Morali ecën kështu në mënyrë progresive, por jo në mënyrë vertikale, ai ka zigzaget e tij.
Morali ndeshet me hedonizmin (kënaqësi mbi çdo gjë) dhe utilitarizmin (vetëm kriteri i dobishmërisë mbi çdo gjë).
Nuk mund të ketë një shkencë të plotë dhe universale mbi moralin.
Kanti beson në progresin moral, që e mbështet në idenë e pavdekshmërisë së qenies morale – ekziston një rend moral, gati i padukshëm.
Për Kantin, shteti duhet të jetë një formë e moralitetit. Moraliteti ka të bëjë me sferën e asaj “që duhet”, përkundër sferës së asaj “që është”.

***

Filozofët e politikës ndahen në dy lagje kryesore: në ata që besojnë se politika nuk ka lidhje fare me moralin, se qëllimi justifikon mjetin (makiavelizmi) dhe në ata që besojnë se politika e vërtetë nuk mund të pllenohet dhe të ketë sukses jashtë moralit, madje është atribut i moralit.
***

Një nga filozofët më të shquar të politikës, Maks Veber beson se përdorimi i termave moralë në politikë më shpesh është një instrumentalizim spekulativ.
Ndërsa Epler thotë:
“Gjithmonë kur politikanët flasin për moral, këshillohet për të tjerët një mosbesim. Shpesh, në këto raste morali kthehet në diçka, që nuk duhej të transformohej: në një instrument dhe pikërisht në instrumentin e luftës për pushtet”.
Që predikimet morale kanë pak efekt dhe ato nga politika edhe më pak, kjo është e qartë edhe për vetë politikanët.
Kur ata janë tunduar për këtë, kur madje propagandojnë apo lajmërojnë rilindjen morale, atëherë na lejohet dyshimi që prapa tyre fshihet një llogari politike: Ndoshta nga anketat mbi opinionet ka rezultuar se pjesa më e madhe e zgjedhësve mendojnë se aktualisht ka një prishje të moralit.
Këtyre ndjenjave u duhet “shërbyer”.
Në rastin më të keq, një strateg zgjedhjesh ka këshilluar një “përvetësim” të nocionit “moral” për ta profilizuar partinë si mbrojtëse të moralit dhe për t’i paraqitur kundërshtarët politikë si vatra të moralitetit. Sigurisht, një manipulim i tillë i moralit ka në shumicën e rasteve një sukses të shkurtër, pasi pas fitores së zgjedhjeve, qoftë edhe me skandalin më të vogël të predikuesve pushtetarë, njerëzit pyesin se çfarë ka ndryshuar në të vërtetë.
***

Kjo qartësi konceptuale është tepër e thjeshtë.
A nuk veprojnë partitë dhe liderët politikë në Shqipëri kështu?
PS-ja e akuzon PD-në për firmat piramidale dhe vitin 1997, ndërsa PD-ja e akuzon PS-në pikërisht për moralin në fushën e korrupsionin (më të madh të të gjitha kohërave).
Kështu që lufta politike midis dy partive ka një karakter moralistik, groteks dhe të bujshëm.
Pyes: Kush është i imunizuar në këtë shoqëri? Kush e mbiquan veten me monopolin e moralit?
Pyes: A ka kuptim ky purizëm moral, i cili është vetëm deklarativ, por jo substancial?
Pyes: A mund të ndryshojë diçka në moralitetin e një shoqërie vetëm nga sipër?
Pyes: A mundet që njëshi ekzekutiv të luajë rolin e Shën-Palit, të një moralizmi universal?
Pyes: A mundet që qoftë edhe një parti pushtetare, apo edhe një mazhorancë parlamentare të jetë faktori subjektiv për të ndryshuar konceptet morale të një shoqërie, vetëm nga sipër?
A mundet që edhe përurimi i ligjeve të drejta të ketë në vetvete fuqi vetëmoralizuese?
A mundet që t’i kushtojmë rëndësi mesianike, apo apokaliptike deklaratave “shpëtimtare” për moralin e një shoqërie, kur në substancën e kësaj shoqërie ka një deformim të madh moral?
A mundet kur arsimi shqiptar i të gjitha niveleve ka dobësi të llahtarshme, të flitet për njerëz të edukuar me moral?
Dikur thuhej se atë që bën një mësues i mirë, nuk mund ta bëjnë as 100 gjykatës të shkëlqyer.
Morali ka të bëjë me objektivitetin e një shoqërie, morali pllenohet nga poshtë, në të gjitha shkallët, te të gjithë individët e kolektivit.
Morali konstruktohet me progresin e vërtetë ekonomik, me punësimin, me dinjitetin.
Morali është diçka shumë më universale se vetë politika e ditës.

***

Shqipëria ka një kriminalitet të thekshëm.
Sepse ka një papunësi të frikshme.
Dy janë të drejtat natyrore të njeriut: e drejta për të jetuar dhe e drejta për punë.
Si mund të jetohet pa punë?
Kush është marrë me këtë ekuacion ekzistencial dhe antropologjik?
Ju flisni për liri, por jo për punësim.
Përkundrazi, mendoni se liria është shpunësim.
Ju flisni për të drejtat konvencionale siç janë edhe të drejtat politike.
Por, pse i mohoni të drejtat natyrore? Fuqizoni arsimin dhe jo privilegjet.
Fuqizoni dinjitetin dhe jo poshtërimin. Fuqizoni kriticizmin dhe jo servilizmin.
Fuqizoni integrimin e të gjithëve, madje edhe të kundërshtarëve politikë në shoqëri dhe jo segregacionin.
Fuqizoni bashkimin dhe jo përçarjen. Kulturohuni si politikanë dhe jo të politikanizoni kulturën.
Jini më modestë dhe jo kaq mendjemëdhenj, pa shpirt.
Politikanët, madje edhe kreu i ekzekutivit janë qytetarë nëpunës, ata nuk kanë asnjë të drejtë më tepër se qytetarët e tjerë.
I keni përmbysur idetë e drejta, prandaj nuk mund të bëni drejtësi.
I urreni intelektualët, prandaj keni frikë nga intelektualiteti.
Delirantë, jeni preja e iluzionit tuaj.
Morali ekziston, por jo te ju!
Populli është më shumë sesa partitë dhe politikanët.
Populli do punë, drejtësi dhe dinjitet.
Kombi shqiptar nuk është vetëm qyteti, por edhe fshati.
Kush çan kokën për fshatin?
Shqetësohemi për të pasurit, por nuk janë njerëz edhe të varfrit?
Ç’është kjo përbuzje, ç’është kjo alkimi që transformon drejtësinë në një alibi vetëm për pushtet?
E tmerrshme, por krejtësisht e vërtetë, është se nën trysninë e mediave, nën petkun mediatik të politikave, fshihet dhe nuk duket pamja e vërtetë e një shoqërie, paradokset e saj, çdo gjë vihet në funksion të politikës dhe jo politika në funksion të jetës.
***

Morali nuk krijohet në politikë, por ka ndikim në të. Ky ndikim real ngrihet sa më pak politika e përdor atë si instrument të sajin.
Politika nuk mund t’u shmanget kritereve morale, nëse nuk i krijon vetë këto kritere.
Ajo gjithashtu është po aq pak përgjegjëse për to, sa edhe për të vërtetën.
***

Le të rikthehemi përsëri tek i madhi Maks Veber. Duhet konsultuar shpesh ky filozof i politikës.
Meqë politika nuk mund të shmangem, atëherë duhet të flitet për një “etikë të përgjegjësisë”, për një “etikë pushteti”.
Kjo politikë nuk është përjashtuese, por është integruese.
Përjashtimi është një shpërdorim i llahtarshëm i energjive është një kthim mbrapa.
Pushtetet politike janë të përkohshme.
Morali dhe zhvillimi shoqëror janë të përjetshme.
Nuk mundet të përkohshmet të jenë identike me të përjetshmet.
Politikanët nuk mund të marrin pozat e politikanëve “të bindjeve”.
Prandaj Veberi thotë: “Ku papritur politikanët e bindjeve përhapen në masë, si bari i keq me parullën: “bota është e marrë dhe e keqe, jo unë; përgjegjësia për pasojat nuk bie mbi mua, por mbi të tjerët, në shërbim të të cilëve punoj dhe marrëzinë, apo ligësinë e të tjerëve, e të cilëve do të shkatërrojë; atëherë unë them hapur se fillimisht kërkoj masën e esencës së brendshme, që qëndron prapa kësaj etike parimore. Dhe më krijohet përshtypja, se në 9 nga 10 raste, kam të bëj me “mendjelehtë”, që nuk ndiejnë realisht atë çfarë marrin përsipër, por ngazëllehen nga ndjenja romantike”.
***

Veber: Marrëzia dhe ligësia nuk mund të shkatërrohen dhe kush provon ta bëjë këtë, është budalla dhe shpesh bëhet edhe i lig.
Natyrisht që marrëzia dhe ligësia nuk gjenden vetëm te të tjetër, por në çdo individ. Kush nuk e pranon këtë, dëshmon vetëm sesa e vërtetë është kjo gjë.
Veberi indinjohet me politikanët mesianikë, që luftojnë veset e vjetra me veset e reja, që injorojnë një fakt themelor të ekzistencës njerëzore, që janë përgjegjës për pasojat e veprimeve të krijimit të historisë nga sipër dhe jo të krijimit të historisë nga poshtë, ose në bashkëveprim.
***

Veber: “Kush kërkon të vendosë drejtësinë absolute mbi tokë me ndihmën e dhunës, ka nevojë për pasues: për ‘aparatin njerëzor’. Këtij të fundit i duhen treguar shpërblimet e nevojshme, të brendshme ose të jashtme – paga hyjnore, ose tokësore – ndryshe, asgjë nuk funksionon. Të brendshme: nën kushtin e luftës moderne të klasave, kënaqje të ndjenjës së urrejtjes dhe të etjes për hakmarrje, por para së gjithash, të mërisë dhe nevojës për pasje të drejtë ‘pseudoetikë’, pra të nevojës për shpifje dhe të nxirjes së kundërshtarit. Të jashtme: aventurë, fitore, pushtet dhe shpërblim”.
***

Natyrisht, duhet t’i largohemi spekulimit: Vullneti politik mund dhe duhet të bëjë diçka për moralin, të paktën nëpërmjet shëmbëlltyrave.
Por, historia politike e Shqipërisë, është plot keqkuptime të shëmbëlltyrave.
Unë do të përshëndesja çdo veprim të drejtë politik në raport me dobishmërinë shoqërore dhe jo në raport me dobishmërinë klanore.
Njëshi i Ekzekutivit duhet të heqë dorë përfundimisht nga pozita e Mesias.
Ai është kryenëpunësi i shtetit, me mandat të përkohshëm, nuk ka targ, qoftë edhe mbi të mirat dhe të metat tona njerëzore, ai nuk është një kryemësues moral, sepse askush nuk mund të vërtetojë moralin e tij, sepse askush nuk mund të identifikojë vetveten, qoftë edhe tek një njeri i vetëm.
Askush nuk ka targ të bëjë rilindjen morale të shoqërisë, nisur qoftë edhe nga një njeri politik.
Historia e njerëzimit na mëson diçka më substanciale për moralin.
Imoraliteti i llahtarshëm i ditëve të fundit të Perandorisë Romake (liri e pakufizuar seksuale, mungesa e çdo lloj ligjshmërie, mungesa e çdo lloj bindje njerëzore), solli në lindjen e moralit kundërshtues, që u quajt krishtërim.
A nuk është Shën-Pali me letrat e tij të famshme moralisti më i madh i të gjitha kohërave?
A nuk degjeneroi edhe morali i krishtërimit nga inkuizicioni mesjetar?
A nuk e përdori kartën dhe kodin e moralit sistemi komunist, madje me luftën e tij pa kompromis “ndaj shfaqjeve të huaja”?
A nuk dështoi?
A nuk duhet të nxjerrim mësime nga këto dështime?
A nuk mund të kuptojmë se zhvillimet e drejta shoqërore, i lindin edhe institucionet e drejta politike dhe jo e kundërta?
A nuk duhet të kemi në vëmendjen tonë të vërtetën e prekshme të krejt substancës shoqërore dhe nuk duhet ta mbivlerësojmë të pjesshmen, qoftë kjo edhe parti politike në raport me të tërën?
A mund të kemi dy popuj brenda një kombi: Një popull socialist krejtësisht të korruptuar, pa moral; si edhe një popull demokratist, të pakorruptuar dhe me moral?
A mund të kemi një shumicë parlamentare të pakorruptuar dhe një pozitë vetëm të korruptuar?
A mund të kemi një shoqëri të ngjashme me letrat e bixhozit, ku njëra figurë është lart dhe tjetra është poshtë?
A nuk kemi kështu një variant të ri të luftës makabre të klasave, a nuk kemi të bëjmë me një ndikim retrograf nga komunizmi totalitar, nga mendësia përjashtuese “ai që nuk është me ne, është kundër nesh”?
A mund të ecet në këtë rrugë dhe në këtë traditë politike të bipolarizuar?
Ne menduam se shpëtuam nga bipolarizmi, por jemi vetë bipolarë.
Ne kujtojmë se mund ta bëjmë gjithë historinë me fjalë, por veprimet tona janë në kundërshtim me fjalët.
A nuk ka ardhur koha ta mësojmë diturinë e vështirë dhe jetike të politikës, ashtu siç duhet, por si mundet të kemi një politikë të kulturuar në Shqipëri, kur deputetët në parlamentin shqiptar, në përgjithësi janë të pakulturuar, mediokër dhe janë bërë emra publikë vetëm nga mediatizimi absurd i kohës sonë?
Ne kemi VIP-a, por nuk kemi personalitet të vërtetë.
Në cilën fushë të shtetit dhe shoqërisë, pyeten personalitetet e vërteta?
Pothuaj në asnjë.
Statusi i personaliteteve të vërteta, është zero nga politika dhe kjo gjë nuk ka të bëjë fare me fatin e tyre vetjak, por me fatin e krejt shoqërisë, madje edhe të vetë politikës.
Si mund të kemi një të ardhme, pa pasur një imazh për këtë të ardhme?
Si mund të ecin para vetëm “disa” duke shkelmuar, duke dhunuar, duke poshtëruar dhe demonizuar “të tjerët”?
A kuptohet ky apel?
Nëse nuk kuptohet, atëherë cila është zgjidhja?
A është vendimmarrja politike një atribut i një pakice?
Apo është atribut i krejt popullit dhe shoqërisë?
Si mund të bëhen të moralshëm disa, duke qenë të pamoralshëm të tjerët?
Si mund të shkëlqejë pakica “administrata” kur shumica “joadministrative” është në errësirë?
***

Për fat të keq, opozita në Shqipëri është e përçarë, rutinore, provincial, e plogët e hutuar.
Më e keqe se përçarja, është mungesa e ideve të vërteta politike, ka një amulli dhe një plogështi për të marrë nisma politike të thekshme.
Opinioni publik në Shqipëri është i instrumentalizuar nga grupet e interesave, liria e shtypit tani është më e pakët, më e shtangur sesa disa vite më parë.
Kriticizmi intelektual, ndaj qeverisë dhe pushtetit, gati nuk ekziston.
Servilizmi mediatik është kthyer në një ritual.
Askush nuk kundërshton, askush nuk mbron një të drejtë legjitime, madje edhe një të drejtë njerëzore.
Politika është kthyer në një lojë, por jo në një realitet.
Natyrisht, e gjithë kjo nuk duhet parë në mënyrë fatale dhe as të thjeshtëzuar.
Por pa prekur nervin e sendeve, nuk mund të ketë zhvillim.
Kjo mund të jetë edhe e rrezikshme, por absolutisht e dobishme.
Këtu është në fund të fundit, sekreti i moralit të vërtetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.