SHËNDET

Albana Duni: Pankreatiti dhe rrezikshmëria që mbart për jetën

12:00 - 27.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pankreatiti është një inflamacion i pankreasit, që prek të gjitha grupmoshat, por përgjithësisht zhvillohet pas traumave të pankreasit dhe faktorit gjenetik. Por, si shfaqet kjo patologji? Në një intervistë për suplementin “Life Pages”, mjekja gastrohepatologe, Albana Duni tregon se janë identifikuar një numër shkaqesh të pankreatitit akut e kronik, që përfshijnë alkoolizmin, duhanpirjen, gurët e tëmthit, kirurgjinë abdominale dhe më tej sqaron të gjitha simptomat që shfaqin pacientët e prekur nga sëmundja. Sipas mjekes, në rastet më të rënda pankreatiti mund të përbëjë edhe rrezik për jetën.
Çfarë është pankreatiti?
Pankreasi është një gjëndër që lokalizohet në pjesën e sipërme të barkut dhe e futur pas stomakut. Kjo gjëndër prodhon enzima, që ndihmojnë digjestionin dhe hormone që rregullojnë nivelin e glicemisë në trupin tonë. Pankreatiti është inflamacioni i pankreasit dhe prek mosha të ndryshme, por mund të prekë edhe fëmijët. Traumat e pankreasit dhe pankreatiti i trashëguar janë dy faktorë të njohur që shkaktojnë pankreatit në fëmijëri. Fëmijët me fibrozë kistike të përparuar dhe me mosfunksionim të mushkërive mundet gjithashtu të preken nga pankreatiti. Në të shumtën e rasteve shkaku i pankreatitit te fëmijët është i panjohur. Pankreatiti shfaqet si pankreatit akut, që nënkupton shfaqjen e menjëhershme të tij dhe zgjat për disa ditë, por kemi dhe pankreatit kronik, që shfaqet për një kohë relativisht të gjatë, që mund të përfshijë shumë vite.
Cilët janë faktorët e zhvillimit të sëmundjes?
Pankreatiti ka shumë shkaqe. Janë identifikuar një numër shkaqesh të pankreatiti akut e kronik, që përfshijnë alkoolizmin, gurët e tëmthit, kirurgjinë abdominale. Por, kjo sëmundje shkaktohet edhe nga disa medikamente si Azathioprinë dhe 6-Mercaptopurine; ACE Inhibitoret (ku hyjnë antihipertensivet si enalaprili); antidiabetikët (metformina) statins (atorvastatin, fluvastatin, simvastatin); antibiotikët (metronidazol dhe tetraciklina); acidi valproik (trajton migrenën, epilepsinë, dhimbjen neuropatike). Ndërkaq edhe duhanpirja është një ndër shkaqet kryesore, që ndikojnë në shfaqjen e pankreatitit. Në këtë të fundit mund të ndikojë edhe trashëgimia familjare e sëmundjes, nivelet e larta të kalciumit në gjak, nivelet e larta të triglicerideve në gjak, infeksionet, traumat e barkut, kanceri i pankreasit.
Mund të na shpjegoni se cilat janë simptomat kryesore të sëmundjes?
Pankreatiti akut ka këto shenja dhe simptoma: dhimbje abdominale në zonën e stomakut, por që mund të përhapet edhe në shpinë, e cila ndjehet më shumë pas ushqimit. Por, ky inflamacion mund të shkaktojë edhe të përziera apo të vjella, ndjeshmëri dhe mbrojtje kur prek barkun. Ndërkohë, pankreatiti kronik përfshin këto shenja e simptoma: dhimbje e sipërme abdominale, humbje e rastësishme peshe, feçe të yndyrshme (steatorrhea). Pankreatiti shfaqet kur enzimat digjestive prodhuar nga pankreasi bëhen aktive duke shkaktuar dëmtim të organit. Ndërsa normalisht gjatë digjestionit ose tretjes normale, enzimat pankreatike të paaktivizuara kalojnë nga kanalet pankreatike për në intestinin e hollë si duodeni (zorra e hollë) ku ato aktivizohen dhe ndihmojnë tretjen. Në pankreatit, enzimat bëhen aktive që në pankreas duke shkaktuar irritim të qelizave pankreatike, inflamacion dhe shenja e simptoma shoqëruese të pankreatitit.
Si shfaqet pankreatiti kronik? Çfarë komplikacionesh mund të shfaqen?
Me përsëritjen e pankreatitit akut dëmtimet e pankreasit bëhen kronike, duke u bërë kështu dëmtime të parikthyeshme e që manifestohen me humbjen e funksionit të pankreasit, me probleme digjestive dhe me diabet. Pra, pankreatiti akut kalon në kronik, por edhe një pankreatit kronik mund të akutizohet. Rastet e lehta të pankreatitit (Mild pancreatitis ) mund të kalojnë pa trajtim, por rastet vërtet të rënda mund të jenë kërcënuese për jetën, duke shkaktuar komplikacione serioze. Shenjat dhe simptomat e pankreatitit ndryshojnë në varësi të tipit të tij. Një inflamacion që zgjat është një risk për transformime qelizore gjë që çon në zhvillimin e kancerit.
Cilat janë mënyrat e diagnostikimit të sëmundjes?
Testet dhe procedurat mjekësore që përdoren për diagnozën e pankreatitit përfshijnë analizat e gjakut për enzimat pankreatike, testet e feçeve për matjen e nivelit të yndyrës në feçe, gjë që sugjerojnë për mosabsorbim të nutrienteve ushqimore. Një tjetër mënyrë diagnostikimi është edhe skaneri(CT) pasi ka vlerë për identifikimin e gurëve dhe shtrirjen e inflamacionit në pankreas. Eko abdominale gjithashtu, identifikon gurët në rrugët e tëmthit dhe inflamacionin. Ndërsa, endoscopic ultrasound ose EUS është ekzaminimi më i përzgjedhur për vlerësimin e pankreasit dhe të patologjive të tij.
Si trajtohet pankreatiti?
Mënyra se si trajtohet pankreatiti varet nga forma e tij. Trajtimi i pankreatitit akut zakonisht kërkon hospitalizim për të stabilizuar gjendjen dhe inflamacionin dhe konkretisht përfshin ndërprerjen e marrjes së ushqimit nga goja në mënyrë që pankreasi të pushojë. Me kontrollin e inflamacionit kalohet gradualisht në dietë likide e më pas në dietë normale. Disa persona shërohen më shpejt, ndërsa ata që kanë komplikacione kërkojnë kohë qëndrimi më të gjatë në spital. Rekomandohet pirja e një sasie të konsiderueshme uji 2-3 litra në ditë si dhe mbajtja e një peshe trupore normale e një aktivitet i rregullt fizik. Vetëm me këto rregulla mund të parandalohen situata të tjera të pankreatitit.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.