OPINION

Paketa e tretë ka nisur

09:04 - 04.08.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shtyrja e afatit për kreditë e dhëna nga programi i Garancisë Sovrane 2 deri në fund të muajit shtator 2020 dhe programi i nxitjes së punësimit për të gjithë të papunët e dalë në mes të katër rrugëve nga pandemia janë pa dyshim pjesë të paketës së tretë të mbështetjes për sipërmarrjen, edhe pse ende e padeklaruar nga qeveria. Janë lëvizje për t’u përshëndetur, por kurrsesi nuk mund të mjaftojnë. Programi i nxitjes së punësimit, i dalë një javë më parë në formën e një vendimi të Këshillit të Ministrave, përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për punësimin e personave të dalë të papunë si pasojë e COVID-19 nga data 10 mars 2020 deri në datën 23 qershor 2020. Ky program vlen sidomos për sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve (quajtur ndryshe fason), humbësi më i madh në punësim, me mbi 22 mijë punonjës të larguar. Programi i punësimit është një mbështetje 4, 8 ose 12-mujore punësimi, nëpërmjet të cilit nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi. Paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg. Programi i qeverisë subvencionon për programin e punësimit katërmujor, financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës. Qeveria paguan po ashtu edhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj. Për programin e punësimit tetëmujor, qeveria financon pagën në shumën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për 4 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës, si dhe sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj. Për programin e punësimit 12-mujor, qeveria subvencionon kostot e financimit të sigurimeve shëndetësore dhe sociale në masën 100%. I gjithë ky program është pa dyshim mbështetje konkrete për sipërmarrësit që kanë larguar punonjës nga puna. Qeveria do të kishte bërë mirë të pranonte edhe kërkesën e fasonistëve, të shoqatës së tyre “Pro Eksport Albania”, për zgjatjen edhe të programit të Garancisë Sovrane 1, i cili ndihmon realisht sipërmarrjet prodhuese tek ne dhe ka mbaruar më 20 qershor 2020. Janë mbi 36 milionë euro ende të papërdorura nga ai program dhe nuk është kurrë vonë që kjo linjë kredie të rikthehet funksionuese, duke lehtësuar kushtet e aplikimit. Nga 700 sipërmarrje të veshjeve dhe këpucëve, deri tani kanë aplikuar 119 prej tyre dhe kanë marrë kredinë e mbështetur nga shteti vetëm 55, ndërkohë që 87 për qind prej këtyre fabrikave prodhuese, sipas një ankete të shoqatës “Pro Eksport Albania” janë shprehur në favor të aplikimit për një kredi nga Garancia Sovrane 1. Janë paratë, është fondi i garantuar nga Buxheti i Shtetit, duhet vetëm mirëkuptim për të rikthyer këtë linjë kredie në funksion dhe për të ndihmuar realisht sipërmarrjen që punëson dhe kontribuon më shumë në vend, sipërmarrjen prodhuese dhe për eksport. Qeveria me dy lëvizjet e fundit tregoi se po kërkon të ndihmojë ekonominë tonë të gjunjëzuar nga COVID-19. Nuk duhet shumë për të rifutur në funksionim një fond tashmë të dedikuar për sipërmarrjen. Dhe nga ana tjetër, është e domosdoshme një program i gjerë ndihme për biznesin e vogël, i cili po mbijeton me shumë vështirësi gjatë kësaj vere, por nuk duhet lënë të japë shpirt në vjeshtën e parë shtator-tetor 2020. Paketa e tretë e mbështetjes ka nisur për qeverinë dhe ajo duhet të ketë vëmendjen dhe kurajën e duhur ta japë të plotë këtë mbështetje të domosdoshme.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.