KULTURË

Mbi trashëgiminë dhe mbi sinqeritetin e mbrojtjes së saj

12:59 - 06.08.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Kreshnik Merxhani* – Te libri mbi Piramidën nuk gjen asnjë emër të atyre që sot shkruajnë për ruajtjen e TK dhe TKE (përjashto Fevziun, që është për shkatërrimin e Piramidës). Emrat që gjen aty janë të atyre që sot heshtin.
Është thënë se nëse heq fjalën “Piramidë” dhe e zëvendëson me fjalën “Teatër Kombëtar”, gjen aty të gjitha arsyet pse duhet ruajtur TK dhe TKE. Mendoj se është e padrejtë që të zëvendësosh fjalën “Piramidë” me fjalën “Teatër Kombëtar”, veç të tjerash do të ngeleshin të njëjtët zëra që flasin pro dhe kundër.
Kjo nuk shërben as për të shkyçur gojët e mbyllura sot e të hapura dikur – përkundrazi do të na servirte të njëjtën farsë që dirigjohet këto ditë me zëra pro dhe kundër, apo edhe pro dhe kundër.
Në fakt, nëse do të flisnim mbi qëndrimin që duhet të kemi mbi trashëgiminë, duke e parë me pjekuri dhe maturi qytetare, do të duhet të kish një libër me të gjitha qëndrimet dhe shkrimet për Piramidën dhe për Teatrin Kombëtar, pa i ndarë dhe pa i llogorizuar qëndrimet. Që ka një repart ish-drejtorësh dhe drejtorësh, që pret aty në sfond ndërkohë që intelektualët apo qytetarët flasin dhe ballafaqohen dhe “kacafyten” (gjë që i ekzalton të dyja palët e drejtorllëkeve) kjo ka ndodhur gjithmonë dhe vazhdon.
Një takëm drejtoresh sot nxit peticione dhe një tjetër takëm ish-drejtorësh, që bashkëpunon mirë e bukur me drejtorët, shijon periudhën e “pushimeve” për t’u rikthyer fuqishëm. Ka nga ata, që me sokëllimat e tyre flasin për mbrojtjen e TK dhe TKE, por që në artikulim duket që për trashëgiminë e as për publiken nuk kanë aspak as konsideratë e as njohuri.
Por, përtej kësaj, ka njerëz (që janë shumë), që tek agora e madhe dhe te skena e madhe në mes të Teatrit Kombëtar po artikulojnë me qytetari argumente për ruajtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës.
Flasin për gjendjen e rënduar të tyre dhe për dinjitetin, që ju mungon dhe degradimin e mirëmenduar e të qëllimshëm, i cili nuk lë pa prekur vetë qytetarët, pasi ka mbaruar punë ose ndërkohe që po punon për degradimin e monumenteve.
Për mua çështja e TK dhe TKE është krejtësisht një kauzë e Trashëgimisë, e cila është kulturore, historike, ligjore, pronësore, politike, qytetare etj. Vetëm të përmendim faktin, që nëse ky ligj bëhet “precedent” do të ripërsëritet (pra do të trashëgohet diçka e rrezikshme) mjafton që te futemi në ujërat e trajtimit të një trashëgimie, e cila ashtu si koha ka të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e varur kjo nga qëndrimi i tashëm.
Në mes të gjithë diskutimit pra, ngelet loja me gjysmë të vërteta dhe me gjysmë qëndrime, e cila në fakt nuk i përket atyre që me integritet kanë folur dhe kanë mbrojtur kauza të Trashëgimisë Kulturore pa u nisur nga “përkatësia politike” e tyre, por nga pozita qytetare për nevojën e respektimit dhe të harmonisë në hapësirën qytetare, identitetit dhe kujtesës së përbashkët dhe lidhjes me vendin apo me shpirtin e vendit dhe mbi të gjitha me integritetin njerëzor.
Agora e madhe në oborrin e TK dhe TKE duhet të gjejë vend të flasë edhe për Piramidën apo për trashëgiminë e kryeqytetit shqiptar, e cila po zhduket çdo sekondë. E ka për detyrë dhe i ka hije.
Agora e madhe duhet të flasë për dinjitetin që qyteti duhet të ofrojë përballë gjuhës denigruese për objektet që e përbëjnë qytetin, që është përdorur shpesh nga politika, si në rastin e Piramidës ashtu dhe në rastin e Teatrit Kombëtar.
Monstruozitetet që planifikoheshin t’i bëheshin Trashëgimisë Kulturore nga legjionet e drejtorëve janë të ngjashme si dikur e si sot, mjafton të shikoni projektin për kthimin në kazino të Kalasë së Ndroqit, apo të kthimit në fusha tenisi të Kalasë së Lezhës, të cilat nuk janë shumë larg me atë qe sot ka bërë Veliera apo ajo që ndodh me stadiumin “Qemal Stafa”. Meqë roli parësor i Trashëgimisë Kulturore është të na kujtojë dhe të na tregojë se ajo që ndodh sot, ka një histori mbrapa, do të duhet të dimë gjithsesi të mos i japim zë legjioneve pronto, por zërit të qytetarisë edhe kur mendimet s’i kemi njësoj, por kur priren nga interesat qytetare.
P.S
Më lini t’i shtoj dhe një element tjetër diskutimit: atë që njihet si “Të drejtat Kulturore” si pjesë e deklaratës së Të Drejtave të Njeriut, duke thënë se prishja e Teatrit Kombëtar prek jo pak Të Drejtat e Njeriut.
*Arkitekt




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.