Opinion-Komente

Fuqia e një iluzioni

08:05 - 19.09.20 Dritan Dragusha

Që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë shqiptarët nisin rrugëtimin të ndarë, jo me dëshirën e tyre, por me imponimin e të tjerëve. Dielli i nëntorit të 1912-tës nuk po i ngrohte të gjithë shqiptarët njësoj, madje gjysmën nuk e përshkonin ato rreze të atij moti. Mirëpo, ata që mbetën jashtë shtetit shqiptar asnjëherë nuk u ndalën së luftuari për rikthim dhe bashkim me Shqipërinë. Konturat që i ishin vendosë Shqipërisë në atë kohë, e që e përcaktonin atë shtet, sa vinë dhe theksohen deri në momentin kur, për shqiptarët jashtë shtetit, Shqipëria sa vjen dhe bëhet parajsa e humbur. Kjo etablohet pas 1945, kur në Shqipëri instalohet regjimi komunist i Enver Hoxhës. Pra, deri para ardhjes së komunistëve në krye të Shqipërisë, shqiptarët që ishin lënë jashtë bënin përpjekje për rikthim, mirëpo, asnjëherë nuk pati diçka serioze në bashkimin e tyre. Shqipëria që dikur mund të ishte realitet, pas ardhjes së komunistëve, për shqiptarët jashtë saj sa vinte dhe bëhej një ëndërr sa e bukur, aq edhe trishtë. Kur bota u nda ideologjikisht në dysh, në bllokun e lindjes dhe bllokun perëndimor, të gjithë shqiptarët qëlluan në të njëjtën anë, por disa në Shqipëri, e disa nën Jugosllavi.



Pothuajse, përgjatë 50 viteve krijohen dy botëkuptime shumë të ndryshme për Shqipërinë. Ata që ishin pjesë e shtetit, Shqipërinë e përjetonin si një vend nga i cili duhet ikur që në rastin e parë dhe udhëheqjen komuniste si vrasës mizorë, kurse ata që mbetën jashtë, Shqipërinë e përjetonin dhe e portretonin ashtu siç e përshkruante Naim Frashëri në veprat e tij, ndërsa Enver Hoxha portretizohej si dragoi që një ditë do të zgjohet dhe do t’i shpëtojë dhe bashkojë të gjithë shqiptarët në një shtet. Sa më shumë që kalonin vitet, shqiptarët aq më shumë largoheshin nga njëri-tjetri, në mes tyre mbetej vetëm nostalgjia. Ne në Kosovë ishim sistemuar nën Jugosllavi, e cila në fillimet e saj ishte shumë e dhunshme me ne, dhe ky represion vazhdimisht na bënte edhe më shumë që mos ta heqim vëmendjen nga Shqipëria. Në fakt, për shqiptarët kishte dy Shqipëri (madje edhe kjo e sotmja duket sikur zgjatim i asaj të djeshmes): Shqipëria-ferr për ata që jetonin në të dhe Shqipëria-parajsë për shqiptarët jashtë saj. Të parët Shqipërinë e jetonin në lëkurën e tyre, kurse të dytët e përjetonin në imagjinatën e tyre. Ngjashëm ishte edhe vetë diktatori Hoxha; ata e shihnin si një përbindësh, kurse ne si dikush që do të na shpëtojë nga Tito dhe Serbia. Në Shqipëri, Enver Hoxha ngjallte frikë, kurse në Kosovë ngjallte ndjenjën e nacionalizmit dhe kombëtarizmës. Kishte një propagandë të fuqishme që e paketonte tërë atë ‘ideal’. Kur kosovarët filluan gjatë viteve të shtatëdhjeta ta vizitojnë Shqipërinë dhe e panë me sytë e tyre mjerimin në të cilin i kishte katandisur diktatura, kur u rikthyen gënjyen, nuk treguan çfarë panë, por na rrëfyen ato çfarë ne vetëm se i kishim vizatuar në kokën tonë dhe dëshironim t’i dëgjonim nga këta dëshmitarë okularë. Aq e fuqishme ishte dehja me Shqipërinë sa që edhe po ta zbulonin ashtu siç ishte, nuk do t’u besonte askush, do t’i konsideronin njerëz të Jugosllavisë. Gjatë viteve të ’70-ta Kosova po përjetonte një zhvillim të hovshëm politik, ekonomik dhe kulturor. Njerëzit fillojnë të krijojnë imazhin e tyre në Jugosllavi. Pasja e një strukture politike institucionale, arsimore, kulturore dhe ekonomike fillon t’i japë kosovarit ndjenjën se ai vlen. Po ashtu, komunikimi i kosovarit me botën perëndimore ishte shumë i madh, kurse komunikimi i shqiptarit të Shqipërisë me botën ishte pothuajse i pamundur.

Me rënien e Murit të Berlinit, bien edhe blloqet ideologjike, ndërsa Kosova bie nën Serbi. Rënia e komunizmit në Shqipëri, pamjet që vinin nga andej ishin traumatike, njerëz që mbipopullonin anije dhe gomone që mbyteshin në det me të vetmin qëllim, të iknin nga ferri që e kishin jetuar për pesëdhjetë vjet. Ato që ne i shihnim më shumë i ngjanin një bote surreale. Kjo ishte edhe për faktin se dashuria që kishim ushqyer për atë vend ishte e njëanshme. Mbase, edhe rilindësit na kishin mësuar se Shqipëria duhet dashur pavarësisht se si, apo nëse, ajo ta kthen këtë dashuri. E vërteta ishte ndryshe prej rilindësve. Ata që po iknin kah sytë këmbët, iknin për faktin se vendi i tyre, në vend të dashurisë, u kishte falur dhimbje dhe mjerim, kurse në ëndërronim që të shkonim në vendin që ata po e linin bosh, ta ndjenim edhe vrerin që ata po linin mbrapa. Vuajtjet që i kishin përjetuar shpreheshin jo vetëm përmes pamjes së tyre, por edhe përmes veprimit që bënin, ndërsa për ne iluzioni që kishim ushqyer për Shqipërinë ishte aq i fortë sa që nuk është se ua merrnim fort seriozisht indinjatën. Kjo ndodhte ndoshta edhe për faktin se ne ishim të okupuar.  Mirëpo, pas çlirimit dhe konsolidimit gradual, atë shqiptarin e Shqipërisë që e kishim imagjinuar si shëmbëlltyra ideale e njeriut në tokë dhe Shqipërinë si toka e premtuar, filluam t’i përjetojmë si një njeri ku të gjitha ligësitë ishin mishëruar në të dhe Shqipërinë si një vend fantazmë. Kurse, ata neve na shihnin si njerëz që na kishte çuar e mira peshë, sepse aty ku ishim dje ishte mirë dhe s’kishim nevojë të bëzanim.

Tanimë ky ishte takimi ynë i parë pa ndërmjetës. Po mund ta preknim njëri-tjetrin. Në mes nesh po dëgjonim dihatjet e frymëmarrjeve tona. Ishte hera e parë që pothuajse pas gati njëqind viteve po njiheshim. Filluam t’ia shihnim njëri-tjetrit të metat. Filluam që gradualisht të ushqejmë për njëri-tjetrin një lloj mërie, e për disa gjëra herë-herë edhe neveritje. Dikur ne dëshironim të bashkoheshim me ta qoftë edhe pa i takuar fare, sepse ideali (shumë romantizues madje) ishte ajo gjithë çfarë kishim, kurse sot i kemi pothuajse të gjitha për një gjë të tillë, por nuk e bëjmë. Kjo ndoshta është edhe për shkak se ideali ynë ka qenë i rrejshëm, apo ndoshta ka qenë streha nën të cilën jemi mbështetur kur kemi qenë keq. Mirëpo, një gjë është e sigurt tanimë, se ne nuk duhet që ta shohim njëri-tjetrin me thjerrëza të së kaluarës, sepse siç e vërejtëm sipër, atë të kaluar e shohim ndryshe. Ndoshta ajo çfarë duhet bërë është që ta pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç jemi, me të mirat dhe cenet që kemi. Ta çromantizojmë relacionin tonë, pra, ta racionalizojmë lidhjen tonë. Në marrëdhënien tonë edhe si dy shtete, t’i japim rrugë arsyes, e t’i mbyllet shtegu propagandës. Mbase, jo ta rinisim aty ku na kishte mbetur, por ta fillojmë nga këtu dhe sot, qoftë edhe me kushtin që të mos pajtohemi.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.