OPINION

Ku humbën kreditë e këqija?

08:28 - 29.09.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje Banka e Shqipërisë publikoi Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Ky raport kumton se sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar. Asnjë bankë e sektorit nuk rezulton me një normë mjaftueshmërie të kapitalit të vet nën minimumin sipas ligjit prej 12 për qind. Pra, nëse një bankë tregtare xhiron 100 milionë euro në vit, të paktën 12 milionë euro duhet t’i ketë para të sajat. Kështu që bankat janë relativisht mirë për momentin. Madje si mesatare, këtë tregues e kanë 18.1 për qind. Bankat kanë dalë me fitim për janar-qershorin 2020, edhe pse me një të tretën (32 për qind) më pak se sa fitimi i periudhës janar-qershor 2019. Ndryshe nga sa mendohej se gjatë pandemisë shqiptarët kanë prekur, në mos zeruar kursimet e tyre në para, depozitat shënuan rritje. Ato, së bashku me fondet e vetë bankave, mbeten burimet kryesore të financimit të veprimtarisë së sektorit bankar. Pozicioni i tyre në qëndrueshmërinë e sistemit financiar është ruajtur i pandryshuar, në vijim të masave të marra nga banka jonë qendrore. Banka e Shqipërisë pezulloi shpërndarjen e fitimit të bankave deri në fund të këtij viti, me qëllim që në rast të materializimit të humbjeve financiare nga kreditë e këqija, madhësia e kapitalit të jetë e përshtatshme jo vetëm për të përthithur këtë humbje, por edhe për të mbështetur kredidhënien e re. Mirëpo, në fund të periudhës janar-qershor 2020, stoku i kredive me probleme ishte rreth 48 miliardë lekë, ose 387 milionë euro, ose 24 për qind më pak se gjashtëmujori i parë i vitit 2019! Çfarë ndodhi? U majmën papritur sipërmarrjet dhe qytetarët në pandemi? Jo. Ndodhi moratoriumi i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive. Njëherë deri në qershor 2020 dhe pastaj deri në gusht 2020. Në kushtet e vijimit të rritjes së kredisë, si rezultat i zbatimit të linjave të kredisë me Garancitë Sovrane 1 dhe 2, raporti i kredive me probleme zbriti në 8.1 për qind mbi totalin. Duket një gjendje fatlume, por nuk është e tillë! Është si qetësia e detit përpara furtunës. Këtë e kupton më mirë nga të gjithë banka jonë qendrore. Prandaj në raportin e porsapublikuar, Banka e Shqipërisë i këshillon bankat tregtare të veprojnë pa vonesë për vlerësimin e rrezikut të kredisë për klientët e tyre. Iku dhe gushti, muaji i fundit kur klientët nuk paguan këstet e qerasë dhe shtatori do të jetë muaji i së vërtetës. Sa nga klientët nuk kanë mundësi reale të shlyejnë, të goditur keqazi nga pandemia. Parashikohet të jenë shumë syresh. Prandaj dhe banka qendrore i mëshon shfrytëzimit të mundësive nga bankat tregtare, për ristrukturim të kredisë sipas qasjeve që ofrojnë standardet lokale dhe ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë u kërkon bankave të nivelit të dytë të vlerësojnë provigjionet (fondet rezervë) shtesë që mund të duhet të krijojnë, për të përballuar fluksin e kredive të këqija. Në mënyrë që ky fluks të mos vijë si cunami dhe të rrezikojë qëndrueshmërinë e sistemit tonë bankar. U kërkon një analizë kapilare të këtyre kostove të shtuara mbi pozicionin e kapitalit të vetë bankave, si dhe të mënyrës se si do të arrijnë bankat të përballojnë efektin e këtyre kostove, në rast nevoje. Për bankën qendrore është parësore që bankat tregtare të kuptojnë se pozicioni i kapitalit të tyre vetjak duhet të jetë i mjaftueshëm, jo vetëm për të përballuar humbjet e mundshme nga rritja e pritshme e kredive të këqija për shkak të pandemisë, por edhe për të mbështetur kreditimin e ri, për të cilin ekonomia ka nevojë si për oksigjenin. U kërkon të përdorin të gjitha mënyrat, duke përfshirë edhe ushtrimet e provës së rezistencës me skenarë ekstremë, por të mundshëm, në mënyrë që të vlerësojnë rregullisht e në mënyrë proaktive shkallën e rezistencës së tyre ndaj zhvillimeve të pafavorshme. Pra, të jenë të parapërgatitura se gjendja e kredive të këqija do të rëndohet në muajt në vijim dhe të marrin masat e duhura në kohën e duhur. Vetë banka qendrore u kërkon bankave të nivelit të dytë të ruajnë një komunikim konstant dhe të ngushtë me Bankën e Shqipërisë, në mënyrë që të ndajnë në kohë reale rreziqet që u kanosen dhe masat që mendojnë dhe po marrin. Pa rënë në gabimin fatal të fshehjes së problematikave që kalojnë, me qëllim mosrënien nga vlerësimi si bankë e sigurisë së lartë. Duke përllogaritur rreziqet e shtuara, Banka e Shqipërisë është përpjekur t’i adresojë këto rreziqe. Ka miratuar disa akte të reja rregullative, si ai për raportin e mbulimit të likuiditetit, paketa e masave për de-euroizimin, si edhe rregullorja për zbatimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit, duke synuar zbutjen e rreziqeve dhe forcimin e rezistencës së sektorit bankar ndaj tyre.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.