KULTURË

Edmond Budina fut ‘Profetin e kokoshkave’ në presidencë pasi i refuzuan teatrin

09:17 - 30.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Regjisori Edmond Budina ka vënë mbrëmë në sallën “Skënderbeu” në presidencë shfaqjen “Profeti i kokoshkave”. Monodrama e shkruar e me regji të tij, e pati zanafillën për sallën e Teatrit Kombëtar, por me shembjen e tij më 17 maj, një prej emrave më në zë të mbrojtjes dhe kauzës së teatrit humbi ‘skenën’ dhe godinën që për më se dy vjet u ruajt nga artistët dhe qytetarët.
Pasi i kërkoi publikisht kryeministrit leje që shfaqjen ta vinte në truallin e teatrit dhe mori heshtjen në këmbim, Budina e vuri shfaqjen këtë të martë në Presidencë, “i vetmi vend publik i pazaptuar” sipas tij. ‘Tepsia’, ‘timoni’, ‘artisti milioner’, janë veçse fjalët kyçe që grishin drejt premierës që denoncon një personazh delirant që mendon se zotëron gjithçka.
Më poshtë, shpjegimi i vetë Budinës për shfaqjen.
SHFAQJA
29 shtatori, Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore për shqiptarët, dita e zemrës për italianët. Për mua si shtetas i të dyja vendeve nuk besoj se ka koincidencë më të bukur. Sot më 29 shtator do të jetë edhe premiera e shfaqjes sime “Profeti i kokoshkave”. Një shfaqje e bërë me zemër, e lindur edhe si shenjë proteste kundër mosruajtjes së trashëgimisë kulturore kombëtare, shembjes së Teatrit Kombëtar.
Meqenëse të gjitha hapësirat publike janë të pushtuara prej atyre që shembën trashëgiminë kulturore shqiptare, Teatrin Kombëtar, dhe meqenëse kryeministri nuk më lejoi ta shfaq në truallin e Teatrit Kombëtar, mendova që shfaqen time ta realizoj në të vetmin vend publik të lirë që ka mbrojtur dhe mbron trashëgiminë kulturore, në ambientet e Presidencës së Republikës. Për këtë falënderoj Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta, dhe stafin e tij për mikpritjen.
Në këtë zgjedhjen time personale pa dyshim ka ndikuar qëndrimi i presidentit në mbrojtje të trashëgimisë kulturore kombëtare, ruajtjes së Kushtetutës dhe bashkimit kombëtar. Ai ka reaguar qysh në fillim për çështjen e Teatrit Kombëtar, është shprehur publikisht për mosshembjen e tij, për dhunën e ushtruar nga policia qoftë në 24 korrik 2019, qoftë në 17 maj të këtij viti. Ka bërë dy kallëzime në Gjykatën Kushtetuese. Ka argumentuar në mënyrë perfekte ligjin special për shembjen e Teatrit me të gjitha shkeljet ligjore, të cilat u morën parasysh edhe nga Parlamenti Europian. Ka nxitur një hetim ndërkombëtar për shembjen e pabesë, kriminale të 17 majit. Është përfaqësuesi i vetëm i institucioneve publike shqiptare, që pranoi të firmoste për mbrojtjen dhe futjen e Teatrit Kombëtar në 7 vendndodhjet më të rrezikuara në Europë për Europa Nostrën. Ka sensibilizuar vazhdimisht që të gjithë t’i thërrasin arsyes për të ruajtur dhe për të mos shkatërruar trashëgiminë kulturore kombëtare. Për këtë i jam mirënjohës.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.