KULTURË

Inva Mula: Teatri i Operës është i paprekshëm, nuk mund të privatizohet

11:09 - 30.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sopranoja: Jam e hapur për diskutime transparente. Opera e Parisit ka 80 mln euro buxhet




Fatmira Nikolli – Sopranoja e njohur Inva Mula del kundër idesë së një Opere private. Ajo thotë se Opera është e paprekshme dhe se buxheti i saj duhet shtuar. Duke bërë thirrje për një tryezë të gjerë, Mula sugjeron që bisedimet duhet të jenë transparente dhe ofron përvojën e saj. Sopranoja e njohur që ka interpretuar në skenat më të mëdha ndërkombëtare të Operës, ka analizuar propozimin e ministres së Kulturës, për një Opera që del nga varësia totale e shtetit.
Pasi është konsultuar me drejtues të Operave më të mëdha franceze, për modelet e tyre të menaxhimit, artistja që ka pushtuar teatrot e mediat me suksesin e saj, tregohet tepër e ndjeshme për Teatrin Shqiptar.
“Në të gjitha vendet që unë kam punuar jam përpjekur të kuptoj se si funksionon Opera. Më duhet të them se Shqipëria nuk u ngjan vendeve të tjera. Është fat i madh që në vendin tonë Opera u ndërtua në vitet 1950 me shumë sakrificë për një vend të varfër si i yni. Operën e konsoliduan artistë më në zë që erdhën nga shkolla të kryera në vende të ndryshme”, – tha ajo.
Pos kësaj, Mula sjell shembujt e Lindjes në qasjen ndaj Operës.
“Po të shihni të gjithë Lindjen, me gjithë ndryshimet në ekonomi, qoftë edhe në mentalitet, e vetmja që nuk u prek ishte Teatri i Operës. Sepse Operat janë të paprekshme në gjithë Lindjen, muzika klasike po ashtu, është e shenjtë dhe ruhet”, – shton sopranoja.
Duke marrë parasysh që vendi ynë ka një teatër të vetëm, ndërsa Inva sugjeron që teatro operash duhet të ketë edhe Shkodra, ku Prenk Jakova vuri operën e parë shqiptare, apo Korça, ajo e sheh atë institucion si panteon.
“Opera është aset, nuk mund të bëhet private, kjo është e padiskutueshme! Ajo që duhet bërë është që të gjenden mundësi më të mëdha financimi”, – thotë sopranoja nga Parisi ku ndodhet.
Pos që teatri si i tillë nuk preket dhe nuk mund të dalë nga varësia dhe kujdesi i shtetit, Inva Mula sugjeron financime shtesë ku shteti është rregullator.
“Ajo që duhet bërë është që shteti të ndërhyjë pranë bizneseve të mëdha që të ketë më shumë financime prej tyre për Operën. Duhet të shtohet buxheti nga mecenatët e artit për Operën”.
Duke marrë si shembull Operën e Parisit që nga shteti ka një buxhet prej 80 mln eurosh plus 60 milionë nga biletat, sopranoja, kërkon ndërhyrje për më shumë buxhet për Operën në Tiranë.
Në kushtet e një debati që ka shqetësuar artistët e Operës, ajo bën thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse.
“Unë do të bëja thirrje për një tryezë me artistë, me studiues të muzikës e operës. Unë vetë do të mund të sillja drejtues operash nga Franca e Gjermania për të dhënë përvojën e tyre në drejtime Operash. Në këtë kohë të vështirë, për artistët, mirë është që bisedimet të bëhen transparente, që artistët me vështirësitë që kanë të mos mendojnë edhe ndryshimet e institucionit”, – shprehet Inva Mula.
Ajo sugjeron bisedime dhe zgjidhje që do të bëjnë që Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit të qëndrojë me këmbët e veta, por gjithmonë, si aseti kryesor i shtetit shqiptar.
“Le të bëjmë diçka që Opera të qëndrojë në këmbët e veta, por gjithnjë si aseti kryesor i shtetit dhe kombit shqiptar. Le të kthehet në pol artistik rajonal, por duke pasur diskutime transparente dhe vendime të tilla”, – thekson ajo.
Sopranoja e njohur, bijë e artistëve Avni dhe Nina Mula, është rritur në atë teatër dhe e ka pasur në atë skenë zanafillën e suksesit të saj ndërkombëtar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.