SHËNDET

Mjekja patologe: Sëmundja e Celiakisë, komplikacionet mund të jenë serioze

11:00 - 19.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Vlera Lekaj – Në jetën tonë të përditshme një ushqyerje e shëndetshme, përbën një rëndësi të veçantë, për të qenë në formën e duhur fizike dhe për të marrë vlerat e duhura ushqyese. Sigurisht që respektimi i vakteve dhe një dietë e balancuar është një mënyrë e shëndetshme të jetuari. Por ka dhe problematika të tilla si pamundësi e konsumimit të disa lloje produktesh, kjo për shkak të disa shqetësimeve që i shoqëron disa njerëz si konsumi i disa produkteve të caktuara. Kjo gjendje njihet ndryshe si intoleranca ushqimore. Rastet që ndeshen më shpesh në praktikën klinike janë ndërmjet njerëzve të cilët shfaqin probleme kur konsumojnë produkte të qumështit të cilat përmbajnë laktozë, si djathi, kosi, bulmetrat në përgjithësi dhe disa lloje ëmbëlsirash.
Por do të fokusohem në këtë artikull në një problematikë pak më të rrallë, por shumë shqetësuese për individët, të cilët i prek kjo gjendje. Bëhet fjalë për sëmundjen e Celiakisë ose ndryshe intoleranca ndaj glutenit.
Para së të ndalemi dhe ta shohim më në hollësi duhet të kemi parasysh një element dallues të intolerancës ushqimore dhe alergjisë ushqimore, ndryshime të cilat lejnë gjithmonë vend për t’u diskutuar. Kur flasim për alergji ushqimore kemi në qendër të vëmendjes një seri shenjash dhe simptomash, të cilat kanë një zhvillim akut, të shpejtë në kohë. Simptoma si p.sh., urtikarie, të vjella, edemë të buzës, e deri në komplikacion më të rrezikshëm që është edema laringeale duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, e cila mund të jetë fatale nëse nuk kemi ndërhyrje të shpejtë mjekësore. Ndërkohë që në rastin e intolerancës ushqimore simptomat janë më së shumti të traktit të tretës dhe me një shtrirje më të gjatë në kohë, duke krijuar kështu shqetësime të vazhdueshme të cilat kondicionojnë mirëqenien e përgjithshme.
Rikthehemi tek intoleranca ndaj glutenit, njihet si një sëmundje kronike e traktit tretës, por që ka në bazë elementë gjenetikë. Në thelb të kësaj patologjie qëndron siç e përmendëm, intoleranca ndaj glutenit, pra vështirësia në tretjen e produkteve që përmbajnë gluten. Ndër produktet më të pasura në gluten mund të përmendim, të gjitha prodhimet e grurit, buka, makaronat,(cereali) drithërat që konsumojmë në mëngjes me qumësht, disa lloje ëmbëlsirash etj. Simptomat kryesore që shfaqen tek individët, të cilët vuajnë nga kjo problematikë janë nausea, diarreja, fryrja abdominale, deficienca e hekurit, vitaminës D, që vijnë si pasojë e malabsorbimit dhe rënia në peshë, lodhja, dobësia trupore. Si patologji mund të ketë dhe komplikacione, të cilat mund të jenë serioze, kjo nëse nuk trajtohet dhe nuk mbahet dieta e rekomanduar duke i shkaktuar kështu vuajtje traktit tretës.
Diagnoza vendoset duke u bazuar fillimisht tek klinika dhe historiku, por edhe duke e plotësuar me ekzaminime, si: endoskopia, gjatë të cilës merret një biopsi duodenale, si dhe nivelet e antikorpeve pozitiv në gjak.
Kjo sëmundje nuk ka kurë, por zgjidhja qëndron në identifikimin sa më herët të problematikës, diagnostikimi si dhe ndjekja e këshillave të mjekut për një dietë të varfër në grurë. Pra, dieta e përhershme është dhe përgjigja për zgjidhjen e shqetësimeve që jep kjo sëmundje. Siç u përmend dhe më lart meqë kemi të bëjmë më një sëmundje, e cila ka në thelb të saj intolerancën ndaj glutenit atëherë duhen eliminuar nga dieta të gjithë produktet e grurit, elbit,
Ndërkohë që produktet e rekomanduara janë: peshku dhe frutat e detit, patatja, orizi, mishi i kuq, i bardhë, perimet e freskëta, frutat, produktet e misrit, frutat e thata.
Fillimet e përshtatjes me një stil të ri jetese për një person që vuan nga kjo sëmundje mund të jenë të vështira për shkak të faktit se duhen eliminuar nga dieta disa produkte. Por me qetësimin e simptomave dhe me ndërgjegjësimin se dieta është e vetmja mundësi për të mbajtur në kontroll sëmundjen e Celiakisë mund të arrihet një ekuilibër për këta individë.
Disa kohë më pas fillon dhe shtimi në peshë, si dhe zëvendësimi i elementëve ushqimorë që ishin deficitarë.
Pavarësisht se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që kanë sëmundjen e Celiakisë mund të jenë asimptomatikë, në individët që shfaqin shenja mund të jetë një gjendje që shkakton lodhje fizike, kështu që sapo shfaqen shqetësime të tilla të traktit tretës duhet të drejtoheni për konsultë mjekësore, në mënyrë që të merrni këshillat e duhura dhe të mos I shkaktoni vuajtje afatgjata traktit tretës të cilat mund të jenë shumë të dëmshme.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.