OPINION

Basti për konsumin

09:38 - 21.10.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për shkak të mbylljes së plotë dy muaj e gjysmë të ekonomisë dhe pas mesit të majit, aktivitetit të ekonomisë, të zhvilluar gjithë kohës me Shpatën e Damokleut të Koronavirusit, për periudhën janar-shtator 2020 na mungojnë në Buxhetin e Shtetit afro 36 miliardë lekë të reja, ose 290 milionë euro, ose 100 euro më pak për çdo qytetar të këtij vendi që realisht jeton këtu. Shpenzojmë po ashtu shumë pak, udhëtojmë gati zero(janë vetëm disa mijëra prej nesh që e provojnë) jashtë kufijve të vendit. Nga të 98 mijë sipërmarrjet e vogla të vendit, të regjistruara dhe aktive, më shumë se gjysma kanë deklaruar rënie të xhiros 30-50 për qind. Turizmi i rërës dhe detit e provoi këtë verë, por nuk mundi të na shërbejë si Levë e Arkimedit për të ngritur ekonominë tonë të trullosur keqazi. Tani, në tetor, po e provon qeveria. Më 1 janar 2021 nis gara me pengesa. Pakësohen qëllimisht burime të ardhurash në Buxhet, me shpresë se do të shtohet konsumi. Po si? Lëvizja e parë(ose pengesa e parë për Arkën e Shtetit): qeveria ia zeron më 1 janar 2021 tatim-fitimin biznesit të vogël me xhiro vjetore deri në 140 milionë lekë të vjetër. Ose që shet në mallra e shërbime afërsisht 12 milionë lekë të vjetër në muaj. Janë mesatarisht 170 euro tatim-fitimi që rreth 70 mijë sipërmarrje të vogla nuk do të arkëtojnë në Buxhet, ose rreth 12 milionë euro. Nafta pa akcizë, taksë qarkullimi dhe karboni për 97 mijë bujqit dhe fermerët që kanë një NIPT nga 1 janari 2021, po ashtu do pakësojë të ardhurat e Buxhetit me 1 miliardë lekë të reja, ose 8 milionë euro. Këto para qeveria shpreson që bujqit dhe fermerët t’ i investojnë në prodhim ose në zgjerim aktiviteti, duke trefishuar ndikimin mbi ekonominë tonë. Kështu, do mund të kemi 36 milionë euro që bëhen gati për konsum ose prodhim, vetëm nga lëvizjet e fundit qeveritare me biznesin e vogël dhe bujqit e fermerët. Ndërkohë, po nga 1 janari 2021, 4.650 mjekë dhe 13,765 infermierë do të shohin pagat e tyre te rritura me 40 për qind, ndërsa 35.883 mësues dhe punonjës të tjerë të sistemit parauniversitar të arsimit (shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme) do t’u rritet rroga me 15 për qind. Për këto rritje Buxheti i Shtetit do të duhet të paguajë më shumë 8 miliardë lekë, ose 64 milionë euro. Sërisht shpresa(edhe basti) është që këto para më shumë në duart e mjekëve, arsimtarëve dhe infermierëve të shkojnë shumica për rritjen e konsumit. Me një situatë të paqartë të COVID 19 për muajt e dimrit që po afrojnë, basti i qeverisë për konsumin paraqitet bast i rëndë. Lind pyetja: a kishte kjo qeveri alternativë tjetër? A mund të provonte prapë me pagesa të drejtpërdrejta(prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve shprehen se pagesat e luftës i mësuan punëtorët tanë dembelë)? Përgjigjja është shumë e vështirë. Basti më i madh i qeverisë për vitin e ardhshëm duket se është rindërtimi. Për të, qeveria ka ofruar një çerek miliardë euro në Buxhet. Ajo shpreson se ethet e rindërtimit do ta ndihmojnë ekonominë të rimëkëmbet. Shumë do të varet edhe se sa do të arrihet që ndihma e huaj për rindërtimin të materializohet në para konkrete donatorësh gjatë vitit të ardhshëm. Dihen vonesat dhe kostot kohore burokratike për miratime në nivele parlamenti të fondeve të premtuara edhe në kohë normale. Sikurse kuptohet turbullira dhe rrëmuja e shkaktuar nga pandemia edhe në vendet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore. Megjithatë, janë 1.15 miliardë euro të angazhuara në Konferencën e 17 shkurtit 2020 në Bruksel dhe qeveria duhet të bëjë të pamundurën për të vënë në lëvizje një pjesë të tyre për vitin 2021. Një dorë nga donatorët për vitin e ardhshëm, mes pandemisë, uljes së konsumit dhe shpenzimeve të rritura edhe nga ethet zgjedhore të 25 prillit 2021, do të ishte shpëtimtare për ekonominë tonë. Sprovat e qeverisë me zerimin e tatim-fitimit për biznesin e vogël, me naftën pa taksa për 97 mijë bujq e fermerë dhe me rrogat e shtuara fort për mjekët dhe dukshëm edhe për arsimtarët para-universitarë, flasin për një bast të paparë për të rritur konsumin, mes pikëve zgjedhore të fituara dukshëm. Urojmë për të mirën e ekonomisë sonë dhe të xhepave të gjithsecilit prej nesh, që ky bast të funksionojë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.