Kryesore

Kur Fishta maskohej si sovjetik dhe Fatos Arapi qante për të

14:08 - 26.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Rrëfime mbi të ndaluarit e të nëmurit e komunizmit, në një përvjetor të Gjergjit klerik, poet e profet




Qarkullon një legjendë se në vitet 1980, Petro Marko thoshte se Gjergj Fishta është një elefant mbuluar me hi. Marko aludonte pra, se Fishta mund të fshihej po aq sa mund të fshihej një elefant nga një dorë hi. I ndaluar e i mohuar gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, poeti, kleriku, arkitekti, shkrimtari e dramaturgu, rizbulohet gjithnjë e më shumë tashmë përmes kujtimesh e dromcash të fshehura. Gjergj Fishta në 149-vjetorin e lindjes, vjen përmes dëshmish e kujtimesh të atyre që ia ruajtën veprën, qoftë edhe duke e maskuar si sovjetike, veprën e tij letrare. Asokohe, mjaftonte një kopertinë komuniste mbi filozofitë e lirisë, për të ruajtur në strehat shqiptare, ata që qenë damkosur me ndalim.
Leka Ndoja bëri një ekspoze të rrallë, të maskimit të Fishtës si sovjetik, në vitet e zisë së madhe. Ai tregoi librin “Anzat e Parnasit”, që qe riveshur me një kopertinë të letërsisë sovjetike. “E ruajti im atë, Mark Ndoja, që ka qenë nxënës i Fishtës dhe është dënuar për të. Në këtë formë qarkullonin librat në atë kohë, me kamuflazh. Kështu u ruajt edhe kjo ‘Lahutë Mlasie’, ndër botimet me të vjetra që kemi, e vitit 1937, me firmën e Fishtës në të. Edhe kjo, ishte e babait tim”, – tha Ndoja.
Vitet e ndalimit patën vetëm rrekje për ta përbaltur.
Ndoja tregoi rastin kur iu kërkua Fatos Arapit në vitet 1960, që ta trajtonte Fishtën me sens negativ. “Arapit iu mbushën sytë me lot, qante për Fishtën. Nuk pranoi ta godiste dhe e hoqi nga puna Manush Myftiu”, – tregoi Ndoja.
Në konferencën e mbajtur nga Qendra e Librit me rastin e përvjetorit, u nxorën në pah, jo vetëm vlerat e figurës poliedrike të Fishtës, por u dhanë edhe përgjigje mbi pikëpyetjet që e shoqëruan ndalimin e tij nëpër dekada.
Drejtoresha e Qendrës së Librit, Alda Bardhyli tha se Fishta është joshje prej pasurisë që i la gjuhës. Ndërsa për Kolec Çefën, disa e kanë dashur e disa jo, por Fishta nuk mund të përkthehet në gjuhë letrare. “Fishta duhet të rrijë siç është, nuk mund të ‘përkthehet’, janë mësueset e Letërsisë që duhet t’ua mësojnë më mirë fëmijëve. Ka qenë një kohë që Fishta ishte natitalian i madh; kur Italia propozoi autonomi për Shqipërinë, ai ishte kundër, se donte liri të plotë. Më pas, Austro-Hungaria u tërhoq dhe Shqipëria mbeti pa mbrojtjen e ndonjë superfuqie. Akuzohet shumë për Italinë. Me Italinë Fishta nuk ishte oportunist, siç janë përpjekur ta trajtojnë, ai ishte me Italinë sepse Shqipëria kishte mbetur vetëm dhe sepse gjithsesi Italia donte shtet shqiptar. Ndonëse Italia donte të merrte Vlorën, dhe për Fishtën, nuk mund të kishte Shqipëri pa Vlorën”.
Zhdukja e veprave të Fishtës në vitet e komunizmit, u ndoq nga zhdukja e eshtrave, por figura e tij mbeti e pashlyeshme në kujtesën e brezave, që i mëkoi me dashuri për vendin dhe kritikë për klasën politike.
EKSPOZIMI
Veprat e Gjergj Fishtës, mbas ndalimit të tyre për të qarkulluar në rrjetet librore, në vitin 1946 iu nënshtruan censurës. Rrjeti bibliotekar e futi nën indeks dhe mund të shërbeheshin vetëm për studiuesit me autorizim. Ndërsa qarkullimi privat i veprave të tij iu përshtat situatës së censurës, p.sh. duke u fshehur nga kredencat apo bibliotekat.
“Një nga mënyrat e qarkullimit në tregun e zi të librit ishte edhe riveshja kamuflazh e tyre. Zakonisht përdoreshin për riveshjen kopertinat e librave sovjetikë në gjuhën frënge, si në rastin e librit ‘Anzat e Parnasit’, të Ex Libris-it – bibliotekës së Mark Ndojës, student i Fishtës”, shkruan Qendra Kombëtare e Librit.
Krahas Fishtës, ka qarkulluar kështu si në kohën e perandorisë turke, çdo vepër e ndaluar, pasi kjo përvojë u ringjall. Mbas viteve ‘67 këtë teknikë e shtynë më tej klerikët me literaturën fetare. Antikuaristët e librave, si Tahir Dizdari, e kanë ushtruar në Tiranë teknikën e veshjes-kamuflazh.
Leka Ndoja, i biri i Markut, i tregon Drejtores së QKLL, Alda Bardhyli, dy libra të ndaluar, marrë nga biblioteka familjare e Gjergj Fishtës, të mbetura ende nën kamuflazh.
Libri “Anzat e Parnasit”, që shquhet për satirat politike, është ende nën kopertinën sovjetike “La literature sovietique – kopertina fake”. Këtë libër e ka qarkulluar Mark Ndoja ndër studentët e tij të Institutit Pedagogjik 4-vjeçar, i cili ruante gjithashtu edhe kryeveprat e tij “Lahuta e Malcisë”, botim i vitit 1937, dhe vepra “Vallja e Parrizit”, botim i vitit 1925.
Këto vepra, Leka i tregon me pasionin e madh të zbulimit të një sekreti, që deri pak vite më parë ishte vetëm i tiji.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.