OPINION

Çfarë do t’i kërkoja unë kryeministrit aktual apo kryeministrit të ardhshëm paszgjedhor

17:31 - 23.11.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Frederiku i Madh, mbreti i famshëm i Prusisë, shtetit më të fuqishëm të Gjermanisë, në pushimet midis luftërave të shumta që bënte, gjente kohë që të vizitonte shkollat e fshatrave dhe të merrej me reformën e tyre. Kur e pyesnin se përse merrej vetë me këtë punë, ai u thoshte se rezultatet e kësaj pune do të dukeshin pas tridhjetë vjetëve a më gjatë. Dhe kështu ai hodhi themelet e sistemit arsimor të mëvonshëm gjerman, që krijoi mrekullinë gjermane, që nga institucionet te ekonomia. Me gjithë ekceset që kaloi Gjermania, themelet e shkollimit të brezave të saj janë te udhëtimet e këtij mbreti nëpër fshatra, për të vizituar shkollat e tyre duke dhënë mesazhe të qarta vendimmarrëse. Sepse themelet e sistemit arsimor të një vendi nuk krijohen në universitete, por më poshtë. Frederiku i Madh, ky mbret i njohur si luftëtar, këto ide për reformimin e sistemit arsimor, nuk i kishte vetëm nga mendja e tij. Ai kishte thirrur pranë vetes si këshilltarë mendimtarë iluministë nga më të famshmit e kohës. Volteri jetoi për një kohë të gjatë në oborrin e tij.




Frederiku i Madh, që mendonte shumë për shtetin, donte një shtet të fortë, me ekonomi të fortë, që të kishte një ushtri të fortë për të bërë luftëra të mëdha. Mendimtarët iluministë si Volteri i mësuan se themelet e këtyre që kërkonte mbreti prusian duheshin hedhur edhe në shkollat e fshatrave. Mbreti dinte t’i dëgjonte dhe vlerësonte këshillat e mira.

Në Shqipëri sot kërkohet të bëhet reforma në drejtësi që të funksionojë shteti ligjor në vend. Mirë, shumë mirë. Por që të realizohet kjo reformë me sukses, nuk duhet që të kemi vetëm disa magjistratë të mirë për institucionet e reja që do të krijohen në kuadrin e reformës në drejtësi. Disa të tillë mund të përzgjidhen dhe të marrin përgatitje shtesë në Amerikë dhe në Europë. Por na mungon diçka thelbësore që nuk e kemi: trualli social ku mund të zhvillohen këto reforma ndryshuese. Është e nevojshme që të bëjmë edhe një reformë në qytetari, në sjelljen qytetare, sepse fillimisht duhet të kemi dhe qytetarë të mirë, të përgjegjshëm, ose së paku pjesa më e madhe e qytetarëve duhet të jenë të tillë. Nuk ka ndonjë shembull në botë ku të ketë funksionuar shteti ligjor vetëm me gjykatës dhe prokurorë të mirë, pa qytetarë të përgjegjshëm. Kjo për faktin se shteti ligjor ndërtohet në funksion të qytetarit, jo të magjistratit. Shteti ligjor nuk mund të funksionojë pa bashkëpunimin e qytetarit të përgjegjshëm. Ndryshe do të kthehet në një çështje fushatash të përkohshme dhe jo me një strukturë me themele solide, afatgjatë.

Nuk ka drejtësi pa qytetari, dhe nuk ka qytetari të mirëfilltë pa arsim dhe kulturë me bazë përgatitjen e qytetarit. Kjo për faktin se krijimi i qytetarëve të përgjegjshëm është, duam s’duam, një proces intelektual. Jo se do ta bëjmë çdo qytetar një intelektual, por sepse parimet bazë të qytetarisë së përgjegjshme janë mirëfilli intelektuale, të përpunuara që nga Iluminizmi europian.

Nëse përgatitja e magjistratëve që na duhen në kuadrin e reformës në drejtësi nis në shkollat e larta dhe kurset e specializimit brenda dhe jashtë vendit, përgatitja e qytetarit të përgjegjshëm, si proces intelektual, nis shumë më herët, që në moshë të vogël. Etërit e mendimit shqiptar kanë pasur si objektiv të tyre edukimin e njeriut shqiptar në atë mënyrë që ai të shndërrohej në qytetar të përgjegjshëm europian shqiptar. Ata kanë shkruar shumë për këtë temë.

Një nga gurët e themelit të shoqërisë me qytetarë të përgjegjshëm është në bibliotekat e shkollave, të shkollave nëntëvjeçare të qytetit dhe fshatit, si dhe të shkollave të mesme, të librit dhe leximit. Them për gurëthemel, por nuk dua të përjashtoj bibliotekat e universiteteve. Nëse i vizitoni këto biblioteka, do të shikoni se atje mungojnë pjesa më e madhe e librave të etërve të mendimit shqiptar, që fare mirë mund të lexohen nga nxënësit e mirë dhe mësuesit në këto shkolla. Por atje mungojnë edhe përkthimet e mira në shqip të autorëve të huaj që mund të shërbejnë për formimin e qytetarëve të mirë, libra filozofikë, sociologjikë, antropologjikë, psikologjikë, politologjikë etj.

Kur do të vijë dita në këtë vend që një kryeministër të thotë duke vizituar një shkollë fshati: “Po reformoj bibliotekat e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme të qyteteve dhe fshatrave. Rezultatet do t’i korrin pasardhësit e mi më vonë dhe do të më jenë mirënjohës”. Dhe nëse do kishte një prioritet të domosdoshëm që unë do t’i kërkoja kryeministrit aktual, por dhe çdo kryeministri tjetër që do vijë, do ishte: Bibliotekat e shkollave dhe universiteteve.

Atëherë do të jetë çasti kur do të nisë reforma e kulturës, arsimit dhe qytetarisë në këtë vend. Por ai kryeministër që do ta ndërmarrë këtë nismë, duhet të vizitojë edhe magazinat e shtëpive botuese, me botues idealistë, që nuk kanë preferuar të botojnë libra komercialë, për të fituar me lehtësi para, por kanë botuar literaturë të vlefshme për shoqërinë, për formimin e qytetarëve, duke rriskuar.

Dhe këto botime të mbetura stok, për turpin e shoqërisë sonë, jo të botuesve të tyre si tregtarë të këqij, duhen parë si një aset kulturor i shoqërisë sonë, një aset i cili janë dashur shumë vite për t’u krijuar, dhe që nëse do të kërkohet të krijohet nga e para, do të shihet se duhen dekada. Se për të krijuar këtë aset kanë punuar shumë përkthyes, redaktorë, janë bërë investime në ide dhe vlerë të konsiderueshme.

Në qoftë se sot harxhohen dhjetëra milionë euro e dollarë për reformën në drejtësi, ashtu siç janë harxhuar po aq para kuturu para disa vitesh për të bërë një reformë në drejtësi, që sot është zhbërë nga themelet krejtësisht, duhet që një përqindje e tyre të harxhohen për të vënë në eficencë këtë aset kulturor, në kuadrin e reformës për qytetari. Ndryshimet nuk vijnë kurrë vetëm nga lart, pa zhvilluar më parë ose krahas tyre diturinë për njeriun.

Atyre që do të më bëjnë vërejtje se po shkruaj me interes si studiues ose ish-botues, do t’u them se unë dhe shumë botues të tjerë, ndër aktivitetet e ndryshme të tyre, gjithmonë e kemi ditur se mund të fitonim shumëfish me libra komercialë, sesa me librat që kam përmendur më lart. Por në këtë biznes u sollëm si intelektualë, jo si tregtarë. Dhe tani kemi në dorë një aset kulturor që i duhet shoqërisë.

Por ne nuk jemi “Volteri” pranë “Frederikut të Madh”, kështu që nuk është për fajin tonë nëse “Frederiku i Madh” shqiptar do të vonohet edhe 30 vjet ose kushedi sa shumë vjet të tjerë për të shkuar në bibliotekat e shkollave të fshatrave.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.