KULTURË

ROZA ANAGNOSTI: Për fijet që u prenë me Muharrem Fejzon e filmin që na rrezikoi

14:01 - 24.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kujtoj një burrë që katër vite më parë, më priste te vila e Sali Shijakut në zhegun e gushtit. Nën hijen e një bliri, shquaj së pari një kapelë të bardhë. I ngjan Sean Connery në një skenë në Havanë, nuk e di në ç’film. Takimi qe lënë për Albert Vërrinë dhe burri me kapelë të bardhë, do më rrëfente ‘Kapedanin’ e tij. Ky është një takim i fundit me Muharrem Fejzon, i ndarë nga jeta së fundmi, ai iku pa u ndarë me publikun, duke e dhënë frymën e fundit në një spital jashtë vendit. Një telefonatë me Reshat Arbanën e një me Robert Ndrenikën, e ngrenë lart figurën e Fejzos, që mbeti modest deri ditën e fundit. Të dy të pamundur për të dalë në media. Të dy, në format e tyre kujtojnë anën njerëzore e profesionale të Fejzos, flasin për ikjen e trishtë të një guri të çmuar në gjerdanin e artit e kujtojnë kohët e vështira në të cilat i ka mbështetur. Si një smerald, i strukur I veprës që la pas Fejzo, është edhe filmi ‘Mësonjëtorja’, ku Dafinën e luan Roza Anagnosti, e po ashtu, “Fije që priten” ku Roza interpreton shoqen Besa. “I jam mirënjohës, regjisorit tim të mirë. Më ka dhënë dy rolë të mrekullueshme. Takohemi te sheshi ‘Shopen’ në orën 10:30”. Anagnosti  është ftohur por del nga shtëpia për mikun e saj të hershëm, regjisorin e saj të mirë, që nuk bërtiste kurrë në shesh xhirim, që i respektonte të gjithë dhe merrte prej tyre, më të mirën. Në orën 10:29, shquaj siluetën e një gruaje me pallto të zezë, që vjen drejt sheshit Shopen. Roza Anagnosti, do që Fejzo të mos ikë në heshtje  dhe kjo bisedë në sheshin “Shopen” është një homazh për Muharremin.




*Regjisori fisnik, Muharrem Fejzo, që të bënte për vete me buzëqeshje dhe urtësi, u shua këtë të diel, në Itali, duke lënë pas, imazhin e një burri që magjepste me dashurinë për jetën e dashurinë për miqtë. Roza Anagnosti pranon të flasë për figurën e tij,  duke dashur të ishte një premierë, e jo ikja tema e bisedës.

“Unë do doja të kisha dalë nga shtëpia për një premierë, por nuk ishte e thënë. Ikja e Fejzos e trishtë, në kohë si kjo, ende më shumë. Sepse ne nuk mundemi të ndahemi me të. Ai ishte një njeri i paqtë. Kam qenë me fat dhe i jam mirënjohëse Muharrem Fejzos. Ai më ka dhënë dy role yt mëdha”, thotë Roza, më një zë të ngjirur sa nga e ftohura e sa nga dridhja e zërit prej trishtimit.

Pa pasur mundësinë e një lamtumire, ajo ndjehet e prekur kur kujton punën me të.

“Muharrem Fejzo ishte shumëdimensional. Unë e kam njohur kur xhironim ‘Detyre e posaçme’ ku ai ishte grimier. E kujtoj pak, sepse isha e re, por nuk e hiqja nga mendja punën e kujdesin e tij”.

Kjo ndarje pa lamtumirë dhe pa thënë fjalët e fundit, është e dhembshme, por shërben si shkas për të kujtuar një njohje të hershme.

“E njoha para 50 vitesh te filmi ‘Detyrë e posaçme’. Sigurisht ka pasur një jetë të vështirë, të vështirë e të bukur. Nuk i ka pasur gjërat e lehta. Por ai nuk mposhtej, as nuk prapsej. Ai ishte një njeri që kishte respekt për veten dhe ishte i vetëdijshëm për atë që ishte”,-kujton Roza Anagnosti.

44 vite më parë, ata u gjendën bashkë në sheshxhirim, me një tematikë, të ndjeshme për kohën dhe  po aq të rrezikshme. Filmi kishte të bënte me agjenturat e spiunimet.

“Te filmi ‘Fije që priten’, më dha një rol të mrekullueshëm. Kisha rolin e Besës që për shumë kohë u bë emri im i dytë, më thërrisnin edhe në rrugë Besa. Filmi ‘Fije që priten’, më vuri në situata të ndryshme si aktore, në gjendje të ndryshme, dhe ishte një rol që më bëri mirë. Por përveç kësaj, kurora që më dha Fejzo ishte te filmi ‘Mësonjëtorja’. Është një film që do i mbijetojë kohës dhe besoj se ende nuk është vlerësuar sa duhet”, thotë Roza.

Vetë pelikula do të përballej me probleme. Një prozhektor ideologjik do të vinte në dukje njollat biografike të Robert Ndrenikës, duke rrezikuar filmin, Ndrenikën, Roza Anaganostin dhe vetë regjisorin Muharrem Fejzon.

“Ka qenë një situatë e vështirë. Nisën të shihnin biografitë. Ndrenika u hoq nga ‘Fije që priten’, edhe unë rrezikova të hiqesha për biografi, por nëse hiqesha unë, i bie që filmi nuk mund të transmetohej më. Nuk ishte e lehtë, pasi mbaroje filmin, e shihnin ata që kontrollonin dhe më pas, të hiqnin një aktor dhe duhej të ribëje disa skena”, thotë Roza Anagnosti.

Filmi që ka në qendër një agjent të huaj, interpretuar nga Reshat Arbana, u pa me lupë atëherë dhe shihet edhe sot. Dikur për shkak të censurës së sistemit, e  sot, për shkak të propagandës që gjejmë në të. Megjithatë, rileximet kanë shtigje arratisjeje.

Anagnosti thotë se temat si ajo ishin të detyrueshme. “Ashtu ishte koha, tema ishte e përcaktuar. Ne u përpoqëm të bënim një film të mirë paçka kufizimeve”, shton aktorja që mban titujt Mjeshtër e madhe dhe Nder i Kombit.

Problemet me emrin e Ndrenikës, e patën shqetësuar jo pak Muharrem Fejzon. Nëse një anë rrezikohej filmi, regjisori e dinte se më i rrezikuar ishte aktori i tij, ndaj shpesh do ta vizitonte në shtëpi Ndrenikën, për ta mbështetur. Sot, kur pyetet Anganosti se si e përjetoi Fejzo heqjen e Ndrenikës, ajo kujton me stepje.

“Ishte i ndjeshëm, por nuk e shfaqte në sheshxhirim”.

Roza Anagnosti ka punuar me Fejzon në dy filma, për të cilët ruan mbresat e një punë të  kujdesshme te ‘Fije që priten’ dhe “Mësonjëtorja”, jo pa u përlotur për përkimet.

“Fejzo ishte shumë modern dhe i vërtetë. Është shumë e trishtë që ai u nda nga jeta në ditën e përvjetorin të Kongresit të Manastirit, ditës së alfabetit”

Roli i Dafinës te ‘Mësonjëtorja’ me regji të Fejzos, do ta ngrinte figurën e Roza Anagnostit ende me lart profesionalisht.

“Ishte një rol i mrekullueshëm për mua. Xhirimet e ‘Mësonjëtores’ qenë një atmosferë shumë e bukur. Korça dhe qytetarët e saj ne na dhanë një impuls shumë pozitiv”,-kujton ajo.

Kur e pyet për këshillat e regjisorin, ajo përgjigjet me mënyrën si ndjehej.

“Fejzo ishte i paqtë në sheshxhirim. Ai sillej shumë mirë me aktorët dhe I respektonte. E kishte të qartë që interpretimi e loja e tyre, ishte në fakt mënyra se si mund të merrte jetë, edhe koncepti regjisorial. Fakti që ishte i përgatitur dhe kishte njohuri në pikture, skulpturë e muzikë ishte një plus për të, sepse e krijonte vetë tërë ansamblin e një filmi”, pohon Roza Anagnosti.

Marrëdhënia 50-vjeçare që një miqësi e afërt mes çiftit Anagnosti dhe çiftit Fejzo. Një prej aktoreve më të dashura shqiptare, tregon herën e vetme kur Fejzo, e la mesazhin e saj pa përgjigje.

“Ai kishte qenë në spital dhe më pas qe shëruar. Të enjten i çova mesazh për  ta ditur si është. I shkrova se ai kishte çelësin magjik, atë të të dashurit të jetës. Po prisja një përgjigje. Vura re që ai nuk e kishte parë mesazhin. Ai nuk m’u përgjigj. Tani e kuptoj që po luftonte për jetën, se ishte  nuk ishte në gjendje të përgjigjej”, thotë ajo.

Sot, kur Muharrem Fejzo nuk është më, dhe ajo kthen sytë drejt qiellit, Roza Anagnosti, tregon pengun e vet.

“Fejzon nuk e vlerësuan sa duhet, por ai nuk reshti. Për këtë më vjen keq, që nuk u vlerësua.

Ai meriton çdo gjë, ishte regjisori im i mirë. Pushofsh në paqe Muharrem”,-thotë Roza.

I ikuri në heshtje që e donte jetën, që jetoi pa mllef e pa mëri, u shua larg e po ikën pa homazhe. Fjalët e fundit  të Roza Anagnostit, janë një rekuiem, janë një elegji me sytë nga qielli.

Djaloshi që dikur endej me kitarë, mandej me penela e bocete skulpturash u shua në të gdhirë të së dielës. “Guna përmbi Tela”, “Kapedani”, “Muri i gjallë”, e të tjerë, janë filmat që la pas, si dëshmi e një artisti shumëpërmasor dhe një fisniku, që mbeti i tillë edhe pa frak edhe me frikë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.